Këshilli Koordinues i Diasporës takime me Begajn dhe Ramën: Të garantohet e drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë

Këshilli Koordinues i Diasporës gjatë vizitës së tyre në Tiranë kanë zhvilluar takime me krerët e lartë të shtetit, si presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, si dhe me përfaqësues të mazhorancës dhe partive opozitare.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua puna e bërë dhe prioritetet e Këshilli Koordinues i Diasporës. KKD mirëpriti bashkëpunimin e palëve në çështjen e votës së diasporës si dhe përkrahjen e tyre ndaj interesave të diasporës shqiptare dhe mundësimin e të drejtave të saj.
“Një nga prioritetet tona kryesore është mundësimi i votimit nga jashtë Shqipërisë për shtetasit shqiptarë, e drejtë kjo që garantohet me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor. Ne theksuam se si KKD jemi pjesë e grupit të punës të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (“KQZ”) për votimin nga jashtë dhe se jemi duke e përcjellur nga afër procesin e mundësimit të kësaj të drejte themelore nga KQZ. Në të gjitha takimet kërkuam që palët ta përkrahin punën e KQZ-së në këtë proces duke ofruar bashkëpunimin e tyre kur ky bashkëpunim iu kërkohet atyre nga KQZ. Të gjitha palët shprehën mbështetjen e tyre për mundësimin e votës së diasporës dhe u zotuan se do të ndërmarrin hapat e duhur në këtë drejtim”, shkruan KKD.
KKD thekson se do të vazhdoj të jetë zëri i diasporës shqiptare dhe do të punoj që të drejtat e diasporës shqiptare të respektohen.
/rtsh.al/