E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reformat që do të ndërmerren në vazhdimësi synojnë zgjerimin e lirisë ekonomike dhe të iniciativës së lirë të çdo biznesmeni shqiptar

-  Reformat synojnë të rrisin aftësitë konkurruese të ekonomisë shqiptare, duke rritur prodhimin  dhe punësimin

Kryeministri Berisha, tha sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se kjo ditë i kushtohet biznesit, nisur nga një sërë vendimesh të rëndësishme që miratohen, të cilat i dedikohen biznesit dhe masave në lehtësim të tij.

Duke  e vënë theksin tek reformat dhe rëndësia e tyre në mbrojtjen e vendit nga kriza ekonomike dhe rënia në recension, kryeministri vuri në dukje se ato faktuan se modeli ynë ekonomik ishte dhe është  një model suksesi i padiskutueshëm, i cili natyrisht duhet të ndiqet në dinamikën e tij.

Kryeministri bëri të ditur se paketa  e reformave që do të ndërmerret, në raport me qytetarin shqiptar, ka vetëm pozitivitet dhe mirësi dhe nuk krijojnë asnjë lloj dhimbje qoftë dhe të përkohshme, përveçse përmirësim dhe në vazhdim. “Këto reforma synojnë të rrisin aftësitë konkurruese të ekonomisë shqiptare, pra të rrisin prodhimin, të rrisin punësimin. Me këto reforma synohet që të zgjerohet liria ekonomike dhe  e iniciativës së lirë të çdo fermeri shqiptar, të çdo biznesmeni shqiptar të vogël, të mesëm dhe të madh. Synohet pra, të nxitet me të gjitha stimujt prodhimi dhe punësimi i qytetarëve shqiptarë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur një sërë masash që do të ndërmerren në ndihmë të biznesit si heqja  tvsh-së për të gjitha makineritë e  të gjitha llojeve të bizneseve që do të përdoren për prodhim, heqjen e tvsh-së për të gjitha makineritë që do të përdoren në bujqësi, e degët e shumta të saj, blegtori, agrokulturë, bletari, bimë aromatike etj, heqjen e tvsh-së për çimenton dhe çelikun e importuar dhe të blerë në vend, për të gjitha HEc që do të ndërtohen, etj.

Në këtë kontekst, kryeministri tha se së shpejti do të nisë zbatimin një projekt tejet i rëndësishëm, ai i kaskadës së Devollit. Kryeministri shtoi se qeveria me vendimet e mësipërme ndikon fuqishëm në koston e ndërtimit të Hec-ve në Shqipëri.

Ndërsa në përgjigje të akuzave të Kryetarit të PS Edi Rama, lidhur me çmimet e hemodializës, të cilat sipas tij janë dy herë më të larta se sa ato mesataret, kryeministri u shpreh se përmes shërbimeve spitalore publike dhe atyre private, Shqipëria ofron ndër çmimet më të ulëta në Evropë, për këta pacientë.

Kryeministri ftoi zotin Rama, që si figurë publike të informohet saktësisht nëpërmjet statistikave zyrtare dhe jo të bazohet në burime joserioze, nëpërmjet të cilave dezinformon publikun.

Më gjerësisht për këtë temë, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot është dita e biznesit, është mbledhja e këshillit të Ministrave , e cila ka një axhendë të larmishme , por në këtë rend dite disa janë vendimet më të rëndësishme që merr qeveria.

Edhe një here duhet të informoj qytetarët shqiptarë se reformat e ndërmarra nga qeveria, siç do të theksonte në vizitën e fundit edhe presidenti i EBRD Chakrabati , këto reforma mbrojtën Shqipërinë nga pasojat katastrofale që mund të kishte patur kriza evropiane në ekonominë  e vendit. Këto reforma bënë që Shqipëria të ruajë rritjen ekonomike dhe të mos bjerë në recension. Këto reforma faktuan se modeli ynë ekonomik ishte dhe është një model suksesi i padiskutueshëm, por nuk ka model dhe nuk ka sukses që po nuk u ndoq në dinamiken e tij, të mund të qëndrojë për një kohë të gjatë.

Reformat sjellin reforma dhe vetëm kjo është rruga e garantimit të vazhdimit të suksesit. Parimet janë të njëjta. Kjo qeveri në programin  e saj elektoral të viti 2005 dhe 2009 ka patur në epiqendër mbështetjen e biznesit si “levën e Arkimedit” për të mbajtur rritjen ekonomike dhe punësimin e qytetarëve.

Reformat natyrisht kërkojnë guxim dhe në mënyrë të padiskutueshme implementimi dhe zbatimi i tyre fillestar ka dhe mund të ketë pasoja mbi të ardhurat ose fusha të tjera. E vërteta është se këto reforma, kjo paketë  e fuqishme reformash që ndërmarrim kësaj radhe , në raport me qytetarin shqiptar ka vetëm pozitivitet dhe mirësi. Këto nuk krijojnë asnjë lloj dhimbje qoftë dhe të përkohshme, përveçse përmirësim dhe në vazhdim.

Këto reforma synojnë të rrisin aftësitë konkurruese të ekonomisë shqiptare, pra të rrisin prodhimin , të rrisin punësimin. Kur 7 vite me parë ndërmorëm një seri reformash, askush nuk parashikoi krizën në vazhdim, por kriza erdhi, kriza u thellua. Rendjet pas paketave dhe stimujve të ndryshme Shqipëria i kishte ndërmarrë ato dhe i kishte operative dhe kjo bëri që qeveria shqiptare për as edhe nje vit të vetëm të mos binte në recension. Në këtë stad një paketë e re reformash është e domosdoshme për të përgatitur suksesin  e plotë të mandatit të ardhshëm të qeverisjes.

Me këto reforma synohet që të zgjerohet liria ekonomike dhe e iniciativës së lirë të çdo fermeri shqiptar, të çdo biznesmeni shqiptar të vogël, të mesëm dhe të madh. Synohet pra, të nxitet me të gjitha stimujt prodhimi dhe punësimi i qytetarëve shqiptarë. Këto reforma synojnë në mënyrë të padiskutueshme një minus në të ardhurat buxhetore të qeverisë shqiptare. Por ne do të bëjmë gjithçka për ta zvogëluar në maksimum nëpërmjet një disipline fiskale.

Sot ne vendosim heqjen e tvsh-së për të gjitha makineritë e  të gjitha llojeve të bizneseve që do të përdoren për prodhim. Sot ne vendosim heqjen e tvsh-së për të gjitha makineritë që do të përdoren në bujqësi, e degët e shumta të saj, blegtori , agrokulturë, bletari, bimë aromatik , i cili është një sektor që po fuqizohet me shpejtësi në Shqipëri.

Një mik i imi do të më thoshte pak më parë se një fermer në qarkun e Vlorës vetëm me gjethe ferrash, me grumbullimin e tyre, kishte siguruar mbi 100 mijë euro dhe vazhdon një interes i shkallës më të lartë për të gjitha llojet  e bimeve aromatike. Shqipëria është vendi më i pasur në Evropë në florën  e saj. Në jug dhe në Veri, një pjesë e kullotave po mbillen me sherebelë, po krijohen fermat  e sherebelës. Sherebela shqiptare është e cilësisë më të lartë. Ajo furnizon tregun amerikan në 70 % të nevojave të tij. Plastamasi, plehrat kimike, fidanët (përveç atyre që do të dëmtonin prodhimin vendas se unë nuk them të dëmtohet prodhimi vendas. Ne jemi për tregtinë  e lirë, por jo me duart tona të dëmtojmë prodhimin vendas, këtë nuk e bëjmë se nuk e bën asnjë vend këtë.) Por në tërësi për fidanët do të hiqet tvsh-ja në shkallën që të mos dëmtojë prodhimin vendas. Dua tu vë në dijeni se disa varietete shqiptare qëndrojnë me dinjitet në kurorën e varieteteve botërore. Mund të sjellësh të gjitha varietetet e ullirit, por ullirin e Krujës, së Tiranës, të Beratit apo të Mallakastrës nuk e gjen askund apo mollët apo varietet të tjera. Kështu që ne do të përpiqemi që këtyre tu japim hapësirën e duhur. Natyrisht kjo vlen edhe për shitjet në vend për këto makineri. Është fjala për ta që importojnë me shumicë dhe është fjala që kur blihet tek ta të blihet pa tvsh. Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë fermerin shqiptar. Unë mund tu them ju një gjë. E vërteta është që bujqësia shqiptare është në agimin e saj sepse tani dhe vetëm tani ajo po zgjeron çdo ditë hapësirat, po thellon çdo ditë e më shumë dhe rrit potencialet e saj. Në një libër të fillimit të shekullit, një dashamirëse e madhe e shqiptarëve thoshte se ata nuk kanë cilësi sepse kanë shumë këneta dhe nuk kanë infrastrukturë, por cilësitë dhe mundësitë e këtij vendi janë shumë të mëdha. Çdo herë më kujtohen këto fjalë kur shkoj në zonat rurale, fjalë të cilat kanë qene profetike. Gjithashtu, hiqet tvsh-ja për çimenton dhe çelikun e importuar dhe të blerë në vend, për të gjitha HEc që do të ndërtohen.

Sot miratohet marrëveshja e TAP-it. Shumë shpejt një projekt tjetër i madh, do të nisë dhe ky është projekti për Kaskadën e Devollit, një nga projektet më të mrekullueshme. Natyrisht kostoja është shumë e madhe, por qeveria me këto vendime ndikon fuqishëm në koston e ndërtimit të Hec-ve në Shqipëri.

Nuk do të ndalesha se jam i sigurtë se zoti Rama do të thoshte nesër, “na e vodhën programin”, “na e vodhën dhe TAP-n, na e vodhën edhe  Kaskadën e Devollit”, pasi e dëgjova dje të thotë ne serialin e pafundme të shpifjeve të tij. Dhe të shikoni po nuk shkruajti vëllimin tjetër me titull “Vjedhja”, pas “Kurbani”-t  do të shkruajë “Vjedhja”, kështu e ka ai për ti frymëzuar. Për të qenë i sinqertë njeriu edhe mund të mashtrohet njëherë  se kështu është normale, çdo njeri e vendos besimin para. Por tmerri pa fund është kur gënjen veten e tij. Çfarë u thoshte dje qytetarëve shqiptarë, përveç vjedhjes së Universitetit të Mjekësisë, paçka se në vitin 2007, dekani i atëhershëm i fakultetit të mjekësisë Alfred Priftanj, ministrja e shëndetësisë Anila Godo dhe një grup mjekësh të shquar shëtitën në Evropë për të parë  modelin e universitetit të Mjekësisë, të cilën rezulton se e kanë vjedhur nga fabrika e mashtrimit të zotit Rama, të cilën ai e quan fabrikë mendimi. Por përsëri e këshilloj ose të marrë statistikat zyrtare për bazë, ose të zgjedhë këshilltarë, jo si Pjerin Ndreu që i thotë të marrë rrogat e policëve të vitit 2005, si rroga aktuale.

Çfarë na tha dje kreu i opozitës për hemodializën. Nuk mund të mos jua them dy fjalë. Në vitin 1998 revista më prestigjioze e kësaj fushe shkruan se dëmtimi i funksionit të veshkave vazhdon të qëndrojë si një dënim me vdekje në vende të tilla, ndër të cilat është Shqipëria, sepse Shqipëria kishte gjithsej 20 të sëmurë me dializë dhe disa që përfitonin jo pak në Janinë, nga vullneti i mirë i autoriteteve greke dhe në Strugë nga vullneti i mirë i autoriteteve maqedonase. Në vitin 2005 ky numër i shqiptarëve që kishin mundësi ti shpëtonin vdekjes me anë të hemodializës ishte gjithsej 45 të sëmurë. Sot, të dashur qytetarë, ky numër është mbi 600. Sot për asnjë të sëmurë me insuficencë renale akute apo kronike, dëmtimi i mëtejshëm i funksionimit të veshkave për shkak të mungesës së hemodializës, nuk ekziston më si rrezik për jetën. Çdo shqiptar e ka të garantuar këtë shërbim.

Në vitin 2009 në Spitalin nën Tereza u hap qendra e hemodializës për fëmijë, e cila funksionon dhe sot. Në vitin 2010 të gjithë të sëmurët me hemodializë u garantua një substancë e një rëndësie të jashtëzakonshme për ta eritropoetina, që kushton si kurë 500 $ në muaj, e cila iu shpërndahet të sëmurëve në rrethe ku janë cdo muaj.

Zotëria deklaroi se çmimet e hemodializës në Shqipëri janë dy herë më të larta se sa çmimet mesatare. Në se krahason  me çmimet e Kastros, apo Hugo Chavesit, këtë nuk e di, por di se në Evropë, ky është çmimi më i ulët. Në Shqipëri, në sektorin privat ky shërbim është 85-90 euro seanca, me gjithë tvsh,. Pa tvsh është 75 euro. Në Francë kushton 170 euro, në BE është 140 euro. Në Hungari është 98 euro. Në Çeki është  120 euro. Në Mbretërinë  e Bashkuar 180 euro, në Spanjë 164 euro, në Rumani 95 euro, në Maqedoni 105 euro.

 Unë përsëri e këshilloj zotin Rama që si person publik që është, të marrë informacionet e duhura. Është e vërtetë që janë dy spitale private në të cilat realizohet një numër i konsiderueshëm i hemodializave për çmimet që kanë ofruar, për shërbimet që u ofrojnë qytetarëve, por kontratimi i tyre është bërë me procedura të rregullta, të hapura, dhe zoti Rama mund të shkojë dhe të marrë dokumentet. Dhe çmimet e ofruara janë më të ulëtat në Evropë  dhe jo më të lartat, siç pretendoi zotëria. Sikundër janë mbi 200 të sëmurë të cilët kryejnë procedurën e hemodializës në spitalet publike të vendit, kështu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë 120 pacientë, në Gjirokastër 20, në Shkodër 60, në Elbasan 60 paciente. Pra kur hyn dhe flet duhet tu thuash shqiptarëve të vërteta, fakte, dhe jo si një piktor i dështuar, sepse një person publik është një person publik dhe jo të shfrytëzojë valët e radiove sepse nuk është serioze. Për opozitën dhe çdo njeri ka hapësira për vërejtje, për sygjerime, për kritika, për opinione, për të gjitha, por nihilizimi është doktrinë  e tyre që kanë shikim dhe nuk shikojnë, e atyre që kanë mendje dhe nuk arsyetojnë, e atyre që kanë dëgjim dhe nuk dëgjojnë.

Përsa i përket rendit të ditës, ai ka çështje shumë të rëndësishme, po për biznesin, kështu shuma që paguanin për kontrollin  e kasave përgjysmohet nga 90 mijë, në 40 mijë lekë.


13/02/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›