Këshilli i Evropës: Shqipëria në rrezik nga pastrimi i parave
Moneyval, një strukturë e Këshillit të Europës që merret me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, ka hartuar një raport për posaçëm për Shqipërinë, që është publikuar sot. Në raport thuhet se vendi ynë është në rrezik nga pastrimi i parave. Raporti është hartuar për shkak se Shqipëria është anëtare e Moneyval.
Edhe pse Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, rreziku nga pastrimi i parave mbetet i lartë. Shqipëria ka një histori të krimit të organizuar me rrjete të organizuara në baza klanore dhe hierarkike, të përqëndruara kryesisht në trafikun e drogës. Ekonomia informale e bazuar tek paratë cash lehtëson pastrimin e parave dhe integrimin e të ardhurave të krimit. Një numër sektorësh të identifikuar me praktika joligjore, përfshi bixhozin, këmbimin valutor dhe transportin ndërkufitar të monedhave, e vendosin Shqipërinë në rrezik për aktivitetin e pastrimit të parave, thuhet në raport.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet në raport sërish përdorimit të parave cash në ekonomi, duke theksuar se ato pengojnë zbatimin e masave në luftën kundër pastrimit të parave.
Një problem tjetër është edhe financimi i terrorizmit.
Shqipëria gjithashtu mbetet në rrezik sa i përket financimit të mundshëm të aktiviteteve terroriste. Në pjesën e parë të viteve 2000 ka të dhëna për ngrirjen e aseteve të financuesve të terrorizmit, ndërprerjen e aktiviteteve të OJQ-ve islamike dhe dëbimi i individëve të dyshuar si me lidhje me terrorizmin, thuhet në raport.
Në raport theksohet se edhe pse me ligj është kriminalizuar pastrimi i parave, ka shumë pak raste të dënimit për pastrim parash.
Një nga rastet më të pastra e më të rënda të pastrimit të parave është denoncuar nga gazeta Tema. Bëhet fjalë për një transfertë ku implikohej Damir Fazlliç dhe e bija e kryeministrit. Prokuroria nisi hetimet, por më pas i ndërpreu ato. Bëhej fjalë për shitjen e një kompanie pa asnjë aset të Damir Fazlliç për 1.7 milion euro në Qipro. Firma e Argita Malltezit kreu tërheqjen e parave.