Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Leka Zogut të Parë
“Mbreti Leka, në të gjithë jetën e tij në mërgim, ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, më Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodheshin.”
“Në ligjin e parlamentit, përcaktohet detyrimi i përfshirjes në Protokollin Shtetëror të Familjes Mbretërore.”
Kryeministri Berisha shprehu sot ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta në moshën 72 vjeçare, të Leka Zogut të Parë, duke e vlerësuar si “një prej personaliteteve më të mëdha” të historisë politike të shqiptarëve.
Duke folur në hapje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri njoftoi se në bazë të ligjit, përcjellja e Lekës së Parë do të bëhet me nderimet e atributet që i përkasin një Mbreti jo në detyrë. Për organizimin e ceremonisë krijohet komisioni shtetëror i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, i përbërë nga ministri i Kulturës, ministri i Mbrojtjes, një seri personalitetesh dhe përfaqësues të Oborrit Mbretëror. Dita e shtunë shpallet ditë zije kombëtare.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot në mëngjes ndërroi jetë Mbreti i shqiptarëve, Leka i Parë, në moshën 72 vjeçare. Kjo është një humbje e madhe për kombin, për vendin.
Leka i Parë u kurorëzua Mbret në prill të vitit 1961, pas vdekjes së Mbretit Zogu i Parë. Ai u largua foshnje nga Shqipëria, vetëm dy ditë pas lindjes, por u rrit dhe u mbrujt me dashuri të pakufishme për vendin dhe kombin. Mbreti Leka, në të gjithë jetën e tij në mërgim, ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi e kudo që ndodheshin. Ishte frymëzues i tyre në këtë betejë. Pas hapjes së vendit, në vitin 1997 u dekretua nga Presidenti i Republikës referendumi popullor, për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë e përzgjedhjes së tyre.
Dua të them këtu se mohimi i të drejtës së Mbretit për kthim në Shqipëri ishte një nga veprimet më arbitrare të Enver Hoxhës dhe klikës së tij. Mbreti Zog u largua nga Shqipëria ashtu siç u larguan mbretërit e tjerë, nga mbretëritë e pushtuara nga forcat nazifashiste. Por Mbreti Zog qëndroi në të gjithë kohën, në anën e koalicionit antifashist. Në 7 prill 1939, forcat dhe mbështetësit e tij, të udhëhequra nga Abaz Kupi, luftuan me trimëri në portin e Durrësit. Më pas, forcat mbretërore, sërish të udhëhequra nga Abaz Kupi, vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të saj. Natyrisht, lufta nacionalçlirimtare mori edhe aspektin e saj vëllavrasës, siç dëshmojnë dokumente të panumërta dhe kjo vëllavrasje kishte vetëm një qëllim, të garantonte me çdo kusht Enver Hoxha pushtetin. Por legalistët, mbretërorët luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët nazifashistë, gjatë të gjitha viteve të pushtimit. Përpjekjet e tyre, pas vendosjes së diktaturës në Shqipëri, ishin të pandërprera.
Në vitin 2003, parlamenti shqiptar votoi ligjin, ku i njeh atributet familjes mbretërore dhe ky ishte një vendim shumë i drejtë. Dua të theksoj se edhe referendumi u bë në flakët e rebelimit komunist dhe nuk mund të konsiderohet si një çështje e mbyllur. E vërteta është se padiskutim në atë referendum dominoi parimi stalinist: ju votoni, numërimin e votave jua bëj unë. Por ajo që është reale, shqiptarët votuan masivisht, nga Konispoli në Vermosh, për mbretin e tyre. Referendumi nuk e kapi kuotën, por atë e përcaktuan ata, të cilët manipuluan dy javë rresht votat e referendumit.
Sot është një ditë e veçantë, ditë tjetër, në të cilën shqiptarët humbën një nga personalitetet më të mëdha të historisë së tyre politike. Në ligjin e parlamentit, përcaktohet detyrimi i përfshirjes në Protokollin Shtetëror të Familjes Mbretërore dhe ky ka qenë një vendim shumë i drejtë. Ndaj vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka i Parë me nderimet e atributet që i përkasin një Mbreti jo në detyrë. Për këtë qëllim, krijohet një komision shtetëror i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, zoti Haxhinasto, i përbërë nga ministri i Kulturës, ministri i Mbrojtjes dhe një seri personalitetesh, ku do të jenë edhe përfaqësues të Oborrit Mbretëror. Dita e shtunë do të jetë zi kombëtare me të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror. Për të nderuar kujtimin e mbretit Leka, unë ftoj anëtarët e Këshillit të Ministrave të mbajë një minutë heshtje.”
30/11/2011