E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 300 milionë $ vetëm në qershor. Receta e Berishës po shkatërron ekonominë

Kriza ekonomike, qeveria merr borxhe në fshehtësi të plotë

Gjithçka për të shpëtuar imazhin e qeverisë dhe për të blerë perspektivën elektorale. Teksa prej muajsh mohon krizën ekonomike dhe mburret me ritmet e rritjes dhe eksporteve, qeveria shqiptare duket se po punon pas kuintave për të mbuluar këtë propagandë optimiste, e cila është plotësuar me statistika që janë vënë seriozisht në dyshim. Një hua e re prej 300 milionë dollarësh ka gjasa të jetë mënyra e vetme për të mbushur arkën e shtetit që kumbon fort, për shkak të të qenët bosh. Denoncimi i aktit në fjalë ka ardhur dje përmes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp ka bërë thirrje për transparencë dhe informim të publikut. Ai ka paralajmëruar për pasoja të rënda në stabilitetin ekonomik të vendit nëse një ide e tillë do të bëhet realitet. “Jemi seriozisht të shqetësuar me informacionet e fundit lidhur me përgatitjen e një manovre huaje të brendshme nga bankat tregtare, e cila parashihet të kapë shifrën e frikshme 300 milionë dollarë për muajin qershor, me interesa kërcënuese për qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private. Ndërkohë që kërkojmë me ngulm transparencë të plotë lidhur me këtë zhvillim potencialisht të rrezikshëm për ekonominë shqiptare, i bëj edhe njëherë thirrje Saliut, Ridvanit dhe Fullanit të mos luajnë me zjarrin e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të këtij vendi”, u shpreh kreu i PS-së. Kështu, pas 6 vjetësh në opozitë, selia rozë ka dalë në mënyrë të hapur në kontestimin edhe të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, të cilin e ka përfshirë në ekipin politik dhe institucional që manipulon shifrat e ekonomisë. Një sulm i përsëritur ky i PS-së, i cili doli në sipërfaqe pas shitjes së hotel “Dajtit”, me një shifër që nxit në çdo rrethanë dyshimet e qëllimit dhe të procedurave të përshpejtuara. Tërësia e këtyre veprimeve të fundit të qeverisë “Berisha”, e cila vjen në mandatin e vet të dytë pas një serie akuzash për korrupsion masiv, krijon bazën e qëndrueshme për të besuar se kriza nuk është më një spekulim, por një realitet që pritet vetëm të shpaloset me të gjithë forcën e vet. “Kriza e ekonomisë shqiptare po prek kockën dhe ngrënia e kockës së kësaj ekonomie të rrënuar, me babëzinë e interesave të pushtetit, mund ta shembë përtokë modelin e falimentuar ekonomik të politikës së vjetër të interesave të ditës. Receta e përdorur deri tani nga qeveria është shkatërruese për ekonominë dhe ndalimi i përdorimit të saj është kusht i domosdoshëm për të ndaluar shkatërrimin e plotë të ekonomisë”, u shpreh shumë qartë drejtuesi kryesor i opozitës. Ky mesazh i fortë që u drejtohet qytetarëve shqiptarë, i cili denoncon edhe një tjetër nga aktet e qeverisë së djathtë, ka ardhur në një ditë me përvjetorin e themelimit të PS-së, për të cilën Rama ka përcjellë urimet dhe falënderimet për të gjithë mbështetësit dhe anëtarët. Angazhimi i saj në kauzën e transparencës përbën, sipas tij, një moment krenarie që e pasuron historikun e një partie, e cila mbetet në finale modeli i vetëm i një qeverisjeje me moral të ri dhe ndoshta edhe me ekspertizë më të mirë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›