Këshilli Veri-Atlantik kërkon heqjen e barrikadave në veri të Kosovës

Në një deklaratë të bërë për shtyp, Këshilli Veri-Atlantik, ka bërë të ditur se është zhvilluar një diskutim me partnerët dhe aleatët e NATO-s për situatën në Veri të Kosovës. “Jemi thellësisht të shqetësuar për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, të cilën ne vazhdojmë ta monitorojmë me kujdes. Dhuna e ushtruar ndaj KFOR-it është e papranueshme dhe ne dënojmë atë”, thuhet në komunikatë. Më tej, në këtë komunikatë të bërë për shtyp thuhet se alenaca mirëpret deklaratën e Presidentit serb, Boris Tadiç dhe thuhet se kjo duhet të pasohet nga veprime konkrete. “Ne kërkojmë nga të gjitha palët që ta mbajnë situatën nën kontroll dhe të bashkëpunojnë plotësisht me të gjithë aktorët ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet lëvizja e lirë pa ndonjë shtyrje”. “Aleatët e NATO-s dhe partnerët e KFOR-it u bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit të vazhdojnë me pjesëmarrjen e tyre konstruktive në dialogun e mbikëqyrur nga Bashkimi Europian”, shtohet më tej në komunikatë.