Këshilli i Europës: Opozita të kthehet në Kuvend

Komisioni për Respektimin e detyrimeve dhe angazhimeve nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës në një raport të publikuar për funksionimin e intitucioneve demokratike në Shqipëri, i ka bërë thirrje opozitës dhe maxhorancës në Shqipëri, që të nisë menjëherë dialogun, dhe secila palë të marrë përgjegjësitë për realizimin e reformave të rëndësishme. Pjesë e këtij komisioni raportuesish janë Jako Laakso nga Finlanda, Grupi i majtë i evropianëve të Bashkuar, dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar, Grupi Demokratik Evropian.
Në raportin e Këshillit të Europës thuhet se opozita duhet të kthehet në Kuvend dhe të marrë përgjegjësitë e saj, ndërkohë që maxhoranca të ngrejë një komision hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të shkuar.
Më tej në raport thuhet se autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor zgjedhor, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Ky komision kërkon nga presidenti i Republikës, Bamir Topi që të ndërmjetësojë për të ndihmuar në arritjen e një konsensusi për t'i dhënë fund bojkotit të opozitës, për zgjidhjen e problemeve të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ndërkohë ky raport do të diskutohet më 28 Janar ora 15.00 në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Evropës në Strasburg.