Këtë vit akademik, shkollimi kushton më shtrenjtë
Tarifat
Brenda dy muajve miratohet strategjia e arsimit, rritje të pagesave sipas degëve dhe universiteteve
Paratë - Edhe fondi që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do të vendosë në dispozicion për secilin universitet, do të jetë në bazë të vendndodhjes, kuotave dhe performancës së universitetit
Financat - Ministria e Financave ka propozuar vitin e kaluar, rritje të tarifës së shkollimit, por kjo nuk u mor parasysh nga qeveria dhe nga Kryeministri
Rritja - Tarifat e shkollimit për vitin e ri akademik do të rriten për ciklin e parë të studimeve, për master, por edhe për sistemin e korrespondencës
Lorina Mixha
Viti i ri akademik do të kushtojë më shtrenjtë për studentët e vitit të parë, ndërkohë që pritet saktësimi edhe për studentët që aktualisht ndjekin studimet universitare në vitet më lartë apo në cikle të tjera studimi. Tarifat shkollore për vitin e ri akademik 2013-2014 do të rriten dhe miratimi për koston që do të kenë studentët për vitin e ri do të bëhet parimisht në muajin qershor. Më pas detajet dhe gjithçka tjetër, çdo shtesë apo hollësi, do të miratohet nga Këshilli i Ministrave pas propozimeve që do të bëjë Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Rritja do të përfshijë ciklin e parë, korrespondencën, por edhe sistemin pasuniversitar, master.
Një vit më parë, universitetet në vend propozuan rritjen e tarifës së shkollimit, për shkak të kostove dhe nevojave që kanë institucionet arsimore, për mungesë fondesh e buxhetesh, si dhe për shtim të kërkesave si pasojë e rritjes së numrit të kuotave dhe pedagogëve. Por kjo nuk u pranua nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili në vitin elektoral nuk pranoi rritje të tarifave shkollore, përveç se masës së inflacionit.
Brenda muajit qershor, strategjia e arsimit të lartë pritet të miratohet në komisionet parlamentare e të hyjë në fuqi menjëherë me çeljen e vitit të ri akademik. Ndërkohë që në propozime dhe diskutime të universiteteve do të jetë edhe njëherë rritja e tarifës së shkollimit.
Nga ana tjetër, strategjia e arsimit të lartë dhe financimit të universiteteve publike dhe private, miratuar nga ekspertët e arsimit të lartë në të gjithë vendin, parashikon rritje të tarifave universitare. Sipas institucioneve të arsimit të lartë, aty ku ka më shumë kërkesa pagesa të bëhet më e lartë dhe sipas vendndodhjes dhe kërkesave të institucionit të parashikohet edhe tarifa vjetore për të gjithë studentët.
Pagesat e tarifave shkollore do të përcaktohen në bazë të vendndodhjes së universitetit. Njësoj si në sistemin e korrespondencës, ku kushtojnë më shtrenjtë degët më të preferuara, ashtu edhe në sistemin me kohë të plotë, do të ketë diferencime pagesash. Do të paguajnë më shtrenjtë studentët e universiteteve qendrore dhe më pak për institucionet periferike.
Pritet të ketë rishqyrtim dhe rivlerësim të çmimeve të tarifave shkollore dhe studimeve në përgjithësi edhe në universitetet private. Tarifat që studentët paguajnë do të jenë të lidhura me koston e ofrimit të studimeve, duke diferencuar sipas cikleve të studimit fushës së studimit, si dhe vendndodhjes së universiteteve. Universitetet do të lejohen të mbartin në vitin e ardhshëm financiar fondet e tyre të papërdorura, pa reduktim në fondet buxhetore të vitit pasardhës, thuhet në draftin e përgatitur nga Ministria e Arsimit. Sipas strategjisë, qeveria do të mbështesë konceptin e ri të përcaktimit të fondeve publike sipas alokimit të kuotave të numrit të studentëve në çdo universitet publik, përkatësisht në 12 fusha studimi në ciklin e parë dhe të dytë të studimeve. Niveli i mbështetjes për studentët e ciklit të dytë të studimeve reflektuar edhe në koeficientë, do të përcaktohet në bazë të disponueshmërisë së fondeve publike dhe një formule të re financiare, që merr parasysh rëndësinë e fushave të studimit sipas strategjisë.
Këtë vit akademik, shkollimi kushton më shtrenjtë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email