Fullani: Inflacioni reflekton presionet e ulëta nga kahu i kërkesës agregate
Interesi - BSH-ja e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në 3.75 për qind, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës
Analizat e Bankës së Shqipërisë, të bazuara mbi tregues indirektë, vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e ulët. Sipas guvernatorit Ardian Fullani, rritja ekonomike është mbështetur kryesisht në kërkesën e huaj, ndërkohë që komponentët e kërkesës së brendshme vijojnë të shfaqin një ecuri të plogësht. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta në prani të pasigurive për të ardhmen, të ngadalësimit të të ardhurave të disponueshme, të kushteve më të shtrënguara të financimit dhe të kapaciteteve të lira të prodhimit.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, aktiviteti ekonomik në vend u rrit me 1.6% gjatë vitit 2012. Ekonomia shqiptare shfaqi shenja dobësie gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar pasigurinë e përgjithshme në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithatë, pavarësisht kontekstit të zhvillimeve të pafavorshme, treguesit kryesorë të balancave të brendshme e të jashtme të vendit kanë qëndruar brenda parametrave të shëndetshëm, u shpreh dje guvernatori. Gjatë kësaj periudhe, inflacioni rezultoi brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe treguesit e shëndetit të sistemit bankar u përmirësuan.
Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, BSH-ja vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, me 3.75 për qind. Ulja e kësaj norme rreth dy muaj më parë ka sjellë ndikime në reduktimin e kostos së marrjes së borxhit nga qeveria në ankandet e bonove.
Të dhënat më të fundit mbi ekonominë reale i përkasin tremujorit të katërt të vitit 2012. Sipas tyre, ekonomia shqiptare u rrit me 1.7%, e mbështetur nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve, të industrisë dhe të bujqësisë, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e ndërtimit vijoi të tkurret. Të dhënat mbi ecurinë e aktivitetit ekonomik, në tremujorin e parë të këtij viti, mbeten të pakta, pranon BSH-ja.
Duke u rikthyer tek ecuria e inflacionit, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet e konsumit u rritën mesatarisht me 2.5%, në tremujorin e parë të vitit 2013. Ecuria e inflacionit vijon të përcaktohet nga çmimet e ushqimeve: kontributi i tyre përbën rreth 90% të inflacionit total. Në përfundim, Fullani tha:
Nga këndvështrimi makroekonomik, ecuria e inflacionit vijon të reflektojë presionet e ulëta nga kahu i kërkesës agregate dhe mungesën e goditjeve të kahut të ofertës.
Fullani: Inflacioni reflekton presionet e ulëta nga kahu i kërkesës agregate burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email