Ethet e kromit, greva e minatorëve dhe lotët e Berishës
Sot është dita e katërt e protestës së minatorëve të Bulqizës. Ministria e Ekonomisë ka dërguar një ekip për tu takuar me minatorët. Madje, madje ministria ka deklaruar se do bëjë kontrolle për firmën ACR. Çudi! A nuk duhej të ishin bërë kontrollet më parë? Nejse, shfaqja vazhdon. Minatorët e gjorë do takohen me ta e me përfaqësuesit e firmës, do marrin ndonjë premtim, do mbyllin grevën dhe pas ca kohësh sërish do ketë ndonjë grevë pasi gjërat nuk do ndryshojnë. Përse? Sepse ata e dinë mirë se ethet e kromit kanë kapur qeverinë. Ata e dinë se këto gjëra nuk zgjidhen nëse nuk ekziston vullneti i kryeministrit, i cili kur ishte në opozitë nxirrte lot krokodili për minatorët që shuheshin në kushte të vështira pune, dhe tani që atje është bërë si një Perëndim i Largët, nuk flet asnjë fjalë. Turpi më i madh është se babëzia për atë mineral ka prodhuar një skemë të tmerrshme abuzimi. Kështu, një kompani merr të drejtën për shfrytëzim dhe ua shet të tjerëve. Është një fitim marramendës pa bërë asgjë. Ndërsa qeveritarët fërkojnë duart, minatorët vuajnë dhe pretendojnë se do i zgjidhin problemet nga Bulqiza. Jo, problemet nuk i zgjidhin dot aty, por në Tiranë, tek kryeministri me lot krokodili.