Basha: Amnistia penale ndikoi negativisht tek SPAK-u

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, reagoi sot për progresraportin e Bashkimit Evropian, i cili ndër të tjera theksonte se bashkimi i votave për amnistinë penale ndikoi negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë.
“Ashtu siç kishim paralajmëruar, amnistimi i të korruptuarve nga bashkimi i votave mes Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk ishte vetëm një shqetësim i drejtë i ngritur nga Demokratët Euroatlantikë, por edhe një kambanë e fortë alarmi për Bashkimin Evropian”, theksoi Basha.
Basha shtoi se, raportprogresi i BE-së pohon qartë se ai bashkim votash kundër punës së institucioneve të drejtësisë ndikon negativisht luftën e SPAK kundër korrupsionit.
“Kokat që kërkojnë të mbajnë gjallë pandëshkueshmërinë dhe bishtat e tyre që gënjyen paturpësisht, duke deklaruar publikisht se nuk do të amnistoheshin të ndëshkuarit nga GJKKO, janë ekspozuar edhe njëherë se po punojnë për të mbrojtur veten dhe shërbëtorët e tyre nga drejtësia”, nënvizoi Basha.
Basha shtoi se, “ky raportprogres është edhe një paralajmërim për ndalimin e menjëhershëm të planeve të fshehta të Trekëndëshit të Bermudës për të ndërhyrë në punët e SPAK dhe GJKKO përmes një amnistie të re, që pas amnistimit të “ushtarëve” synon amnistimin e korrupsionit të “kryetarëve””.
“Frika e një grushti të vogël njerëzish nga e shkuara e tyre, nuk duhet të pengojë të ardhmen europiane të vendit dhe çlirimin e potencialit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të penguar kaq gjatë nga korrupsioni i kudondodhur”, theksoi Basha.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë nënvizoi se, “kushdo që me naivitet, apo mirëbesim u bë pjesë i atij votimi të turpshëm, sot ka mundësinë të distancohet dhe t’i kërkojë ndjesë qytetarëve”.
“Rruga e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian kalon përmes fundit të pandëshkueshmërisë”, përfundoi Basha. /j.p/
