Këshilli i Sigurisë: Serbia po synon eksportim të krizës në Kosovë

PRISHTINË, 6 prill /ATSH/ Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje sot me kërkesë të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në të cilën u diskutua mbi gjendjen e sigurisë, me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë.
Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu.
Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë, thuhet në komunikatë.
Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve jo shumicë e jo serbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.
Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë, thuhet në komunikatë.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës akuzoi Serbinë për trysni ndaj serbëve lokalë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, i paralajmëruar për javën e ardhshme.
“Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, përfundon komunikata.
/KosovaPress/