E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave vendos për ndërtimin e “Mauzoleut të Nënës Mbretëreshe”

Këshilli i Ministrave me dy vendime të posaçme të miratuara në mbledhjen e sotme, vendosi për kthimin e armëve të Skënderbeut të Muzeut Kombëtar me rastin e100 vjetorit, për një kohë të caktuar. “Në këtë mënyrë shqiptarët të mund ti vizitojnë dhe mund të mund të shohin nga afër armët e princit të tyre të përjetshëm”, u shpreh kryeministri.

Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se me një fond të posaçëm do të financohet ndërtimi i një Mauzoleumi për familjen mbretërore, duke respektuar në këtë mënyrë këto figura të rëndësishme për kombin shqiptar dhe duke u rikthyer atyre nderin e nëpërkëmbur nga diktatura komuniste. “Dihet se në një akt barbar Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të nënës Mbretëreshë, për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit burrin që i ndërtoi shtetin shqiptarëve, Ahmet Zogun. Mauzoleu do të jetë më i madh se sa cishte varri i Nënës Mbretëreshe, sepse aty do të prehen Mbreti vetë, do të prehet Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij, pra tani do të jetë një varrezë mbretërore.”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri qartësoi se përpjekja për të rivlerësuar figurat historike kombëtare, nuk do të thotë aspak se figura të tjera historike do të errësohen “Ka një keqkuptim në të gjithë përpjekjen tonë ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm të nxjerrim në shesh të vërtetat e mëdha dhe në qoftë se një figurë e baltosur në mënyrën më të pamerituar dhe  e nxjerrë  jashtë historisë kombëtare, hyn në histori, kjo nuk do të thotë aspak se të tjera figura errësohen. Kjo nuk do të thotë se kalohet në idealizma të pamerituara.” u shpreh kryeministri.

Duke folur për vendimet e mësipërme, kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot ne vendosim me dy vendime procedurën e kthimit të armëve të Skënderbeut të Muzeut Kombëtar me rastin e 100 vjetorit, për një kohë të caktuar, në mënyrë që shqiptarët të mund ti vizitojnë, të mund të shohin nga afër armët e Princit të tyre të përjetshëm. Me këtë rast dua të falënderoj me shumë mirënjohje, Kancelarin e Austrisë, Ministrin e Kulturës, Fondin Shqiptaro-Amerikan dhe kompaninë Unica dhe ministrin e jashtëm austriak për të gjithë dashamirësinë që treguan dhe angazhimin e tyre në këtë proces jashtëzakonisht me një fuqi të madhe simbolike. Skënderbeu është ikona e qenies shqiptare, e identitetit të tyre, e krenarisë së tyre, e qëndresës së tyre, ndaj dhe me këto dy vendime merren të gjitha masat   e nevojshme për administrimin e tyre në Muzeun tonë Kombëtar për një periudhë kohe të caktuar.

Gjithashtu, me një fond ne vendosim të financojmë ndërtimin e Mauzoleut të familjes mbretërore. Dihet se në një akt barbar Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të nënës Mbretëreshë, për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit burrin që i ndërtoi shtetin shqiptarëve, Ahmet Zogun. Ky ishte shpërblimi që kjo nën shqiptare meritoi, ti minohen me dinamit kockat nga një paranojak që do të cilësohej si diktatori më gjakësor i pasluftës. Mauzoleu do të jetë më i madh se sa cishte varri i Nënës Mbretëreshe, sepse aty do të prehen Mbreti vetë, do të prehet Mbretëresha Geraldinë, Leka i Parë dhe bashkëshortja e tij, pra tani do të jetë një varrezë mbretërore. Natyrisht ky vend është dhe do të mbetet Republikë, por gjykoj se parlamenti shqiptar dhe këtu gjykoj i tërë spektri politik shqiptar me disa ligje dhe vendime të marra ka mbajtur një qëndrim të drejtë, ka hedhur poshtë Kongresin  e Përmetit dhe ka bërë korrigjime në historinë  e vendit, Forcat politike ranë dakort për në referendum për Mbretin dhe unë mendoj se ky ishte një vendim historik i drejtë i të gjithë spektrit politik, me të cilin abrogohej përfundimisht Kongresi i Përmetit dhe më vonë një ligj u kalua në parlament, ku familja mbretërore vlerësohet në mënyrë të veçantë në protokollin e shtetit dhe tani ky vendim duhet të miratohet për të finalizuar tërësisht statusin e një historie reale të shqiptarëve.

Ka një keqkuptim, në të gjithë përpjekjen tonë, ne nuk bëjmë gjë tjetër vetëm të nxjerrim në shesh të vërtetat e mëdha dhe në qoftë se një figurë e baltosur në mënyrën më të pamerituar dhe  e nxjerrë  jashtë historisë kombëtare, hyn në histori, kjo nuk do të thotë aspak se të tjera figura errësohen. Kjo nuk do të thotë se kalohet në idealizma të pamerituara. Historinë e kemi një histori qëndrese, por edhe probleme kemi patur, sepse kështu e kemi patur historinë me qëndresa  me tradhëtira, të gërshetuara. Atë që  kemi bërë ne vetes tonë, nuk na e ka bërë kush kurrë, sepse për 45 vite u bunkerizuam nga regjimi i Enver Hoxhës. Pra kjo, nuk duhet parë si një përpjekje për të ngritur një figurë dhe për të ulur një figurë tjetër. Çdo figurë ka vendin e vet në histori, por e vërteta është që Ahmet Zogu ishte një figurë e ndaluar në historinë tonë kombëtare, derisa parlamenti me një sërë vendimesh historike i hapi rrugën zgjidhjes së këtij problemi. Tjeter punë se Zonja e Zezë bashkë me një gazetë të saj që e sponsorizon dhe së shpejti do të bëhet tre herë në ditë, vjell vrer çdo ditë kundër historisë së vendit të vet, kundër Mbretit dhe çdo gjëje tjetër, përveç të shoqit, i cili dhe të cilët duhet ta kishin vendin në Gjykatën e Hagës. Duhet ta them këtu, të gjithë ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit duhet të gjykoheshin në Hagë. E bëmë dhe ne një përpjekje, por jo me sukses. Këto ishin për Mauzoleun e familjes mbretërore , e cila ngrihet në tokën që ata kanë patur, kanë blerë në përputhje me të gjitha rregullat civile. Do të ketë një Panteon për të gjitha personalitet më të shquara të kombit, atëherë aty do të prehen, ne po bëjmë këtë vendim shumë të drejtë.


29/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›