E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtë vit 3550 bursa, ja kategoritë që përfitojnë

TIRANE-Për vitin shkollor dhe akademik 2012-2013, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të shpër-ndajë 1650 bursa për nxënësit dhe 1900 për studentët që pranohen për herë të parë në universitete. Ndërkohë që, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar kategoritë dhe kriteret që duhet të plotësohen për të përfituar prej tyre.
Kriteri ekonomik
Sipas kriterit ekonomik, bursa përfitojnë nxënësit dhe studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik. Gjithashtu, përfitojnë nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km e që vendosen në konvikt publik, si dhe nxënësit apo studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe secili nga studentët bashkëshortë me fëmijë. Bursë përfitojnë edhe fëmijët, nxënës apo studentë, që kanë statusin e invalidit paraplegjik. Të gjitha këto kategori duhet të plotësojnë edhe kriterin ekonomik të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. Bëhet fjalë për një kufi ekonomik, në varësi të numrit të pjesëtarëve të familjes ku nxënësi apo studenti bën pjesë.
Rezultatet
Bursa mund të fitohet edhe në bazë të rezultateve të arritura nga nxënësi apo studenti. Kështu, mund të përfitojnë nxënësit e arsimit të mesëm profesional, që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me të gjitha notat 10-ta, nxënësit, të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8, si dhe studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari. Gjithashtu, mund të përfitojnë bursë studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Për vitin akademik 2012-2013, numri i tyre do të jetë 25. Edhe studentët që kanë mbaruar vitin akademik pararendës me të gjitha notat 10-ta dhe ata që vazhdojnë studimet në programin e studimit "Matematikë" dhe "Fizikë", në vitin e dytë e lart, dhe kanë mbaruar vitin akademik pararendës me notën mesatare mbi 8 mund të përfitojnë bursë.
Jashtë kriterit ekonomik
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, bursë fitojnë edhe ata nxënës apo studentë, fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Edhe nxënësit që regjistrohen në shkollat e mesme profesionale në degët bujqësore, veterinare, pyjore, ndërtim dhe teknologji informacioni trajtohen me bursë. Nxënësit me vendbanim të përhershëm në zonat verilindore dhe juglindore të vendit, si: Tropoja, Hasi, Puka, Kukësi, Dibra, Bulqiza, Mati, Mirdita, Malësia e Madhe, Librazhdi, Gramshi, Kolonja, Përmeti, Pogradeci, Skrapari dhe rrethi Tepelenë, kanë përparësi. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para, është data 15 dhjetor 2012, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitin e dytë e lart është data 15 nëntor 2012.

Niveli i bursës për nxënësit
1. Shkolla 9-vjeçare dhe të mesme
Bursa 6365 lekë
Gjysmë bursa 3183 lekë
2. Shkolla e Mjeshtërisë Sportive dhe Arsimi Special
Bursa 6883 lekë
Gjysmë bursa 3442 lekë
3. Nxënësit jetimë
Bursa 6883 lekë

Niveli i bursës për studentët
1. Universitet, Akademia e Arteve dhe shkollat e tjera të larta
Bursa 8900 lekë
Gjysmë bursa 4450 lekë
2. Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve
Bursa 9410 lekë
Gjysmë bursa 4705 lekë

Kuotat financiare të veshmbathjes
Për fëmijët e arsimit special 7000 lekë
Për jetimët 10000 lekë

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›