E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret deputetë të grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, në Bundestag

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një grup deputetësh të Bundestagut gjerman, anëtarë të grupit të miqësisë Gjermani-Shqipëri, të kryesuar nga kryetari i këtij grupi, zoti Peter Weiss.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shprehu deputetëve gjermanë mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e çmuar që Bundestagu, qeveria dhe kombi mik gjerman i kanë dhënë Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe. Projektet e financuara nga qeveria gjermane, tha Kryeministri, janë shtrirë në të gjithë vendin dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar dhe të drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Zoti Weiss e falenderoi përzemërsisht Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore, duke i shprehur vlerësimin, edhe në emër të kolegëve të tij, për progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve. Në veçanti, deputetët gjermanë vlerësuan zhvillimin e konsiderueshëm të ekonomisë së vendit, por edhe nismat ligjore që janë miratuar, të cilat i korrespondojnë standardeve europiane.    

Në takim u diskutua edhe për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe. Kryeministri Berisha theksoi disa nga arritjet e rëndësishme në të gjitha fushat, duke u ndalur veçanërisht në fushën e shëndetësisë, të arsimit, arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, realizimit të standardeve për qeverisje të mirë, por edhe në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, përfshi ndërtimin e mbi 8 mijë kilometra rrugë apo projekte të tjera që kanë bërë të mundur që ekonomia shqiptare, pavarësisht krizës që po përjeton Europa, të realizojë një rritje rreth 4 herë më të lartë se mesatarja e rajonit.  

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, vijon të mbështesë politikat sociale, duke e rritur faturën sociale në buxhetin e shtetit në 9 përqind të GDP-së, çka ka bërë të mundur që Shqipëria të realizojë edhe rritje të rrogave e pensioneve, duke e renditur atë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Këto dhe reforma të tjera, vijoi Kryeministri, kanë pasur si qëllim të vetëm arritjen e standardeve dhe kërkesave të procesit të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, si projekti më madhor kombëtar, i cili, në radhë të parë, është një proces që përmirëson drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, Kryeministri rikonfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare, për të ecur para me të gjitha reformat dhe plotësuar të gjitha standardet që Shqipëria të meritojë hapat e mëtejshëm, përfshirë edhe statusin e vendit kandidat.

Anëtarët e Bundestagut gjerman, pasi vlerësuan rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe, i rikonfirmuan Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Gjermanisë, në të gjitha përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe integrimin e tij sa më të shpejtë në Bashkimin Europian.  

Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet në rajon.  


31/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›