E Diel, 1 Nëntor 2026

Agroturizmi “Nëna Dashuri” në Dibër mirëpret vizitorë nga e gjithë bota

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Agroturizmi “Nëna Dashuri” në Dibër është kthyer në një destinacion tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj, duke ndërthurur mikpritjen shqiptare, gastronominë tradicionale dhe produktet e fermës.

Kryeministri Edi Rama përcolli mbrëmjen e sotme pamje nga bujtina “Nëna Dashuri” në Peshkopi, sipërmarrje e nisur si biznes familjar dhe që tashmë pret turistë.

“Agroturizimi “Nëna Dashuri” mirëpret vizitorë nga e gjithë bota, të cilët njihen nga afër me traditat, mikpritjen dhe gatimet tradicionale të Peshkopisë. Kjo sipërmarrje ka një kapacitet prej 8 dhomash dhe bashkëpunon me mbi 100 familje fermerësh të zonës, duke sjellë në tryezë produkte të freskëta dhe gatime tipike vendase, ku veçohen jufkat dibrane”, shkruan Rama.

I vendosur në një zonë me potencial turistik, agroturizmi “Nëna Dashuri” u ofron vizitorëve një përvojë autentike përmes gatimeve të përgatitura me produkte të freskëta vendase, ambienteve natyrore dhe traditave të ruajtura ndër vite.

Përveç shërbimit gastronomik “Nëna Dashuri” promovon edhe bujqësinë dhe blegtorinë lokale, duke mbështetur prodhuesit e zonës dhe zhvillimin e ekonomisë rurale. Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me procesin e prodhimit të ushqimeve tradicionale dhe jetën në fermë.

Zhvillimi i agroturizmeve konsiderohet një kontribut i rëndësishëm në diversifikimin e ofertës turistike të Shqipërisë, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe duke nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

Me shtimin e interesit për turizmin e natyrës dhe kulinarisë, agroturizmet po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë që kërkojnë përvoja autentike dhe produkte tradicionale shqiptare.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›