Kryeministri Berisha prezanton rektoren e Universitetit Mjekësor, zonjën Jera Kruja

Kryeministri Berisha, gjatë një takimi sot me mjekë, u shpreh se modernizimi i sistemit shëndetësor, rritja e cilësisë dhe ofrimi i shërbimit të njëjtë për të gjithë qytetarët, pavarësisht të ardhurave të tyre, janë në qendër të reformimit të mëtejshëm të këtij sistemi. Kryeministri Berisha, i cili ndodhej në këtë takim për të prezantuar rektoren e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja, theksoi se edhe krijimi i këtij Universiteti do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjet e gjithanshme për t’i ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimin më të mirë shëndetësor, ndërsa u bëri thirrje mjekëve për konsolidimin e rregullave të qarta midis funksionimit të sektorit publik dhe atij privat, që të dy sektorët të ecin pa dëmtuar njëri-tjetrin.
“Ju e dini mirë se çdo qeveri e çdo forme e ka për detyrë të parë sigurimin e shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit, por një qeveri e një vendi të lirë nuk pengon kurrë veprimtarinë private të individit. Mbetet një kod etik i hekurt që duhet t’i impononi vetes, në mënyrë që të dy sektorët të ecin pa dëmtuar njëri-tjetrin. Të mos harrojmë se sektori publik është sektori edhe i atyre që nuk kanë dhe ata që nuk kanë, kanë të drejtë të gëzojnë të njëjtin shërbim cilësor si ata që kanë,” – u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal në disa nga treguesit pozitive të shërbimit shëndetësor shqiptar, sikundër nënvizoi edhe disa nga problematikat e reformës së këtij sektori.
Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me mjekë.
“Është një kënaqësi shumë e veçantë që mblidhemi sot, në këtë amfiteatër, për të cilën, me të drejtë, zoti Tavo do të më thoshte se është historik se i tillë është. Ne mblidhemi me nderim të madh për ata që themeluan mjekësinë moderne në këtë vend, në kushtet më të vështira, profesorët tanë të shquar, të cilët ia dolën të formojnë gjenerata të tëra mjekësh, studiuesish dhe me mjetet më minimale të bëjnë maksimumin e mundshëm, gra e burra të përkushtuar dhe humanistë në misionin e profesionin më fisnik që ekziston midis të gjitha profesioneve të tjera.
Natyrisht, universiteti i themeluar është vepër e juaja, e arritjeve tuaja të mëdha në të gjitha fushat, e konsolidimit të degëve të tij. Ndjek me shumë kënaqësi e admirim sukseset tuaja të mëdha. Sot një prej jush ka publikime më shumë, sesa kishim ne të gjithë sëbashku 30 vite më parë dhe kjo është merita e madhe e këtij zhvillimi, është merita juaj. Me përkushtim të madh, ju keni avancuar shkencat mjekësore, keni bërë që sot, sëbashku me të gjithë punonjësit e shërbimit mjekësor në vend, Shqipëria të renditet në disa nga treguesit themelorë për njeriun, në pozicionet e vendeve të zhvilluara. Natyrisht, vdekshmëria në tërësi është një tregues kompleks, por, absolutisht, një nga shkaqet më të rëndësishme të rënies së saj është eficenca e sistemit shëndetësor. Studimi më i besueshëm që ekziston sot, mbi tokë, i botuar në vitin 2010, dëshmon se shqiptarët e kanë vdekshmërinë e përgjithshme më të ulët se të gjitha vendet ish komuniste. Sistemi ynë ka mangësi e të meta, por ky sistem i garanton nënës një nga shërbimet më të mira që ekziston. Kjo ka bërë që Shqipëria për dy vite me radhë, 2008 e 2009, të ishte vendi me zero vdekshmëri amtare, tani është 8 a 9 për 100 mijë, një nga nivelet më të ulëta në botë. Një punë e jashtëzakonshme e shërbimit të pediatrisë ka bërë që më së fundi vdekshmëria foshnjore të jetë njëshifrore. Gjatë këtyre viteve, ju keni zgjeruar në mënyrën më të fuqishme diagnozën dhe metodat e mjekimit të sëmundjes.
Gjatë këtyre viteve, krahas sektorit publik, u zhvillua në Shqipëri, në kushte jo shumë të favorshme, edhe sektori privat, Sot, ky sektor ka shënuar suksese të mëdha, siç ishte transplanti i mëlçisë dhe frymëzim edhe për sektorin publik, për të ecur në këtë rrugë.
Në Fakultetin e Mjekësisë ka ekzistuar tradita e shkëlqyer e kërkimit shkencor. Pasoni i atyre burrave e grave, që formuan plejada të tëra mjekësh, ishte edhe kërkimi shkencor. Unë jam i bindur se Universiteti do të jetë një nxitje e madhe për punonjësit të tij në kërkimin shkencor. Ndaj uroj e besoj se këtë moment kulmor në reformën organizative ta shfrytëzoni për t’ju dhënë një nxitje, një shtytje të re kërkimit shkencor. Për të gjithë ne, këtu, ka qenë dhe është e qartë se asgjë nuk ka përcaktuar më shumë performancën e sistemit shëndetësor në Shqipëri, se qendra spitalore e Tiranës. Kjo është një e vërtetë, pozitive, sepse në tërësi spitalet kanë qenë lider në fushat e tyre, kanë bërë përpjekje për të vendosur standardet më të mira. Me nivelin e ri, ju keni mundësi më të mëdha për t’i dhënë tonin e mëtejshëm të gjithë performancës dhe organizimit të sistemit tonë shëndetësor. Fjala juaj dot të jetë më e fuqishme se asnjëherë.
Në organizimin tonë shëndetësor nevojitet mendimi i secilit prej jush, puna e kontributi juaj. Ndër të gjitha reformat, reforma e sistemit shëndetësor është më e vështira. Ajo jo vetëm është më e vështira, por kërkon edhe dinamizëm më të madh. Vende, të cilat pak vite më parë merreshin model për sistemin shëndetësor, sot janë në krizë dhe përpiqen ta reformojnë. Ne kemi një avantazh dhe ky avantazh është se ne mund ta bëjmë këtë reformë pa pasur presionet, ndikimet lobiste të faktorëve ekstra mjekësorë. Vendeve, të cilat janë njohur për sistemin më të mirë, sot reforma iu vështirësohet në shkallën më ekstreme nga kompanitë e sigurimeve, të cilat po bëhen gjithnjë e më të fuqishme në rolin e funksionin e tyre. Ndaj ju ftoj të konsolidojmë anët pozitive dhe ne kemi disa nga anët më pozitive, kemi aksesin në sistem ndër më të lehtit, më të shpejtët në Europë. Është në detyrën tuaj të mbikëqyrni e të mos lejoni asnjëherë që ky akses të vështirësohet, të luftoni ndaj çdo faktori që të dimë se qytetari nuk ka një radhë të gjatë pritjeje, të dimë se qytetari nuk ka një seri barrierash për t’u takuar me mjekun që duhet të takojë.
Ju duhet të bëni presion të madh mbi qeverinë për të vendosur standardet që janë të domosdoshme. Nga viti 2005 deri në vitin 2012 është rritur me 15 herë numri i të sëmurëve që përfitojnë nga dializa, por nuk mund të injorosh se është humbur kohë për transplantin. E vërteta është se kostoja është shumë më e lartë. Ne këtë vit përcaktuam fond të veçantë, por kjo mund të ishte bërë 2 a 3 vjet më parë. Unë solla këtë shembull në një sektor, por të tilla mund të keni shumë, ndaj është shumë e rëndësishme që ju të qëndroni para vendimmarrësve, në mënyrë që ata të marrin në kohë vendimet më të drejta.
Ne do të bëjmë gjithçka për përsosjen e këtij sistemi, për modernizimin e tij. Kam këtu një listë shumë të gjatë investimesh, në infrastrukturë, në teknologji dhe ju garantoj se ato do të vijnë në rritje. Ju ftoj të konsolidoni gjithnjë e më shumë rregulla të qarta midis funksionimit të sektorit privat dhe funksionimit të sektorit publik. Këto rregulla janë përcaktuese dhe të një rëndësie shumë të madhe për sektorin publik. Këto rregulla nuk duhet të jenë rrënuese për këtë sektor. Ju e dini mirë se çdo qeveri e çdo forme e ka për detyrë të parë sigurimin e shërbimit shëndetësor ndaj qytetarit, por një qeveri e një vendi të lirë nuk pengon kurrë veprimtarinë private të individit. Mbetet një kod etik i hekurt që duhet t’i impononi vetes, në mënyrë që të dy sektorët të ecin pa dëmtuar njëri-tjetrin. Të mos harrojmë se sektori publik është sektori edhe i atyre që nuk kanë dhe ata që nuk kanë, kanë të drejtë të gëzojnë të njëjtin shërbim cilësor si ata që kanë. Ndaj thirrja e kërkesa ime për ju është të bëni gjithçka për një kod etik, për standarde, të cilat bëjnë plotësisht të mundur ecjen paralel të këtyre sistemeve, por pa dëmtuar njëri-tjetrin.
Ju ftoj që krijimin e këtij universiteti, i pari në rajon, ta shndërrojmë në një qendër të fuqishme rajonale, ju ftoj të bëjmë çdo gjë që shërbimet më të avancuara t’jua ofrojmë të sëmurëve shqiptarë nga i gjithë rajoni, por edhe të tjerëve. Është një rast i artë për ju, për t’i dhënë klinikave tuaja dimensione dhe peshë që nuk e kanë pasur më parë.
Tani dy fjalë për rektoren, zonjën Jera Kruja, të cilën erdha ta paraqes dhe t’i uroj përzemërsisht detyrën e re. Rektorja Jera Kruja është një nga studentet e shkëlqyera, një nga mjeket e talentuara, një studiuese shumë e mirë e Fakultetit të Mjekësisë, në katedrën e Neurologjisë dhe spitalit. Jera, unë kam shumë kënaqësi t’ju paraqes sot dhe kjo është absolutisht merita e punës suaj të mrekullueshme, e integritetit, aftësive profesionale, morale e të gjithanshme. Natyrisht, siç e theksuat edhe vetë, ka pasur edhe të tjerë, të cilët e meritonin. Por përse Jera? Si një nderim i madh gjithashtu për të gjitha ato vajza e gra, të cilat që në ditët e para të këtij sistemi kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e tij dhe padiskutim me përkushtimin e tyre e kanë bërë këtë sistem edhe më human, edhe më të ndjeshëm, edhe më të përgjegjshëm. Unë kam shumë kënaqësi që, edhe për këtë arsye, rektorja e parë e Universitetit të Mjekësisë është Jera Kruja, një mjekje e studiuese e shquar e Fakultetit të Mjekësisë. Dua të falenderoj gjithashtu rektorin e Universitetit të Tiranës, zotin Dhori Kule. Pavarësisht nga diferenca e mendimeve, në lidershipin e tij, Universiteti i Tiranës njohu përmasa e zhvillime që nuk i ka njohur më parë. Në rast se arritëm tek Universiteti i Mjekësisë erdhëm për shkak të zhvillimeve të vrullshme që morën këto vite, degët e këtij Fakulteti. Unë isha edhe në Fakultetin Ekonomik dhe mbeta i mahnitur, kishte 7500 studentë. Duke u zhvilluar arrijmë në stade, të cilat bëjnë të mundur më pas organizime të reja. Ndaj dua t’ju falenderoj zoti rektor për punën që keni bërë, dua të falenderoj dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, t’ju falenderoj të gjithëve, pasi ky Universitet është vepër e juaja. Ju falenderoj shumë.”
14/02/2013