E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Llogaritë elektorale të mos e dëmtojnë statusin për në BE

25-08-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së: Zgjidhja për imunitetin, brenda javëve të para të shtatorit
 
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka bërë dhe një herë thirrje klasës politike shqiptarë që të mos dëmtojë marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian të  Shqipërisë nën ethet dhe llogaritë elektorale të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në takimin e organizuar me të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim në bregdetin e Jalës, Ilir Meta është shprehur se klasa politike nuk duhet të cenojë festën e madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar me një politikë mendjengushte dhe afatshkurtër.
“Ethet e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe llogaritë elektorale të 2013-ës asnjë forcë politike të mos i bëjë në dëm të statusit kandidat për në Bashkimin Europian që vendi duhet të marrë në vjeshtën e këtij viti, në mënyrë që ta festojmë të gjithë 100-vjetorin e Pavarësisë, jo vetëm me krenarinë për të gjithë ato breza, gjenerata patriotësh të cilët krijuan me aq mund dhe sakrifica shtetin tonë por njëkohësisht edhe për të pasur një vlerësim sado minimal për klasën e sotme politike e cila nuk duhet që të cenojë këtë festë të 100-vjetorit me një politikë mendjengushtë dhe njëkohësisht afatshkurtër e cila më shumë se sa për të rritur dinjitetin e vendit në raport me familjen eruopiane, edhe në raport me rolin që Shqipëria luan për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Lideri i LSI-së u shpreh se është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve duke konsoliduar kështu mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. “Ndaj është e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje e domosdoshme brenda javëve të para të shtatorit për çështjen e imuniteteve, në mënyrë që të konsolidohet mundësia për marrjen e statusit kandidat sepse përfitimet e Shqipërisë janë të shumta ashtu sikurse çdo vonesë do të jetë e kushtueshme dhe me pasoja afatgjata”, tha ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitetin e të rinjve të LRI-së në Jalë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Lëvizja Rinore për Integrim po organizon një kamping rinor në bregdetin e Jalës, aktivitet ky i cili tashmë është bërë një traditë në LRI. Me qindra të rinj nga e gjithë Shqipëria, anëtarë dhe simpatizantë të forumit rinor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë në këtë kamp rinor, ku aktivitetet politike, kulturore dhe argëtuese janë kryefjala e 5 ditëve të qëndrimit në bregdetin e bukur të Jonit.
Kampingu “LRI-Jalë 2012”, i organizuar nga të rinjtë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përveç karakterit argëtues, ka edhe shumë organizime politike. Personalitete të rëndësishme të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të mbajnë para të rinjve nga e gjithë Shqipëria fjalime mbi çështjet më të rëndësishme të politikës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›