Këshilli i Ministrave nderon me një minutë heshtje jetët e humbura në aksidentin e 21 majit
Këshilli i Ministrave e nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim dhe respekt të jetëve të humbura në aksidentin e 21 majit në Qafën e Vishës, në Himarë.
Kryeministri Berisha, në emër të qeverisë shqiptare rishprehu ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin më të lartë, familjeve të viktimave të aksidentit tragjik, si dhe përcolli lutjen që ata të gjejnë forcën dhe kurajën për të përballuar dhimbjen e rëndë shkaktuar nga humbja e njerëzve më të dashur.
Kryeministri uroi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve dhe garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për shërimin dhe rehabilitimin e tyre të plotë.
Kryeministri falënderoi sërish qytetarët e Himarës për humanizmin dhe angazhimin në shpëtimin e jetëve njerëzore, si dhe ekipet mjekësore të spitaleve të Himarës, Vlorës, Sarandës dhe Tiranës për mobilizimin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në dhënien e ndihmës profesionale mjekësore të mbijetuarave nga aksidenti.
Kryeministri vlerësoi si një akt fisnik humanizmi, dhurimin e gjakut nga qindra e qindra qytetarë nga Shqipëria, por edhe nga Kosova e Maqedonia, si shenjë solidariteti njerëzor për të aksidentuarit.
Kryeministri kërkoi me këmbëngulje që pas përfundimit të hetimit të plotë për shkaqet e aksidentit, të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë përkatëse të shqyrtojnë për ndërmarrjen e çdo mundësie apo mase që do të ndikonte në parandalimin e aksidenteve të këtij lloji, duke përcaktuar kushte dhe rregulla më të veçanta për transportin e organizuar të nxënësve dhe studentëve, si dhe të përcaktohen detyrimet e respektimit të tyre.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Ne mblidhemi sot pas aksidentit tragjik të datës 21 maj në të cilin humbën jetën 14 të reja, ndër të cilët 12 vajza dhe i fejuari një vajze e cila është sot në spital dhe shoferi i autobuzit, dhe ku u plagosën 22 të tjerë me trauma të gravitetit të ndryshëm.
Edhe një herë në emër të qeverisë dëshiroj të shpreh ngushëllimet me te thella, solidaritetin më të lartë familjeve të viktimave të këtij aksidenti tragjik, të lutemi që ato të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe dhe të rëndë të shkaktuar nga humbja e jetës së vajzave të tyre, të njerëzve te tyre me te dashur, të urojmë të plagosurve, të traumatizuarve të këtij aksidenti shërim të shpejtë dhe të garantojmë se qeveria do të bëjë gjithçka për shërimin e tyre të plotë dhe sa më të mirë.
Dua të falënderoj sërish në emër të qeverisë të gjithë ata gra dhe burra, të rinj që me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhuan në dhënin e ndihmës së shpejtë, në përballimin e kësaj emergjence shumë të rëndë. Dua të falënderoj banor e Himarës për reagimin e tyre njerëzor shumë të shpejtë, ndihma e të cilëve ka qenë shumë e rëndësishme në shëndetin e mëtejshëm të traumatizuarve. Dua të falënderoj mjekun e Himarës dhe punonjësit e shëndetësisë së Himarës, të gjithë ekipet shëndetësore që u nisën drejt Himarës, punonjësit e shëndetësisë së Sarandës, Vlorës së Tiranës që u nisën drejt Himarës, ekipin e spitalit ushtarak ekipin e urgjencës së këtij spitali dhe ekipe të tjera. Dua të falënderoj dhjetëra e qindra qytetarë të cilët në një akt fisnik humanizmi u paraqitën para spitaleve tona, por edhe ne Kosovë e Maqedoni për të dhënë gjak dhe për të ndihmuar të plagosurit. Dua të falënderoj ekipet e helikopterëve të cilët funksionuan në mënyrë të shkëlqyer. Le tu urojmë edhe njëherë ne, shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
Aksidenti është nën hetim dhe një hetim i plotë dhe i gjithanshëm duhet të behet. Është e parakohshme të flitet në mënyrë përfundimtare për shkakun e tij, por ajo që ka një rëndësi kapitale është që ministritë e linjës, ministria e brendshme, ministria e transportit, ministria e arsimit duhet të merren me të gjithë këtë problematikë. Ne kemi rregulla të caktuara për udhëtimin e nxënësve, studentëve në dy e më shumë autobuzë, por mendoj se është e domosdoshme që pas përfundimit të hetimeve të plota për këtë aksident, ndër më tragjikët në historinë e vendit, të nxirren të gjithë përfundimet, në mënyrë që transporti i organizuar nxënësve dhe studentëve të ketë kushte dhe rregulla më të veçanta. Të përcaktohen qartë detyrimet e respektimit të tyre. Natyrisht ajo që ndodh nuk kthehet, por është detyrë e të gjithë institucioneve ta studiojnë rastin konkret që të mund të përcaktojnë kushte dhe rregulla që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre, kushte dhe rregulla komplekse. Duhet të bëjmë gjithçka që një seri rregullash dhe kushtesh për transportin e nxënësve dhe studentëve që të jene operative dhe te zbatueshme.
Natyrisht fjalën për shkakun kryesor të këtij aksidenti do ta japi ekspertiza, prokuroria, policia rrugore dhe të gjithë ato institucione që po merren me hetimin e tij , por në këtë kontekst dhe më gjerë të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë duhet të shqyrtojnë për ndërmarrjen e çdo mundësie apo mase që do të ndikonte ne parandalimin e aksidenteve të këtij lloji.
23/05/2012