KiE, podiumi i krizës nacionaliste të Europës
Robert Menasse
Shkrimtar austriak
Ekziston një mendim i përhapur me shumë paragjykime për burokracinë në Bruksel. Por jam befasuar shumë me atë, që kam parë atje. Së pari, e ashtuquajtura burokraci e Brukselit nuk është një shoqëri e mbyllur, e cila ka humbur lidhjet me opinionin publik. Nuk është e vërtetë po ashtu, se atje rrinë njerëz të panjohur, të cilët bëjnë punë, që s'kanë lidhje me të tjerët. Unë jam befasuar me transparencën e burokracisë në Bruksel. S'kam pasur kurrfarë vështirësish të futem brenda dhe të flas me njerëzit, të informohem. Jam befasuar po ashtu me modestinë e burokracisë së atjeshme dhe me faktin se sa pak njerëz punojnë atje, kur dihet se ata merren në fakt me të gjitha problemet e kontinentit. Ka një kontradiktë mes vendeve anëtare dhe interesave të tyre, si dhe pohimeve për dëshirën e krijimit të organizmave të përbashkëta. Mbrojta e interesave nacionale po bëhet në Këshillin e Evropës, ku takohen edhe presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare. Ata bllokojnë atje shumë gjëra dhe për këtë shkak ekzistojnë kundërthënie elementare. Këto kundërthënie kanë shkaktuar edhe krizën. Ajo, që ne sot e quajmë krizë, është një krizë e transformimit dhe jo një krizë financiare. Kjo është një krizë politike. Elitat përgjegjëse janë të zgjedhura nga popujt e tyre, që do të thotë se tërë kohën duhet të përpiqen t'i mbrojnë interesat nacionale. Këto interesa i kundërvihen dhe i bllokojnë edhe zgjidhjet e përbashkëta të problemeve në nivelin evropian. Ndaj është e qartë se zhvillimi i Evropës është i mundur vetëm, nëse dobësohet roli i Këshillit të Evropës. Këtu bëhen bllokadat, këtu qëndron problemi dhe këtu mund të gjenden zgjidhjet për krizën e Evropës. Britania e Madhe është një shembull shumë i mirë i asaj, që thashë më parë. Ajo është anëtare e BE-së dhe pjesë e Evropës. Por në politikën evropiane Britania e Madhe është një prodhues konstant i krizave. Ajo nuk e ka futur euron në përdorim, është kundër zonës Shengen, kundër kontrollit të bankave. Njëkohësisht ka përfaqësues në të gjitha institucionet. Kryeministri David Cameron është pjesë e Këshillit të Evropës. Britanikët nuk kanë ndonjë interes të madh që Evropa të shkojë përpara. Ata bllokojnë kudo, që munden. Ndaj nuk është e mundur që përparimi i tërë kontinentit të varet nga Britania e Madhe, sepse ajo po pengon 26 vende të tjera. Unë kam kritikuar gjithashtu edhe politikën e përmbajtur të kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ka bërë që kriza të kushtojë gjithnjë e më shumë. Politika e Angela Merkelit është në një farë mënyre e kuptueshme, sepse ajo ka fituar votat në Gjermani dhe ka frikë se taksapaguesit gjermanë më nuk do t'ia japin votën, nëse ajo vazhdon të ndihmojë Greqinë. Ajo ka votuar gjithmonë kundër zgjidhjeve, të cilat më vonë megjithatë i ka pranuar. Zgjedhësit gjermanë duhet të dinë se projekti evropian ka filluar për të evituar mundësinë, që Evropa të jetë nën pushtetin e Gjermanisë. Dhe e dyta, kur thuhet se Merkel është e zgjedhur me mjete demokratike në Gjermani, atëherë duhet kujtuar fakti se ajo është zgjedhur në vetëm një nga 27 vendet anëtare të BE-së. Ndërkohë politika e saj ka pasoja për të 27 vendet. Kjo është kundërproduktive dhe tregon se në institucione ka kundërthënie dhe se Këshilli i Evropës ka tepër pushtet.
Marrë nga Deutsche Welle