Këshilli për Mandatet, “dritë jeshile” për betimin e deputetëve të rinj Andra Mano dhe Erjon Meka

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Në drejtimin e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, u zhvillua sot mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Në mbledhjen e sotme u shqyrtuan vendimet e KQZ-së për dhënien e mandatit të deputetit për Andrea Manon e PD dhe Erjon Mekën e PS.
Mbledhja shqyrtoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Andrea Nesti Manos, kandidat i listës shumemërore të Partisë Demokratike të Shqipërisë, qarku Korçë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021 dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Erjon Shërbet Meka, kandidat i listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Durrës, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021.
Pas verifikimit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, rezultoi se nuk ka asnjë paligjshmëri në zgjedhje që t’i pengojë për të bërë betimin në seancë plenare.
Në përfundim të mbledhjes, Spiropali ftoi Andrea Manon dhe Erjon Mekën në seancën plenare të datës 31 tetor 2024 për të bërë betimin, si kusht për të filluar ushtrimin e mandatit të deputetit. /j.p/