E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kështjella pa dritare e Albanologjisë

Behar Gjoka/Studiues

-Fund gushti sërish e gjen Prishtinën nën ethet e seminarit albanologjik. Shumicën e seminaristëve, që do të kryejnë ritin e leximit të kumtesave, e përbëjnë filologjikasit e dy anëve të kufirit. Shkëlqimi, ka gjasa vetë ekzistenca si mësimdhënës, në një farë mase, mvaret nga mbajtja në këmbë e seminarit. Një mënyrë, që së paku, njëherë në vit të duken në krye të listës së njerëzve, që zyrtarisht bëjnë sikur merren me albanologjinë. Shkas për të hedhur një vështrim mbi bëmat e seminarit albanologjik të radhës u bë një shprehje e lëshuar në median e Tiranës nga Bardh Rugova, bashkëkryetari (me gjasë kjo detyrë është dëshmi unike e lidhjes së tij me albanologjinë), se kësaj here paskëshim pasur kritere të rrepta.

Rrëmuam në adresën e seminarit, asgjëkundi ato nuk duken. Të kërkosh kriteret është si kërkosh qiqrat në hell. Shpallja e mungesës së tyre, si kritere të rrepta, një mendësi e rrokshme burokratike, më solli në mend “rreptësinë” po kaq burokratike, të filologjikasve të Tiranës, veçmas të departamentit të letërsisë, e ushtruar me disiplinë të hekurt, për të përjashtuar alternativat që nuk bëjnë fresk, sa herë i janë qasur letërsisë. Kështu vepruan edhe në vitin 2011, në 100 vjetorin e Migjenit, kur e rrëshqitën trajtimin e figurës në binarët e vrakaçorizimit, pra të rrëmimit në gjurmim të shpalljes së poetit si serbo-malazez. Madje duke e shitur para studentëve si arritje shkencore.

Ky model i prezantimit të kritereve pa kritere, por edhe si kofini pas të vjelit, është marrë i gatshëm nga Shqipëria dhe vijon zbatimin e pikëpërpikshëm në trojet etnike. Model komunikimi, me psikologji pushtetare, me një vetëbesim licensuesish dhe censorësh, sikur kanë në dorë fatin e letërsisë, studimit dhe kritikës letrare. Kjo ndjesi vetëbesimi, buron nga fryma e klanit, që i kapërcen kufijtë, dijen dhe padijen, seksin dhe moshën, pushtetin dhe partitë, dhe po punon që në një të afërme të mos ketë fare mendim shkencor, por vetëm tituj dhe grada me shumicë. Përqark albanologjisë, as duhet ta shpiesh në mend që të avitesh, kur nuk ke lidhje me rrethakun e filologjikasve të përbetuar për të shkatërruar praninë e mendimit ndryshe, e mendimit të lirë, që nuk ka lidhje me çirakët e motshëm dhe eunukët e rinj të studimtarisë së rrumpallës albanologjike.

Emri i krijuar ndër vite, për seminarin e albanologjisë së Prishtinës, nuk pengon aspak që të vësh re, mjerimin ku ka rënë tash sa mote. Rrëzbitja e lexueshme, në mënyrën se si grupohen e llafiten, po ato mësimdhënës të dy anëve të kufirit, nuk shpëtohet nga shkëlqimi i dikurshëm i këtij seminari, që nuk është krijuar për të sunduar një klan, që e ka kthyer seminarin në një kështjellë pa dritare, pa hapësira komunikimi. Kujt i duhet një kështjellë e tillë, e cila vetëm sa mbledh mjeranët që i rren mendja se kumtesat e gushtit janë kulm shkencor? Mjerimi i seminarit, ka ardhur vit pa viti, por organizatorët e sivjetshëm, në mënyrë të veçantë, kanë meritën e sojme që po i vënë kapakun, fundit të pashmangshëm, të një veprimtarie ku më shumë se sa kërkim shkencor, të fanitet me një pelegrinazh djemkash, vajzash dhe çiftesh të lumtura, që fundin e gushtit e kanë të garantuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës, të qeverisë dhe donatorëve të ndryshëm.

Me ato para mundet të bëhej ndonjë vepër më humane, se sa të paguash për të konsoliduar mediokritetin e mësimdhënëseve, pavarësisht anës së kufirit. Gjithçka përsëritet, nën një ritëm monoton, po ato mendime, po ato fytyra të lodhura nga mësimdhënia e shterpëzuar, që lidhjen me shkencën e kanë administrative, parësisht, qoftë në mënyrën se si janë vetëgraduar me tituj, me detyra shefash, me çmime dhe doktorata. Po ata kumtestarë që gjithnjë e më shumë, si filologjikas të betuar(seç me bie në mend fjala debatikas), që ka lidhje me përbetimin e hershëm, e kanë kthyer seminarin në një kështjellë prej rëre, ku shkundin puplat tituj-mbajtësit e lodhur nga bordet, shërbesa për pushtetin e radhës. Me shkencërimin, pa grimën e shkencës, që nuk habit më as ata vetë, seminari është shpërndërruar në një ngrehinë amorfe, burokratike dhe penguese e zhvillimit të shkencës, mbase do t’i shkonte me mirë, në një pelegrinazh të dështuar në vapën e gushtit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›