E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas pagave, të majtët penalizohen edhe për makinat

Makinat shtetërore janë shitur me çmim të reduktuar 1000-3500 euro për zv.ministrat dhe deputetët e PD-së

Bojkoti i Kuvendit duket se u ka kushtuar shtrenjtë socialistëve. Pas problemit të pagave me administratën e Kuvendit dhe hyrjes së tyre në grevë, një pjesë e socialistëve nuk kanë mundur dot të parablejnë makinat shtetërore. Pavarësisht se të gjithë deputetët socialistë kanë bërë kërkesat duke iu referuar ligjit për funksionimin dhe rregullimin e transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë, që prej muajit prill ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Socialistët pretendojnë se vetëm një pjesë e vogël e deputetëve të majtë kanë arritur të përfitojnë duke u bërë pronarë të ligjshëm të automjeteve që kanë qenë nën përdorimin e deputetëve. Burime nga grupi parlamentar i PS-së tregojnë për “Shqip” se shumë prej deputetëve socialistë nuk u është kthyer përgjigje për makinat që kanë kërkuar të blejnë. 374 zyrtarët kanë pasur afat deri më 5 maj, mes tyre edhe deputetët e opozitës për të dorëzuar kërkesën për të blerë makinat e shtetit, por një pjesë e tyre ende nuk ka marrë një përgjigje, ose nuk është informuar mbi këtë vendim. Deputetja Arta Dade thotë se e ka dorëzuar tashmë makinën e saj dhe nuk ka marrë asnjë njoftim për ta parablerë atë. “Unë i kam kryer detyrimet e mia dhe do të ishte normale që të më kontaktohej për të më thënë për të drejtën e parablerjes së makinës, por Parlamenti nuk e ka bërë diçka të tillë”, thotë ajo. Sipas Dades, një pjesë e vogël e deputetëve kanë arritur të blejnë makinën që dikur ka qenë në administrimin e shtetit, por asaj nuk i janë dhënë detaje mbi këtë nismë. “Mua nuk më ka njoftuar njeri për të parablerë makinën që kam dorëzuar”, thotë Dade. Ndërsa deputeti Bashkim Fino thotë se e ka dorëzuar makinën e tij për të blerë një makinë private. Duket se mazhoranca ka përfituar nga vendimi për parablerjen e makinave dhe opozita ka ngelur e mënjanuar, pavarësisht se nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, ka arritur të parablejë makinën që ka pasur në përdorim përpara vendimit për dorëzimin e makinave shtetërore. Vlen të theksohet se debati PD-PS për dorëzimin e makinave zgjati për disa muaj, derisa administrata e Kuvendit nëpërmjet një shkrese zyrtare dhe publike kërkoi në shkurt të këtij viti që deputetët e PS-së të dorëzojnë makinat pranë Kryesisë së Kuvendit. Shkresa i referohej hyrjes në fuqi të ligjit datë 15.10.2009 për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë. Por tashmë janë të majtët ata që pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje për blerjen e makinave.

Vendimi

Sipas vendimit, zyrtarët e lartë dhe deputetët, të cilët humbën të drejtën e përdorimit të një makine shtetërore, do të kenë mundësi të blejnë këto makina me më pak se 50 për qind të vlerës, si edhe do të kenë të drejtë të shlyejnë makinën me këste përgjatë disa viteve dhe me normë interesi zero. Për më tepër, këta zyrtarë nuk do të kenë nevojë të hyjnë në garë, pasi makina në shitje do t’u ofrohet përkundrejt çmimit fillestar para se të hidhet në ankand. Ligji për “funksionimin dhe rregullimin e transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” u ka hequr të drejtën e përdorimit të automjetit shtetëror një serie të gjatë zyrtarësh të lartë. Por zyrtarët e lartë, njëkohësisht edhe përdoruesit e dikurshëm të makinave të shtetit, tashmë janë kthyer në pronarë të ligjshëm të makinave shtetërore. Të gjitha ministritë kanë mbyllur procedurat, përveç Ministrisë së Brendshme.

çmimet

Autoveturat shtetërore që ofrohen për shitje kanë dalë tashmë në ankand. Afati për të paraqitur ofertat për në ankand ka qenë deri më 5 maj, i publikuar nga Ministria e Financave. Makina të tipave të fundit si “Tuareg”, fuoristradë “Land Rover”, apo “Benz” të prodhimit të vitit 2000 mësohet se janë shitur nga 1000-3500 euro. Kryeministria dhe të gjitha ministritë e linjës kanë nxjerrë në shitje makinat. Të gjitha ministritë i kanë mbyllur procedurat e parablerjes, përveç Ministrisë së Brendshme. Pjesa dërmuese e zv.ministrave të kabinetit “Berisha” kanë përfituar nga ky vendim duke përvetësuar makinat e shtetit kundrejt një çmimi shumë larg kostos reale të vlerës së tregut.

Kursimet

Me reduktimin e shpenzimeve të administratës, duke hequr makinat për zyrtarët e lartë, përjashtuar Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe gjykatësit, buxheti i shtetit kursen 2.5 miliardë lekë, por referuar udhëzimit të Ministrisë së Financave pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro nga ankandi për shitjen e 3700 makinave shtetërore. Nuk është e qartë mënyra sesi do të grumbullohen 15 milionë euro, ndërkohë që makinat shiten nën kosto dhe shumë lirë për atë kategori zyrtarësh që guxuan të parët të përfitojnë nga ligji. Në të gjithë administratën janë shitur makinat shtetërore, përveç atyre të ministrave dhe është reduktuar në këtë mënyrë numri i shoferëve për secilën ministri dhe të gjithë zv.ministrat kanë përfituar të drejtën për të parablerë me çmim të leverdishëm makinat që kanë qenë nën administrimin shtetëror, duke u kthyer në pronarë të tyre.

Të gjitha automjetet e grumbulluara nga ministritë dhe institucioneve qendrore në varësi të tyre janë transferuar në drejtorinë e përgjithshme të rezervave të shtetit për t’u shitur me ankand, ku e drejta e parablerjes, sipas ligjit, u takon deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtorëve. Zyrtarëve të lartë dhe deputetëve, të cilët humbën të drejtën e përdorimit të një makine shtetërore, iu ofrua mundësia për t’i blerë këto makina me çmim më të lirë.

Kategoritë

Kategoritë që kanë të drejtë parablerje të makinave shtetërore janë deputetët, zv.ministrat, këshilltarët e Presidentit dhe Parlamentit dhe një kategori e rëndësishme drejtorësh. Po kështu, sipas ligjit për funksionimin dhe rregullimin e transportit të funksionarëve publikë, kryetari i ILDKP-së, drejtuesi i Forcave të Armatosura, Avokati i Shtetit dhe prefektët kanë të drejtën e parablerjes së makinave shtetërore. Vetëm 374 zyrtarë do të kenë të drejtën e parablerjes, ndërkohë që janë rreth 3700 automjete, që janë grumbulluar në rezervën e shtetit për t’iu nënshtruar ankandit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›