E Diel, 1 Nëntor 2026

KiE: Do të forcojmë pushtetin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut

Strasburgu monitoron edhe për zbatimin e vendimeve për Shqipërinë

Këshilli i Europës pritet që përveç çështjes së demokracisë, siç e ka vendosur edhe në rezolutën e 28 janarit të monitorojë Shqipërinë edhe për çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ose siç quhet ndryshe Gjykata e Strasburgut. Në Intertaken të Zvicrës është mbyllur një konferencë e gjerë ku kanë marrë pjesë 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës që kanë diskutuar për të ardhmen e kësaj gjykate. Në deklaratën përfundimtare të konferencës theksohet se do të duhet të vendoset një balancë e drejtë mes çështjeve që paraqiten në këtë gjykatë dhe ulja e volumit të tyre në mënyrë që të kemi një kohë më të shkurtër në gjykimin e çështjeve. Gjykata e Strasburgut është e njohur për kohën e gjatë të shqyrtimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, deklaroi se “ne duhet të ruajmë këtë gjykatë, sepse ne nuk kemi zgjidhje tjetër, Populli i Europës meriton më shumë dhe ne do t’ia japim këtë. Ndërkaq, Jean-Paul Costa, President i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, tha “Unë jam i sigurt se ruajtja e pavarësisë së gjykatës sonë do të vazhdojë të jetë thelbësore për të drejtën”. Në fjalën e tij, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Cavusoglu,

mirëpriti masat e marra për të rritur efikasitetin e gjykatës, por ka insistuar që masat e marra do të duhet ta forcojnë më shumë Këshillin e Europës. Ndërsa Këshilltarja Federale e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, vendi i së cilës mban drejtimin e Këshillit të Ministrave të KiE-së nënvizoi se “Ne do të çojmë më përpara reformat për të pasur një gjykatë më efikase”. Gjykata e Strasburgut është e njohur në Shqipëri për disa vendime të marra për çështje pronësie ku në shumicën e tyre u është dhënë e drejta qytetarëve dhe i është kërkuar qeverisë dëmshpërblimi. Por ky proces si gjithnjë ka vonuar ndaj Këshillit të Europës, pak kohë më parë ka dërguar në Tiranë disa misione për të ndjekur këtë proces. Në fillim të këtij muaji, erdhi në Tiranë një delegacion i KiE-së për t’u njohur në lidhje me mënyrën e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Vendimet e dhëna kohët e fundit, në favor të ish-pronarëve shqiptarë kanë shërbyer që nga Strasburgu të vijë një grup i posaçëm, i nivelit teknik për t’u njohur më konkretisht me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, duke u fokusuar veçanërisht në lidhje me procesin e financimit. Janë zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e Gjykatave Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Misioni i KiE-së ka zhvilluar një takim me kreun e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis çefa. Takimi ka pasur si qëllim zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për çështjet e pronave dhe për masat që ka marrë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”. Drejtuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, kanë bërë të ditur se për zgjidhjen e drejtë të çështjes së pronës pronarët i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Deri më tani mësohet se janë 5 vendime pro të dhëna nga Strasburgu në favor të ish-pronarëve, duke i kërkuar shtetit shqiptar t’i kompensojmë mbi bazën e çmimit të tregut. Të tilla janë vendimet për familjet e pronarëve si Beshiri, çufaj, Gjon Boçari etj. Në një konferencë të dy ditëve më parë shoqata “Pronësi me Drejtësi” u ka bërë thirrje subjekteve të shpronësuara që t’i drejtohen Strasburgut.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›