E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, ndalohet mësimi shqip në shkollë

Ministria e Arsimit, vendim ekstrem për fshatin Podgorcë

Inspektorati i arsimit pranë Ministrisë së arsimit-Njësia rajonale në Strugë, përmes inspektorit të arsimit, pas reagimit të individëve dhe grupeve të caktuara antishqiptare, ka sjellë vendim për ndalimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe në shkollën fillore në fshatin Podgorcë. Ky vendim ka shkaktuar revoltën e prindërve të nxënësve që mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe, duke këmbëngulur që fëmijët e tyre shqiptarë, të mësojnë në gjuhën shqipe. Para oborrit të shkollës, ishin shumë prindër, që reaguan ndaj vendimit të inspektorit të arsimit, që sipas banorëve të Podgorcës, vihet mbi Ministrinë e Arsimit. Në momentin kur vizituam shkollën në Podgorcë, sipas fjalëve të sekretares së shkollës, drejtori ndodhej në një takim në Strugë, ndërsa ajo, siç deklaroi - nuk është në rrjedhë të zhvillimeve të fundit. “Megjithatë, pashë se ishin tubuar shumë prindër para shkollës, por nuk e dija pse. Përndryshe, mësimi zhvillohet normal në ndërrimin e pasdites edhe në gjuhën shqipe”, tha sekretarja e shkollës. Iniciativës së banorëve të fshatit Podgorcë, me miratimin e propozim-vendimit nga ana e Këshillit të Komunës së Strugës, u kërkua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës së RM-së, pëlqim për zhvillim të procesit mësimor në gjuhën shqipe. Sipas shkresës së dërguar në selinë e administratës komunale në Strugë, Ministria e Arsimit, përmes shkresës së nënshkruar nga sekretarja shtetërore e Ministrisë së Arsimit dhe shkencës, Elizabeta Todorovska, jep “dritë jeshile”, duke shtruar edhe kushte, të cilat duhet të përmbushë autoriteti lokal-Këshilli dhe Komuna e Strugës. Në shkresën e Ministrisë së Arsimit shkruan: “Lidhur me kërkesën tuaj nr.03-1341, datë 28.10.2009, për të dhënë mendim pozitiv për formimin e paraleles me numër më të vogël të nxënësve në shkollën fillore “Goce Dellçev” në fshatin Podgorcë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ju informon se sipas kërkesës së Këshillit të Komunës, do të japë mendim pozitiv nëse: nuk nevojiten mjete plotësuese financiare, ose, nëse komuna këto mjete plotësuese financiare do t’i sigurojë nga buxheti komunal”. Podgorca është fshati i dytë, krahas Labunishtës, në të cilin mësimi do të zhvillohet krahas maqedonishtes edhe në gjuhën shqipe.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›