E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Europës: Të vendoset dialogu politik

Integrimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është bllokuar prandaj opozita dhe maxhoranca duhet të vendosin dialogun dhe të zgjidhin krizën. Ky është raporti i hartuar nga dy reporterët e Këshillit të Evropës Davit Uilshare dhe Jaakko Laasko të cilët vizituan Shqipërinë në fillim të nëntorit të vitit të kaluar. Në një raport prej 14 faqesh, asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës thekson se e sheh me keqardhje krizën politike dhe institucionale e cila ka paralizuar politikën shqiptare pas zgjedhjeve.
"Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE në 28 prill, dhe në 16 nëntor kjo kërkesë është pranuar, por në këtë situatë progresi i vendit në integrimin drejt BE-së është bllokuar. është domethënëse se Shqipëria ndryshe nga fqinjët e saj nuk ka përfituar ende nga liberalizimi i vizave", shkruhet në raportin e hartuar nga përfaqësuesit e KE-së Uilshire dhe Laakso.
"Në një parlament ku maxhoranca qeverisëse nuk ka shumicën e nevojshme prej 3/5 , ky bojkot bën të parealizueshme reformat dhe kjo situatë dëmton qytetarët si dhe ambiciet për integrim në Be" konstaton raporti i Asamblesë Parlamentare të KE-së.
Gjithashtu në këtë raport Asambleja vëren se mungesa e dialogut veçanërisht pas zgjedhjeve është një problem i përsëritur në Shqipëri, problem i cili dëmton funksionimin e instituicioneve.
Përmes këtij raporti duke nënvizuar të gjithë problemet që ka sot politika shqiptare, asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës kërkon më shumë përgjegjshmëri nga klasa politike. Ajo ka kërkuar në mënyrë specifike nga maxhoranca të ngrejë një komision parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit dhe nga opozita t'i japë fund bojkotit.
"Asambleja nxit qeverinë dhe opozitën t'i japin fund krizës politike dhe të marrin përgjegjësinë e tyre për të proceduar me reforma dhe të shënohet progress në integrimin europian një qëllim i përbashkët për të gjithë.
Në mënyrë të veçantë nxitet qeveria të ngrejë pa vonesë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit dhe nga ana tjetër nxitet opozita të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë në atë që është detyra e saj.
Asambleja kërkon që autoritetet shqiptare të zbatojnë rekomandimet që erdhën pas zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe të realizojnë ndryshimet ligjore në bashkëpunim me komisionin e Venecias. " shkruhet në raportin e KE-së.
Gjithashtu asambleja ka vendosur t'i kërkojë Presidentit Topi që nëse ka një hapësirë që ai të bëjë perpjekjet e tij për të zgjidhur situatën.

Ky raport vjen kur sapo ka filluar sesioni i ri parlamentar, dhe opozita ka hyrë në muajin e 5 të bojkotit dhe ndërkaq nga asnjë prej palëve nuk kanë ardhur sinjale për nisjen e një dialogu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›