Këshilltari i Trampit propozon sistem të ri për vendet anëtare të NATO-s

Këshilltari kryesor i sigurisë kombëtare i ish-presidentit Donald Tramp ka deklaruar se ai do të nxiste ndryshime në NATO nëse ish-presidenti rikthehet në pushtet gjë që mund të rezultojë në humbjen e mbrojtjes nga disa vende anëtare kundër një sulmi të jashtëm.
Keith Kelog (Kellogg), një gjeneral-lejtnant në pension dhe dikur shef i shtabit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kombëtare të ish-presidentit, tha në një intervistë për “Reuters” se nëse një anëtar i aleancës prej 31 vendeve nuk do të shpenzonte të paktën 2% të prodhimit të tij të brendshëm bruto për mbrojtjen, ai do të mbështeste heqjen e mbrojtjeve të nenit 5 të atij vendi sipas Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Neni 5 thotë se një sulm kundër një anëtari të aleancës me bazë në Evropë do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve dhe anëtarët e aleancës duhet të përgjigjen në bllok.
Pa këto mbrojtje, një vend anëtar nuk do të garantohej se anëtarët e tjerë të NATO-s do t’i vinin në ndihmë.
“Nga vij unë, aleancat kanë rëndësi” tha Kellogg, i cili ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare të ish-zëvendëspresidentit Mike Pence.
“Por nëse do të jesh pjesë e një aleance, kontribuo në aleancë, bëhu pjesë e aleancës”
Tramp u kritikua nga presidenti Joe Biden dhe zyrtarë të lartë perëndimorë kur sugjeroi në një tubim të fundjavës se ai nuk do të mbronte aleatët e NATO-s të cilët nuk do të shpenzonin mjaftueshëm për mbrojtjen dhe madje do të inkurajonte Rusinë t’i sulmonte ata.
Kelog nuk pranoi të thoshte nëse ai kishte diskutuar propozimin e tij me Tramp, megjithëse ai tha se ata kanë diskutuar shpesh për të ardhmen e NATO-s. Tramp është afër sigurimit të nominimit presidencial të Partisë Republikane për zgjedhjet e përgjithshme të 5 nëntorit.
Kelog tha se nëse Tramp fiton, ai ka të ngjarë të sugjerojë një takim të NATO-s në qershor 2025 për të diskutuar të ardhmen e aleancës.
Ai tha se NATO mund të bëhet më pas një “aleancë me nivele”, në të cilën disa anëtarë gëzojnë mbrojtje më të madhe bazuar në përputhjen e tyre me nenet themeluese të NATO-s.
Stafi i Trampit nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por më parë e ka identifikuar Kellogg si një këshilltar politikash që mund të merrte një rol në administratën e tij.
Tramp dhe aleatët e tij kanë sinjalizuar gjithnjë e më shumë se synojnë të rimendojnë angazhimin prej dekadash të Amerikës ndaj NATO-s dhe ata janë ankuar prej kohësh se anëtarët evropianë të aleancës nuk po paguajnë pjesën e tyre të drejtë.
/rtsh.al/