Kryeministri Berisha: Nisma “Shqipëria, superfuqi e vogël energjetike në rajon” po bëhet realitet çdo ditë e më shumë
- Nga marsi i vitit 2007 që është dhënë kjo nisëm, në Shqipëri janë ndërtuar ose rindërtuar rreth 72 HEC. Nga ajo periudhë deri më sot, në Shqipëri së shpejti inaugurohet një investim tjetër madhor prej rreth 220 milion euro investim që është HEC i Ashtës dhe që inaugurohet në gjysmën e dytë të shtatorit
- Vitin që vjen nis projekti hidroenergjitik ndër më të mëdhenjtë në Evropë, Kaskada e Devollit me rreth 1 miliard euro investim.
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin” Për përcaktimin e autoritetit kontratues për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Qarr” e “Kaltanj” dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese , që i jepet shoqërisë.
Duke u ndalur gjerësisht në vendimin në fjalë, kryeministri Berisha u shpreh se nisma “Shqipëria, superfuqi e vogël energjitike në rajon”, e cila u ndërmor 5 vjet më parë po rritet çdo ditë e më shumë, duke përbërë një nga sukseset më të mëdha në historinë e vendit. “Pra në një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër kapacitete energjetike 20 % më të mëdha se ato që janë ndërtuar në të gjitha kohërat më parë”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha se megjithëkëtë nuk mungojnë qëndrimet e bazuara në keqdashje dhe zili, të cilat mundohen të zhvlerësojnë punën e madhe që është bërë dhe vazhdon të bëhet në interesin më të mirë të vendit. “Një nga eksponentët më kryesorë të opozitës shkruante Hidrocentralizmi i Berishës. Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marrë, ai sillte si shembull Ashtën , e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit,. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës, nuk ka fatkeqësi më të madhe.”
Kryeministri u shpreh projektet e mëdha energjitike që pritet të vihen në zbatim do të shndërrohen në një linjë të rëndësishme punësimi për qytetarët në mbarë vendin.
Në fjalën e tij për këtë vendim, kryeministri u shpreh:
“Sot ne miratojmë ndërtimin nga sektori privat të dy Hidrocentraleve, në Osum, Hec-eve të Qarrit dhe të Kaltanjit. Siç e shihni të nderuar qytetarë dhe qytetarë, zotërinj ministra, nisma “Shqipëria, superfuqi e vogël energjetike në rajon” po rritet çdo javë e më shumë. Kur 5 vjet më parë, ne deklaruam këtë nismë si drejtim themelor të qeverisë , jo të paktë ishin ata që qëndruan skeptikë, madje e dhe përqeshës ndaj saj. Por e vërteta është se sot pas 5 vitesh të nismës së saj, kjo përbën një nga sukseset më të mëdha në historinë këtij vendi. Nga marsi i vitit 2007 që është dhënë kjo nisëm, në Shqipëri janë ndërtuar ose rindërtuar rreth 72 HEC. Nga ajo periudhë deri më sot, në Shqipëri së shpejti inaugurohet një investim tjeter madhor, prej rreth 220 milion euro investim që është HEC i Ashtës dhe që inaugurohet në gjysmën e dytë të shtatorit. Kapacitet i Hec-ve të ndërtuara pa Ashtën është 125 megavat, por në sektorin privat ministria e ekonomisë ka firmosur mbi 117 kontrata, mund të jenë dhe më tepër, pasi ato shtohen përditë, për ndërtimin e 330 HEC-ve. Vetëm ato që janë ndërtuar, pa ato që janë në plotësim të dokumentacionit përfundimtar, kanë një kapacitet total prej 1400 megavat, kundrejt 1200 megavat që është kapaciteti i instaluar i sistemit aktual energjitik. Pra në një hark kohor 5 vjeçar janë ndërtuar apo janë në ndërtim e sipër kapacitete energjetike 20 % më të mëdha se ato që janë ndërtuar në të gjitha kohërat më parë.
Vitin që vjen nis projekti hidroenergjetik ndër më të mëdhenjtë në Evropë, Kaskada e Devollit me rreth 1 miliard euro investim. Pra nisma “Shqipëria superfuqi e vogël energjitike në rajon po bëhet çdo ditë e më shumë realitet. Ëndrra e Shqipërisë superfuqi energjetike të energjisë së rinovueshme në rajon po bëhet çdo ditë e më e vërtetë. Edhe këtu nuk ka sesi të mos kemi qëndrime të bazuara tërësisht në keqdashje dhe zilira. Mund të imagjinoni ju që një nga eksponentët me kryesorë të opozitës shkruante Hidrocentralizmi i Berishës. Mirë që nuk shkruante Hidroberishizmi dhe fatkeq në rastin që kishte marr , sillte si shembull Ashtën, e cila është një kryevepër e mbrojtjes së mjedisit. Ndaj dhe i them këtij zotërie të Hidroberishizmit se të gjitha dosjet i ke në dispozicion, merrini dhe shqyrtojini. Por pa informacion bie direkt në antiglobalizëm dhe të biesh në antiglobalizëm për llogari të Edi Ramës, nuk ka fatkeqësi më të madhe. Sepse ai i lufton koncesionet dhe ai i zhvillonte teorinë e hidrocentralizmit.
Pastaj mund të them edhe një gjë tjetër këtu, këtyre mjedisorëve, pa mjedis. Cila energji është më e shëndetshme për njeriun? Është energjia e rinovueshme. Sepse pa energji nuk mund të qëndrojmë dot. Ata flasin si një i njohuri i imi, i cili ka katër shtëpi dhe flet kundër ndërtimeve. Shkruan artikujt të tërë kundër ndërtimeve dhe për vete ka 4 banesa në katër shpatullat e Tiranës. U ndala këtu për të theksuar edhe njëherë vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka që ëndrrën për një Shqipëri, superfuqi energjetike në rajon, po e bëjmë gjithnjë e më shumë realitet dhe do ta bëjmë. Shumë shpejt ne do të hartojmë një platformë të re për microhec, ato të nivelit më të vogël. Këtë pasuri Zoti ia ka dhuruar shqiptarëve dhe ne do të bëjmë çdo gjë për ta shndërruar në vlerë për ta. Ku ndërtohen këto Hec-? Qarro dhe kaltanji ndërtohen në disa zona që absolutisht përveç banorëve të respektuar të atyre zonave , mediat nuk i kanë paraqitur ndonjëherë, pavarësisht që janë zona me një bukuri të rrallë natyrore. Këto 2 Hec-e ku investohen rreth 5 milion dollarë do të punësojnë me dhjetëra banorë të zonës në radhë të parë. Edhe kjo linjë është një linjë kryesore punësimi për shqiptarët.
29/08/2012