E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtrirë në ‘Shtratin e Prokrustit’

Një tokë gjithnjë e më e përvëluar, pyje dhe lëndina të bëra shkrumb e hi, përpjekje për t’i ngushtuar vendit territoret ujore të Jonit verior dhe Adriatikut jugor, një administratë amorfe për të reaguar aktivisht rreth kësaj gjendjeje, një politikë e përulur plotësisht ndaj shteteve fqinje, një “drejtësi” pa drejtësi, një shtet i pafuqishëm për të ndërtuar të ardhmen më të mirë të këtij populli, një popull me forcë të atrofizuar të reagimit, një pushtet i egërsuar nga frika e ndëshkimit. Kështu mund të përmblidhet përgjithësisht dhe me pak fjalë gjendja aktuale e Shqipërisë sonë, që ia degdis njeriut përfytyrimin te cilësori i huazuar në titullin e këtyre radhëve.

Ishte Prokrusti, personazhi i mitologjisë klasike helene (në versionin e mëvonshëm latin – Demesti), që kërceu mbi kufijtë e shkretëtirave të këtij globi dhe i kapërceu shekujt e kësaj kohe planetare, për t’i kujtuar kujtdo hijet shumëngjyrëshe dhe poliformëshe të së keqes, që ende vërtiten kudo në skutat e mbetura të kësaj bote. Ishte Prokrusti, kjo krijesë aksidentale negative e zotave, që bashkë me ca mbështetës të sojit të tij zaptonte çdo gjë ku hidhte këmbën dhe i shtrinte krijesat e tjera në një shtrat të shkurtër e të ngushtë prej hekuri, që ai vetë e kishte farkëtuar, duke ua mpakur gjymtyrët dhe kufizuar lirinë. Derisa u shfaq ai, që zotat me gojën e pjellave të veta e thërrisnin Tezeu, për t’ia përcjellë të njëjtin fat atij, Prokrustit, për t’i çmpirë të tjerët, për t’u zgjatur këtyre jetën dhe për t’i hapur rrugët zhvillimit të pandërprerë të saj.

Tani erdhi koha edhe për shqiptarët që dhembjeve të trupit dhe të shpirtit t’u vënë një diagnozë përfundimtare me emërtimin e këtij pushteti politik, i cili po rrënon vendin dhe tenton të ngushtojë hapësirat legjitime të tij; i cili arrin deri atje sa që të tentojë të rrudhë edhe gjithë popullsinë - banore të këtij vendi, duke ulur shifrën reale të saj qysh në “të dhënat paraprake” të një të ashtuquajturi ‘Census’ me rezultate përfundimtare kurrë të shpallura; i cili vjedh e manipulon votat e popullit, për t’u përjetësuar me shëmbëlltyrën e vetes; i cili i grabit bashkështetasve të vet pronat private dhe ato publike, për t’i transferuar në emër të të afërmve dhe klientëve personalë; i cili direkt përpara zyrës së tij dhe indirekt në bulevarde e pragje shtëpish vret ditën për diell dhe natën me hënë qytetarë të thjeshtë, deputetë, kryekomunarë e gjyqtarë, krime që “drejtësia” ende prej vitesh nuk i ka zbardhur; i cili e ka për ves t’i kërcëllijë dhëmbët publikisht dhe të shantazhojë egërsisht cilindo që guxon ta kundërshtojë e të protestojë; i cili e ka mbytur arkën e shtetit në lumin e borxheve, që bashkëqytetarët e tij do t’i paguajnë pafundësisht; i cili kështu e ka varfëruar maksimalisht dhe dënuar me vdekje të shpejtë dhe të ngadaltë mbarë këtë popull; i cili përpiqet të kufizojë horizontet e pamohueshme të një vendi të tërë, duke ia shndërruar e katandisur njerëzve të tij ëndrrat në zhgjëndrra. Dhe pastaj?...

Le të mos shkojmë më tej, le të mos e shpërqendrojmë vëmendjen së tepërmi. Mbase do të mjaftonte të vëzhgonim, madje jo në shumë drejtime, gjëmat dhe bëmat e këtyre ditëve. Të këtyre ditëve, ku pa asnjë kufi 24 orësh gëlojnë krime të rënda, krime të rënda mbi pronën dhe mbi jetën e qytetarëve, krime të atilla që disa sahanlëpirës të këtij pushteti (apo të të gjitha pushteteve) s’i mbulojnë dot në propagandën e tyre, por edhe nuk ngurojnë t’i epitetojnë me një cinizëm cërritës, si “produkt i çmendurisë së njeriut”, si “produkt i çmendurisë kolektive”. T’i epitetojnë kështu, kur nuk duhet ndonjë sforcim për të ndjerë fukarallëkun tronditës që u ka mbetur në derë mijëra e qindramijëra qytetarëve të thjeshtë; kur nuk nevojiten miliona palë sy dhe as kaleidoskopë të posaçëm për të vështruar tablonë kaotike që ka mbuluar vendin; kur s’është e domosdoshme të të pajisin edhe me shqisa shtesë për të nuhatur se sa e padurueshme është bërë jeta, përderisa spitaleve publike u mungojnë edhe serumet e gazrat, ndërsa gangsterët mbështetës të këtij pushteti, që e ia kanë mbushur kutitë elektorale me vota të rreme, sot marrin kurajën që gjakftohtësisht të poshtërojnë, madje edhe të vrasin kryekomisarë të Policisë së Shtetit; kur nuk kërkohet ndonjë intelekt i mprehtë për të kuptuar shthurjen e një shteti të tërë që po rrëshqet nga duart e ndotura të një personi, që ka plot gjynahe ndaj bashkëkombësve të vet.

Sidoqoftë, reklamat për “qeverisjen e ndritur” të tij vazhdojnë të përgatiten kushtueshëm dhe të transmetohen në mediat e afërta me pushtetin politik. A nuk është tashmë e dokumentuar zyrtarisht dhe zbuluar intensivisht, se vetëm nga Ministria e Brendshme janë shpenzuar gjatë gjashtë viteve të fundit për këto lloj reklamash – shpirti i hipokrizisë dhe mashtrimit të publikut – afro 5 milionë USD, ndërkohë që policët e mbetur herë–herë edhe pa paga shtyjnë makinat e shërbimit që u mungon karburanti?! Se vetëm nga Ministria e Mbrojtjes janë hedhur për këtë qëllim 2.5 milionë USD gjatë katër viteve të fundit, periudhë kjo ku nuk u rresht pa u trafikuar armatime dhe municione gjithfarëshe drejt shteteve diktatoriale dhe të përfshira në luftëra civile?! Ndoshta nuk ia vlen të zgjatemi këtu edhe rreth shpenzimeve të ministrive dhe dikastereve të tjera të kabinetit qeveritar, që zhvillojnë një propagandë me informacione ireale, si një nga mënyrat për të sajuar ato lloj legjendash me jehonë të shuar shpejt.

Në këtë atmosferë, a nuk lindin e përhapen kështu edhe anektodat?! Ja për shembull, vete në fillim të kësaj jave në Bruksel një delegacion i kryesuar me këmbën zvarrë nga Presidenti i Republikës, dhe i lutet zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian që t’i akordojnë Shqipërisë Statusin e Shtetit kandidat, sepse qenka në dorën e tyre që ta bëkërkan këtë “me ndihmën tonë”?! Nejse, për shkak të “anglishtes së kulluar” të Nishanit tonë, apo ngaqë ashtu ia diktonte atij teksti që ia kishin parapërgatitur, kjo nuk ka shumë rëndësi. Ajo që tërheq më së shumti vëmendjen nga takimet dhe konferencat e shtypit gjatë kësaj vizite në Kryeqendrën e Unionit Europian ishin vërejtjet dhe porositë e personave titullarë të këtij Unioni në adresë të Tiranës zyrtare.

Nëpërmjet këtyre takimeve e konferencave me Presidentin e Republikës së fundit në listën e shteteve aspirante për anëtarësim në Bashkimin Europian, kreu i këtij organizmi supranacional, Herman Van Rompuy theksoi nevojën e ngutshme të Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të një lufte më të fortë ndaj krimit e korrupsionit. Sikurse Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso e vuri gishtin edhe te mundësia e arritjes së një konsensusi konstruktiv brenda klasës politike shqiptare. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto porosi kumbuese në pragun e një ngjarje madhore për ne, në të njëjtën kohë nuk mungoi as kryetarja e Parlamentit Federativ të Austrisë, Barbara Prammer që të këshillonte deputetët tanë mu nga salla e Kuvendit të Shqipërisë, për të miratuar urgjentisht, krahas reformës parlamentare, edhe atë të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, pa kaluar as 24 orë të tjera, mesazhe të tilla u formuluan qartë dhe prerazi nga Komisioneri për Zgjerimin e BE – së, Shtefan Fyle, i cili nuk la pa i kujtuar shefit të delegacionit shqiptar veçanërisht domosdoshmërinë e shumëfishimit të përpjekjeve për një sistem gjyqësor efikas dhe të pavarur.

Mirëpo, sa iu vu veshi këtyre personaliteteve këtu në Tiranë nga maxhoranca jonë parlamentare dhe lideri i saj i nevrikosur? Shumëkush që i ndoqi nëpër ekrane skenat e zhvilluara pardje në seancën plenare të Kuvendit, duke u bërë dëshmitar i debateve që për disa orë rresht u mbështollën me tone frenetike, tashmë është bindur plotësisht, se cili është bllokuesi i vërtetë për të tretin vit radhazi i akordimit të Statusit të shumëpritur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dakord, u miratua pardje projekti i ndryshimeve të dispozitave kushtetuese për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, projekt që ishte hartuar, përpunuar dhe përkrahur gjerësisht nga opozita politike. Por, kjo vlerë e shtuar në përmbushjen e Rekomandimeve të Komisionit Europian, sikurse u shpreh së fundi pas kthimit nga Brukseli ministri ynë i Punëve të Jashtme, me standarde arbitrare të imponuara nuk mund të ketë efekte reale dhe të plota nëse qëndron në hava, pa u mbështetur mbi një bazë të fuqishme që konstruktohet prej reformës në organin e rishikimit kushtetues dhe në ato të sistemit të drejtësisë së juridiksionit të zakonshëm.

Pikërisht për të kundërshtuar këtë reformë merrte flakë në sallën e Kuvendit lideri i koalicionit qeverisës. Ky Kryeministër, që me gjithë zotërimin prej tij të një arsenali tipik të sharjeve, shpifjeve dhe shantazheve ndaj opozitës politike dhe shoqërisë civile mbarëpopullore, nuk do të arrijë që të vazhdojë pafundësisht, sipas dëshirës së vet, t’i mpakë gjymtyrët shtetit të së drejtës në Shqipëri, organeve kushtetuese të saj. Përkundrazi, do të mbajë gjithnjë e më tepër mbi supe rëndesën e përgjegjësive për krizën e thellë që po gropos vendin. A do të mund të justifikohet ky Kryeministër dhe papagajtë orientalë të kafazit të tij përpara Brukselit, për mosmbajtjen e premtimeve të deklaruara me krekosje dhe me lutje? Po përpara nënshtetasve të tyre, çfarë gënjeshtrash të tjera u kanë mbetur pa llomotitur?

Pas pluhurosjes me ca e ca duar të tjera miell, nga jashtë dhe nga brenda vendit, ndoshta një ditë do të vendosin të ndërrojnë këmishë. Por ngjyrat e asaj këmishe mashtruese, qofshin edhe nga më farfuritëset, vështirë të shpërndajnë atëherë përhimtësinë dhe zymtësinë e atmosferës së krijuar. Kështu, sipas të gjitha gjasave, koha nuk do të vonojë të shpalosë të drejtën e saj, për t’u organizuar zgjedhje plotësisht të lira dhe të ndershme, rezultatet e të cilave sigurisht që do ta bëjnë shumëkënd të vërtetojë, se edhe e keqja e ka një fund. Ose të kujtojë pasazhe të mitologjisë klasike, kur u shfaq një herë Tezeu dhe e mbërtheu Prokrustin në shtratin e ngushtë e të hekurt, që ky vet e pati farkëtuar për të shtrirë atje të tjerët.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›