E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia, qeveria zgjedh Deutsche Bank-JP Morgan

Dy bankat prestigjioze marrin përsipër të na ofrojnë borxh 350 milionë euro

Sikurse ishte parashikuar, Ministria e Financave ka preferuar dy bankat e fuqishme, “Deutsche Bank” dhe “JP Morgan”, që të sigurojë kredinë 350 milionë euro përmes emetimit të eurobondit. Lajmi është konfirmuar dje, pas zhvillimit të testit, në prani të bankave të tjera konkurrente, edhe ato të njohura në tregjet financiare. Në fazën e parë ishin kualifikuar 6 banka, nga 15 gjithsej, ndërsa në fazën e dytë që u mbyll dje, u shpallën fituese banka gjermane dhe ajo amerikane, të njohura për nga kapaciteti i gjerë financiar. Sipas ministrit të Financave, kredia 350 milionë euro do të shkojë gjysma për të shlyer borxhin e marrë vitin e kaluar për Durrës-Kukës, kurse pjesa e mbetur në mbështetje të investimeve gjatë 2010-s. Tashmë të dyja bankat e përzgjedhura do të lobojnë në tregjet e huaja financiare për t’i siguruar qeverisë kushte më të mira në marrjen e kredisë tregtare. Pra, aktualisht janë gjetur bankat me të cilat do të bashkëpunojmë, por jo paratë, proces i cili parashikohet të mbyllet në fund të muajit prill.

Konfirmimi

Ministria e Financave tashmë ka përfunduar procesin e vlerësimit të bankave që do të udhëheqin transaksionin e emetimit të eurobondit të parë shqiptar në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. “‘JP Morgan’ dhe ‘Deutsche Bank’ janë dy institucione financiare me reputacion superior në arenën ndërkombëtare, për performancën e tyre të pakrahasueshme në udhëheqjen me sukses të një numri të lartë transaksionesh eurobondesh në tregjet e kapitalit”, deklaroi dje Ministria e Financave pas shpalljes së rezultatit. Pas shpalljes së ankandit në fillim të muajit janar, pranë ministrisë shfaqën interes 15 banka të njohura, por vetëm 6 e kaluan provën. Sipas ekspertëve të Financave, interesimi i madh i bankave tregon besimin në rritje që kanë institucionet e huaja ndaj ekonomisë shqiptare.

Përzgjedhja

Vlerësimi në përzgjedhjen e bankave u bazua në një kombinim prej disa kriteresh, që merrnin në konsideratë të gjitha elementet relevante për ekzekutimin me sukses të një transaksioni të tillë. Këto kritere marrin në konsideratë kredencialet e bankave për operacione të ngjashme, aftësinë marketuese dhe distributive në treg, aftësinë për të suportuar bonon tonë pas emetimit, strategjinë e sindikimit dhe angazhimin e tyre ndaj vendit tonë. Në fazën e dytë, 6 bankat e shorlistuara (“JP Morgan”, “Deutsche”, “Raiffeisen”, HSBC, “BNP Paribas” dhe “Credit Suisse”) u ftuan në Ministrinë e Financave për një prezantim të detajuar të strategjisë së tyre për të ekzekutuar me sukses emetimin, në përputhje me propozimet e tyre. Intervistat u fokusuan në aftësinë e bankave për të agreguar investitorët për një realizim të suksesshëm të eurobonos së parë të Shqipërisë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›