E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria nuk ka fakte të vërtetojë pafajësinë

 
 
Kreu socialist thotë se opozita kërkon nxjerrjen e përgjegjësive për shkaktarët e përmbytjes. Apel shqiptarëve që të bashkohen në protesta
 
 
Kreshnik KUçAJ
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje, se qeveria dhe mazhoranca aktuale po tentojnë të fshehin përgjegjësitë e shkaktarëve të përmbytjeve në Shkodër, vetëm me deklarata arritjesh, pa pasur fakte që vërtetojnë të kundërtën. Duke iu referuar deklaratave të mazhorancën në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, ku fatkeqësia në Shkodër u cilësua si natyrore dhe jo njerëzore, Rama tha se përmbytja nuk u shkaktua nga “dora e Zotit”, por nga “dora e robit dhe e qeverisë”. “Në vend të fakteve vetëm gënjeshtra, në vend të provave vetëm vetëlavdërime, në vend të argumenteve vetëm sajesa dhe më keq akoma, sulme ndaj opozitës. Duke filluar nga gënjeshtra se opozita e kishte kërkuar atë mbledhje të seancës së sotme (djeshme), ndërkohë që media është e mirinformuar se këtë seancë e dikton Kushtetuta. Ne vetë e kemi bërë të qartë jo më larg se dje (pardje), se nuk kemi kërkuar asnjë lloj mbledhjeje të Kuvendit. Kërkojmë me forcë dënimin e atyre që e shkaktuan këtë fatkeqësi”, tha Rama nga selia rozë. Duke e cilësuar përmbytjen në Shkodër si “Gërdeci i Ujit”, kreu socialist tha se kjo është tragjedia e tretë e shkaktuar nga qeveria brenda 20 muajve të fundit. Rama përmendi shpërthimin në Gërdec, shembjen e tunelit të Kalimashit dhe përmbytjet në Shkodër, si tragjeditë për të cilat mazhoranca është shkaktare dhe që opozita do të kërkojë me forcë dënimin e përgjegjësve. “Vriten njerëz në Gërdec, qeveria thotë Gërdeci voton për ne. Shemben tunelet në Kalimash, s’ka gjë, marrim të tjera borxhe nga xhepi juaj o shqiptarë! Zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë: Zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton”, tha Rama. Kryetari i Partisë Socialiste iu referua provave që disponon forca e tij për rolin e qeverisë në përmbytje, ndërsa kërkoi reagimin e institucioneve të drejtësisë, për të mos lejuar që ngjarja të mbyllet pa përgjegjësitë respektive. Rama tha se qeveria nuk disponon asnjë provë që të vërtetojë se nuk është përgjegjëse e përmbytjeve. Ai u bëri apel shqiptarëve që të bashkohen në protesta, për të mos lejuar vijimin zinxhir të fatkeqësive, për të cilat shkaktare është mazhoranca dhe qeveria aktuale. “I bëj thirrje ndërgjegjes së shqiptarëve, që të shohin dhe të dëgjojnë duke u munduar të kuptojnë të vërtetën dhe për të mos lejuar që ky regjim i gënjeshtrës të mbysë nesër gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar një tjetër ngjarje të rëndë në këtë zinxhir fatkeqësish që nuk janë rastësi, por janë thjesht dhe vetëm shprehje e kalbëzimit të plotë të shtetit dhe e babëzisë së plotë të pushtetit”, vijoi Rama. Duke kërkuar hetimin e ngjarjes dhe përgjegjësitë ligjore për shkaktarët e përmbytjes, Rama tha se, në rast se edhe kësaj here nuk ndëshkohen përgjegjësitë, atëherë kjo do të shënonte një turp për drejtësinë shqiptare. Rama përmendi faktin, se kryeministri Sali Berisha u premton dëmshpërblim banorëve të përmbytur me taksat e shqiptarëve. “Nëse abuzimi me fatkeqësinë që i shkaktuan Shkodrës për të sulmuar opozitën është turp i radhës për Saliun e Jozefinën, mosndëshkimi i këtij “Gërdeci Uji” do të ishte turp i radhës për drejtësinë, që i ka lënë shqiptarët në mëshirën e pushtetit të tyre. është i treti dëm kolosal që i është shkaktuar këtij vendi, është e treta herë që i gjithë populli duhet të paguajë për këtë dëm, ndërkohë që për të tretën herë drejtësia shqiptare është e sfiduar nga një pushtet i korrupsionit dhe i paaftësisë, që rrezikon për gjithë Shqipërinë të dalë përsëri i palagur. Sali Berisha shkatërron dhe populli paguan”, tha Rama.
 
 
 
Balla: Korrupsioni me energjinë përmbyti Shkodrën
Partia Socialiste përsëriti dje bindjen e saj, se përmbytjet në Shkodër kanë si fajtore qeverinë. Deputeti Taulant Balla tha se tejmbushja e hidrocentraleve mbi lumin Drin synonte afera të dyshimta shitjeje të energjisë. Ai përsëriti se përmbytja e Shkodrës ka ardhur nga korrupsioni me blerjet dhe shitjet e energjisë, ku janë të përfshirë njerëzit më të afërt të kryeministrit Sali Berisha. Sipas deputetit socialist, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dispononte informacion të plotë, që do të kishte reshje dhe temperatura të larta që do të shkrinin borën. “Kemi kartërfishim të prurjeve në kaskadë dhe kemi katër herë ulje të prodhimit të energjisë. Ka vetëm një arsye se përse u përmbyt Shkodra: korrupsioni me blerjet dhe shitjet e energjisë, ku janë të implikuar njerëzit më të afërt të Sali Berishës. KESH kishte informacion të plotë, që në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit dhe dhjetëditëshin e parë të janarit do të kishte reshje, do të kishte temperatura pranverore që shkrijnë dëborën e maleve. Këtu kanë hyrë në lojë interesat e familjes kryeministrore. Sepse në një kohë që prurjet trefishohen, ulet me katër herë dhe pesë herë prodhimi i energjisë. Një qeveri e përgjegjshme dhe e aftë, duke parë shtimin e prurjeve dhe kalimin e normës së lejuar në digat e vendit, do të kishte nisur menjëherë prodhimin e energjisë. Por kjo nuk ndodhi me qeverinë e votave të vjedhura të Sali Berishës”, tha Balla. Sipas tij, qeveria injoroi me dashje parashikimin e motit, dhe në vend që uji të shkarkohej duke prodhuar energji, Berisha dhe ministri Dritan Prifti vazhduan të mbledhin edhe më shumë ujë, duke ulur prodhimin e energjisë, ndërkohë që vazhdonte importi. Në këtë mënyrë, sipas deputetit socialist, u vu në rrezik siguria e digave dhe më pas uji i miliona eurove energji u kthye në tmerrin e mijëra banorëve të Shkodrës. “Pra, e thënë shkurt dhe qartë, Sali Berisha dhe Dritan Prifti kanë ulur me qëllim prodhimin për përqindjet e tenderëve të blerjeve të energjisë. Kjo është e vërteta e përmbytjeve. Shkodrën nuk e mbyti Zoti, po robi Sali. Shkodrën e përmbyti korrupsioni dhe papërgjegjshmëria. Ky është kulmi i papërgjegjshmërisë. E ç’mund të presim tjetër nga një drejtor KESH-i - inxhinier tekstilesh, një ministër energjetike - mësues anglishteje apo një kryeministër - doktor i sëmurë”, përfundoi Balla.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›