Arrestimi i serbëve në Gjakovë-Njëri oficer policie dhe tjetri pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë

Policia e Kosovës ka arrestuar në Gjakovë katër persona të nacionalitetit serb dy prej të cilëve janë zyrtarë aktivë të sigurisë në Serbi – një polic aktiv dhe një pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe.
Gjatë kontrollit të policisë në automjetin e tyre janë gjetur edhe armë.
Arrestimi është kryer nga njësitet policore të Gjakovës, të cilët kanë ndaluar katër persona në rrugën “Gaspër Karaqi”. Pas verifikimeve, ata janë identifikuar si: N.V. (1982), P.K. (1990), B.R. (1978), dhe M.S. (1982).
Arrestimin e tyre e ka konfirmuar për RTK-në, major Milazim Lumi, komandant i Stacionit Policor në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazh janë gjetur armë, çka ka çuar në hapjen e rastit për “posedim dhe armbajtje pa leje”. Pas konsultimeve me Prokurorinë e Shtetit, katër të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.
Dyshimet fillestare janë se të arrestuarit mund të kenë lidhje me Agjencinë e Inteligjencës të Serbisë (BIA). Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, kolonel Lumni Graishta tha për RTKlive se dy prej tyre janë zyrtarë të sigurisë në Serbi, njëri është polic aktiv, ndërsa tjetri është pjesëtar i inteligjencës së ushtrisë serbe. “Aktualisht, rasti po trajtohet si “armëmbajtje pa leje”, por pas hetimeve, rasti mund të rikualifikohet”, deklaroi ai.
/rtsh.al/