KiE: Kriza politike, zgjidhja në Kushtetuese
Këshilli i Europës zbardh negociatat me Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste për zgjidhjen e krizës politike. Opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kjo e fundit më pas të marrë opinionin e Komisionit të Venecias. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Cavushoglu, i dha dje leksione politikës shqiptare për t’i kthyer sytë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. “Ne i kërkuam në deklaratën tonë me shkrim opozitës, që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias. Ne kemi një trup ligjor. Në atë kohë opozita nuk e bëri këtë gjë, por na premtoi për zgjidhje. Ajo ende ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje”, tha Cavushoglu. Deklarata e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-s erdhi pas takimit me kryeparlamentaren Jozefina Topalli në Qipro. Ai e cilësoi bojkotin dhe grevën e urisë si një qëndrim të papjekur në demokraci. “Populli i ka votuar deputetët, për të qëndruar në Parlament për të mbrojtur të drejtat e tyre në shumë fusha, qofshin në opozitë, qofshin në qeveri. Dhe kjo është arsyeja pse njerëzit votojnë në zgjedhjet demokratike”, tha ai. Gjatë javëve të fundit, Këshilli i Europës zhvilloi një vizitë në Shqipëri si Komitet Presidencial i Asamblesë Parlamentare të KiE-s, me liderët e grupeve politike. Ndërkombëtarët hartuan mesazhe të qarta për të gjitha palët, në mënyrë të veçantë për opozitën dhe qeverinë. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-s, gjatë takimit me Kryetaren e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, rikujtoi edhe deklaratën që byroja parlamentare bëri për qeverinë dhe opozitën duke lëshuar mesazhe të qarta. “Unë mendoj se secili duhet të marrë në konsideratë këto mesazhe të dhëna nga Asambleja Parlamentare. Ne jemi përpjekur që problemi të zgjidhet. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe progres”, tha ai.
Sipas Cavushoglu, Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat për të përmbushur standardet e Asamblesë Parlamentare, që do ta aftësojnë në një të ardhme të afërt, të bëhet anëtare me të drejta të plota në BE. Duke komentuar zgjedhjet e 28 qershorit, Jozefina Topalli, bëri me dije se “një vit më parë, Shqipëria bëri zgjedhjet, të cilat nga “arbitri ndërkombëtar” u kualifikuan si zgjedhje të standardeve të OSBE-së. Ky ishte procesi më i mirë dhe më transparent, që shqiptarët kanë pasur në 20 vite”. Kryetarja e Kuvendit theksoi se për të arritur këtë transparencë, numërimi i votave u bë përmes fotografimit, skanimit, filmimit dhe transmetimit online. Kjo ishte një gjë e re që ne arritëm në Shqipëri”, tha Topalli. Gjatë vizitës në Qipro, Kryetarja e Kuvendit është takuar edhe me kreun e dhomës së deputetëve të Italisë, Xhianfranko Fini. “është një angazhim që Bashkimi Europian e ka marrë dhe duhet respektuar. Sepse është një mundësi që u është garantuar ndërkaq vendeve të tjera që nuk janë në Bashkimin Europian dhe nuk shoh se për çfarë arsye të mos u njihet edhe shqiptarëve e njëjta mundësi. Italia është shprehur pro dhe e ka pranuar shprehimisht edhe ministri i Punëve të Jashtme Fratini”, tha kreu i dhomës së deputetëve të Italisë.
#