E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të mëdhenjtë e UÇK-së apo të paprekshmit e Qeverisë

Ata që dikur hoqën maskat para Serbisë, për ironi tani kanë vënë maskat para qytetarëve të Kosovës. Si parantezë do theksuar se rruga për liri ishte e gjatë dhe shumë e mundimshme për qytetarët e Kosovës. As pesimistët me të mëdhenj, nuk do ta besonin, se ata që thirreshin në emër të UÇK-së, me të marr pushtetin do “pushtonin “ vendin e çliruar. Duke u përballur çdo ditë me këtë realitet të hidhur, ku më e rëndë se vdekja është jeta, më bën të dyshoj se këta që sot thirren në emër të UÇK-së së lavdishme, kanë të bëjnë sadopak me idealet e saj. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se ‘dikur të mëdhenjtë e UÇK-së, ndërsa sot të paprekshmit e “Qeverisë” nuk u dëshmua të kenë marr pjesë qoftë në një betejë të vetme në kohën e luftës. Në mungesë të fakteve, këta njerëz kanë zgjedhur propagandën e përvetësimit të dëshmorëve dhe luftës së tyre çlirimtare për të pasuruar egot e tyre për pushtet dhe pasuri. Edhe pas 13 vjetësh në liri,asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht. Dita ditës gjërat vetëm sa po keqësohen e kjo po ndikon në rritjen e numrit të qytetarëve që çdo ditë largohen nga vendi përmes formave dhe mënyrave të ndryshme. Më mungesë të perspektivës po na ikin edhe truri i shoqërisë. Segmentet më të rëndësishme në shoqëri:Ekonomia, Arsimimi, Shëndetësia janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Niveli i varfërisë është në shifra alarmante, rreth 37 % e popullatës llogaritet se jetojnë në varfëri, sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Ekonomive Familjare. Deri më tani, trendi i ngritjes në Kosovë nuk është udhëhequr nga ringjallja e sektorit privat zyrtar që do të krijonte vende më të qëndrueshme zyrtare pune. Duke iu referuar statistikave të organizatave vendor në vend, në raportin e fundit që e kanë dhënë në vitit 2009, 34 % e popullsisë konsiderohet të jetë e varfër me 1.5 euro në ditë, kurse 12 % në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë. Të ushqyerit jo adekuat është problem i veçantë me ndikim në një numër të madh fëmijësh. Arsimi po ashtu është në gjendje të tmerrshme e kjo dëshmohet edhe më raportet të cilat theksojnë se Kosova është e para për nga numri i analfabetizmit në Evropë. Rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë tregojnë se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë. Cilësia në universitetet e shumta private ( por dhe në atë publik) është në pikën me të ulët të saj, kemi prodhim të të diplomuarve analfabetë. Andaj e ardhmja shoqërisë sonë duket të jetë mjaft e zymtë. Si rezultat i luftës së gjatë psikologjike dhe vuajtjeve të qytetarëve të Kosovës është krijuar një apati. Dhe këtë “gjumë të Ujkut” po e shfrytëzojnë këta matrapazë,të cilëve maska e çlirimtarëve iu ka rënë moti. Fytyrat e tyre dolën në pah, dielli nuk mbulohet me shoshë…!!!

Faton Mehmeti


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›