E Diel, 1 Nëntor 2026

“Këtë 100 vjetor ta festojmë në mënyrë dinjitoze”

25-08-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme, Panariti takim me diasporën shqiptare në Australi
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë vizitës zyrtare në Australi, zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në këtë vend, e cila përbëhet nga rreth 20.000 banorë dhe përfaqëson të gjitha trevat shqiptare. Përfaqësuesit e kësaj diaspore përshëndetën vizitën e ministrit Panariti në Australi, duke e cilësuar atë një ngjarje historike, pasi është e para vizitë e zhvilluar nga një zyrtar i lartë shqiptar në këtë vend dhe se u krye në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Ministri Panariti, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë që ishte në gjirin e bashkatdhetarëve në Australi, u ndal në kujdesin që i kushton qeveria shqiptare ruajtjes dhe zhvillimit të raporteve me diasporën, kudo ku ajo ndodhet. Në këtë kontekst ai vlerësoi rolin që ka luajtur dhe luan diaspora shqiptare e Australisë për ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe traditave, por edhe në krijimin dhe përçimin e një imazhi në shoqërinë australiane.
Më tej, biseda u përqendrua në aktivitetet që parashikon të organizojë diaspora shqiptare në Australi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe në hapat që duhet të ndiqen nga qeveria shqiptare për afrimin e diasporës me shtetin amë.
Ministri Panariti u bëri thirrje përfaqësuesve të diasporës që të ishin më aktivë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare, si dhe të shtonin përpjekjet në forcimin e raporteve shqiptaro-australiane në të gjitha fushat.
Po dje, Ministri Panariti dha intervista në programin në gjuhën shqipe të Radios SBS dhe në programin në gjuhën angleze të Radio News Australia.
Në intervistën në gjuhën shqipe të Radios SBS, duke folur për 100 vjetorin e Pavarësisë, Ministri Panariti tha se “jam i lumtur që në kapacitetin e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, të ndodhem këtu në Australi, për t’i ftuar të gjithë bashkatdhetarët tanë, qytetarët shqiptarë që jetojnë këtu në Australi, për ta festuar në mënyrën më dinjitoze këtë ngjarje, e cila ndodh një herë në 100 vjet”.
“Është momenti që datën 28 Nëntor ta festojmë së bashku, ta festojmë siç duhet këtë ngjarje të shquar në historinë e e shtetit shqiptar, pavarësinë e Shqipërisë. Jam i lumtur që ndodhem në këtë shesh, në Sheshin e Federatës, ku shqiptarët do të festojnë në mënyrë dinjitoze, duke u treguar dhe komuniteteve të tjera të Australisë, vlerat e komunitetit shqiptar, historinë e lashtë dhe të pasur të kombit shqiptar, duke festuar një ngjarje të madhe dhe duke i dhënë asaj vendin që meriton”, tha Panariti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›