E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton ekspozitën e hapur me rastin e 100 vjetorit te lindjes të diplomatit suedez Raoul Wallenberg

Kryeministri Berisha vizitoi të mërkurën pasdite ekspozitën e çelur nga ambasada hungareze në nderim të 100 vjetorit të lindjes të Raoul Wallenberg, i cili njihet si diplomat, arkitekt, biznesmen dhe humanist suedez që hyri në histori për përpjekjet e tij të suksesshme në shpëtimin e rreth 100 mijë hebrenjve në Hungarinë e pushtuar nga nazistët, gjatë periudhës së fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Raoul Wallemberg shërbeu si i dërguar special në Budapest gjatë periudhës Korrik- Dhjetor 1944, kohë në të cilën ai pajisi me pasaporta mbrojtëse dhe strehoi hebrenjtë e Hungarisë në ndërtesa të përcaktuara si territor suedez, duke shpëtuar kështu me mijëra jetë njerëzore.

Për aktet e tij humane dhe kurajoze në ndihmë të komunitetit hebre të Hungarisë, Wallenberg është nderuar me shumë çmime në dekadat që pasuan pas vdekjes së tij në 1947.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto, Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Hungarisë, zoti Zsolt Nemeth, Ministri i Turizimit, Kulturës, Rinisë dhe Sportve, zoti Aldo Bumçi, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, zoti Genc Pollo, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, ambasadori hungarez në Tiranë, zoti János Huszár, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, etj.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha falënderoi nga zemra për organizmin  e këtij eventi, në kujtim të këtij njeriu të shquar, pikërisht në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Kryeministri e vlerësoi Wallenbergun, si gjeniun e kurajës dhe të humanizmit, i cili me operacionet  e tij për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore kreu aktin më human që qytetërimi ka njohur, duke u kthyer në shembull frymëzimi për të gjitha kohërat.

Në nderim të figurës së Raoul Wallenberg, kryeministri Berisha u shpreh:

 “Para së gjithash, më lejoni tu falënderoj nga zemra, zoti sekretar i shtetit, zoti ambasador, që zgjodhët Tiranën për të festuar dhe kujtuar 100 vjetorin e ditëlindjes së burrit, diplomatit Raoul Wallenberg, njeriut, i cili nderon më shumë se çdokush tjetër në kohën e tij, familjen e tij, kombin tuaj, kombin e tij, qytetërimin në tërësi.

Me veprimet e tij, Wallenbergu tregoi se ishte gjeniu i kurajës dhe i humanizmit. Në mes të terrorit, ai zgjodhi të bënte çdo sakrificë, të ndërmerrte çdo veprim për  të shpëtuar jetët e mijëra e mijëra hebrenjve. Asnjë diplomat në histori nuk kishte përdorur misionin e tij në mënyrë kaq kurajoze, kaq humane sa Raul Wallenberg. Ky është një moment për të nderuar gjithashtu të gjithë ata që e ndihmuan atë në këtë operacion kaq të madh dhe të rëndësishëm, ata të cilët nuk u përfshinë nga indiferenca  e kohës.

Wallenberg është dhe do të mbetet një burim i madh frymëzimi për të gjithë njerëzimin, është një shembull frymëzimi për të treguar se sa i mirë mund të jetë njeriu dhe sa shumë mund të bëjë ai. Me virtytet e tij, Wallenberg vuri ne rrezik gjithçka për të shpëtuar njerëzit e pafajshëm.

Zonja dhe zotërinj,

Holokausti është akti më barbar dhe çnjerëzor që ka njohur qytetërimi ynë. Ai  nisi në vitin 1933 dhe vazhdoi në mënyrë aktive deri në fund të luftës së Dytë Botërore, në të gjitha vendet  e pushtuara nga nazistët.

Holokausti ishte një akt barbar nga i cili humbën jetën më shumë se 6 milion njerëz, vetëm e vetëm për shkak të origjinës së tyre, për shkak të etnisë së tyre, vetëm sepse ishin hebrenj. Por thirrja  e Wallenbergut është një thirrje  e fuqishme për të gjithë njerëzit e mirë që të mos jenë indiferentë. Ai vetë ishte shumë aktiv, duke qëndruar në anën e më të dobtëve. Një shprehje thotë “E kundërta  e jetës nuk është vdekja, e kundërta  e jetës është indiferenca”. Ja se si të gjithë ne duhet të frymëzohemi nga ky diplomat i madh, nga ky njeri i madh për shërbimin e jashtëzakonshëm që ju bëri mijëra e mijëra hebrenjve, por edhe të gjithë qytetërimit në tërësi.

Unë jam shumë i lumtur që ne festojmë 100 vjetorin e lindjes së këtij njeriu të rëndësishëm në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është një koincidencë shumë  e bukur.

Shqiptarët që nga 1933 dhe në vazhdim nuk morën pjesë në aktin barbar të Holokaustit. Ata nuk ishin indiferentë, por hapën dyert dhe mirëpritën hebrenjtë që vinin nga vende të tjera, duke u  siguruar atyre dokumente dhe  strehë. Ata i strehuan në qytet dhe fshatrat e vendit dhe kështu unë mendoj se për ne, të nderosh Wallenbergun është një nder dhe një privilegj i madh.

Dua ta mbyll fjalën time të nderuar miq, duke lexuar disa rreshta të një prej atyre u shpëtua nga shqiptarët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, të një zonje, e cila ka shkruar këto rradhë:

“Shqipëri, Unë mendoj se ju më keni dhuruar mua shumë mikpritje, po ashtu edhe shumë refugjatëve, miqve, eksploruesve, etj .

Një ditë unë do ti them botës se sa trima, të patrembur, të fuqishëm dhe të besës janë bijtë  e tu, sesi vdekja dhe djalli nuk mund ti trembte ata, sesi ata i mbrojtën refugjatët, se si nuk i treguan ata tek pushtuesi, madje edhe po të humbisnin jetën e tyre.

Shqiptarë, dyert e vendit tuaj të vogël mbetën të hapura, autoritetet tuaja shtetërore mbyllnin sytë kur ishte e nevojshme, duke u dhënë kështu njerëzve të varfër dhe të persekutuar një shans tjetër për ti mbijetuar aktit më barbar të të gjitha kohërave.

Shqipëtarë, ne mbijetuam dhe kjo vetëm për shkak të humanizmit tuaj dhe ne ju falënderojmë.” Këto pra ishin fjalët e kësaj zonje  e cila si mijëra hebrenj të tjerë u shpëtua nga shqiptarët.

Wallenbergët nuk ishin të shumtë në numër, por ata ishin kudo, për të bërë atë një qënie njerëzore duhet të bëjë.

Ju falemniderit!


30/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›