Pranimi i krimeve nga serbi Ojdaniq hap rrugën për ballafaqim me të kaluarën
Gjatë vitit 1999, kur ushtria dhe policia jugosllave kryen krime kundër shqiptarëve të Kosovës, gjeneralkolonel Dragolub Ojdaniq kishte pozitën e shefit të Shtabit të Ushtrisë Jugosllave. Duke qenë njëri ndër komandantët kryesorë në hierarkinë komanduese të ushtrisë jugosllave, dhe në bazë të dëshmive të krimeve të bëra, në maj të vitit 1999, Gjykata e Hagës akuzoi gjeneralin Ojdaniq me akuza të ndryshme për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu edhe vrasjet masive, deportimet, transferimin e dhunshëm dhe persekutimin e popullatës mbi baza politike, racore dhe fetare.
Po e njëjta gjykatë, ish-gjeneralin e ushtrisë së Serbisë, Dragoljub Ojdaniq e ka dënuar me 15 vjet heqje lirie, për shkak të krimeve që i ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999. Pas vuajtjes së 2/3-vjetëve të dënimit, Ojdaniq shprehet: “Shpreh keqardhjen time të sinqertë për të gjithë ata që kanë vuajtur nga sjellja për të cilën jam dënuar. Pranoj plotësisht të gjitha gjetjet në gjykim. Gjithë çfarë më mbetet është ta vuaj dënimin”. Ky gjeneral pranon fajin, njëherësh merr përgjegjësinë për krimet që ka kryer nën komandën e ushtrisë së atëhershme Jugosllave, dhe për këtë vuan dënimin. Por pyetja është: Çfarë përgjegjësie do të marrin institucionet e Serbisë tani, pasi që ky gjeneral i pranoi krimet e bëra?
Forcat jugosllave nën komandën e Ojdaniqit vranë katërmbëdhjetëvjeçarët Agon dhe Belul Popaj, gjashtëvjeçarin Dardan Zhuniqin, tet vjeçaren Dardane Zhuniqin të vrarë në mars të 1999 në Bellacërkë të Rahovecit. Aktakuza kundër tij pohon se forcat jugosllave dhe serbe kanë djegur të gjallë gjashtëdhjetenjëvjeçaren Zyre Fejza, si dhe shtatëdhjetëvjeçaren Zoje Osmani, gjithashtu në mars të 1999, në fshatin Izbicë.
Këto forca akuzohen për keqtrajtim seksual dhe vrasje të tetë grave në fshatin Qirez, në mars të 1999, dhe hedhjen e trupave të tyre në tri puse. Ata gjithashtu ngarkohen për futjen me dhunë të 50 anëtarëve të familjes Berisha në kafenenë në Suharekë, më 1999, duke hapur zjarr dhe hedhje të eksplozivit mbi ta, si dhe vrasjen e 44 civilëve në Suharekë, në mesin e tyre 11 fëmijë nën moshën pesëmbëdhjetëvjeçare.
Qindra mijëra viktima në Kosovë kanë të drejtë dhe ende presin drejtësi. Kërkim- falja është gjesti i parë simbolik që bën një ushtarak serb i dënuar për krime lufte në Kosovë, dhe kjo konsiderohet si lehtësim për dhimbjen e familjarëve të viktimave civile dhe të të zhdukurve në Kosovë.
Lajmi shënon një kthesë në historinë e pasluftës mes dy vendeve me marrëdhënie “ende të acaruara”, dhe padyshim që është një kthesë në fushën e ballafaqimit me të kaluarën në rajon. Ne mund të aludojmë se Ojdaniqi e ka të drejtën që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit, të kërkojë lirimin, dhe derisa kërkim-falja si gjest simbolik e lehtëson vuajtjen e viktimës, por gjithashtu kjo do të mund edhe ta irritojë viktimën dhe të shkaktojë ‘dëm, sakrifikim dhe flijim i dyfishtë’ për viktimën. Kjo për arsyen se në disa raste, fajtorit i zbutet dënimi po qe se bashkëpunon me organet gjyqësore dhe jep informacione të vlefshme për prokurorinë, e që kanë të bëjnë me fakte që çojnë në zbulime të reja.
Në anën tjetër, shteti dhe institucionet që u shërbeu Ojdaniqi ngarkohen me përgjegjësitë për të paguar reparacionet për dëmet e shkaktuara dhe mirë të dokumentuara. Deri tani, të gjitha qeveritë serbe kanë mohuar çfarëdo përgjegjësie për krimet e bëra ndaj civilëve në Kosovë, por tani mund të çelet kutia e Pandorës!
A do të tregohet Serbia e gatshme për të përmbushur plotësisht dhe me vullnet të mirë obligimet e veta për reparacionet e luftës.
Kërkim-falja ndryshe është gjest simbolik dhe ndikon në rikthimin e dinjitetit të viktimës. Kërkim-falja e Ojdaniqit ka të bëjë me njohjen e vuajtjes dhe sakrificës së viktimave të krimeve të luftës në Kosovë. Reparacionet (dëmshpërblimet) janë nisma të sponsorizuara nga shteti, e të cilat ndihmojnë në riparimin e dëmeve materiale dhe morale të abuzimit në të kaluarën.
Do të ishte gjithashtu e dëshirueshme që qeveria serbe, e kapur ‘në flagrancë’ nga një deklaratë e tillë të fillonte ballafaqimin me të kaluarën duke përdorur këtë pohim në gjykatat vendore të Serbisë, për t’i gjykuar oficerët tjerë të ushtrisë, më parë të involvuar në krime lufte në Kosovë. Por, drejtori i Këshillit Kombëtar të Serbisë për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës në Qeverinë e Sërbisë, Rasim Ljajiç nuk jep sinjale të tilla, ai e cilësoi rrëfimin e Ojdaniqit si jorelevant, duke u shprehur se “rrëfimi i tij nuk ka pasoja për Serbinë dhe se ka qenë veprim i tij personal”.
Ka lloj-lloj supozime që na sjellin deri te konkludimet se një gjest i tillë i Ojdaniqit ndoshta ka qenë fryt i presionit të institucioneve të Serbisë për të pranuar gabimet dhe fajin, ndërkohë që zbatimi i marrëveshjeve të deritashme ndërmjet Beogradit e Prishtinës (të cilat Beogradi dhe Prishtina i interpretojnë ndryshe) duhet të përparojë, e veçanërisht te kriteri i pestë që ka të bëjë me takimin në nivelin më të lartë Serbi – Kosovë.
Do duhej pikërisht në këtë takim që Qeveria e Kosovës të shkonte e përgatitur e të kërkonte që para çdo teme tjetër, të kërkojë me këmbëngulje informatat rreth 1976 personave të zhdukur nga Kosova, në mesin e të cilëve mbi 400 janë serbë e romë. Ky është prioriteti numër një, dhe nuk do të ketë kurrë qetësi në Kosovë përderisa kemi ende persona të zhdukur të të gjitha etnive. Më vonë edhe mund të vijnë modalitete të ndryshme te bashkëpunimit rreth së kaluarës së hidhur me Serbinë. Por kjo të jetë çështja kyçe e diskutimit.
Njëherësh, kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës do duhej gjithashtu të bashkëpunojë me Qeverinë serbe rreth identifikimit të mbi 400 personave të zhdukur serbë e romë, për të cilët ende nuk dihet se ku gjinden. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se ky fakt sjell deri te relativizimi i krimeve. Në asnjë mënyrë, nuk ka relativizim aty ku forenzika dëshmon shkencërisht me numrin e mbi 13,421 të vrarëve në Kosovë, nga të cilët 10,533 janë shqiptarë, 2,238 ishin serbë, 126 romë, 100 boshnjakë dhe të tjerë.
Ikja nga përgjegjësia dhe ballafaqimi që përdoret kinse si barazim i përgjegjësisë (asaj serbe me atë shqiptare) nuk qëndron. Viktima flet me dhimbje, gjithmonë e shtyrë nga turpi i të qenit viktimë dhe hidhërimi.
Një qasje e tillë do të hapte mundësi edhe për të bashkëpunuar tutje rreth formimit të komisionit rajonal për të vërtetuar krimet e luftës dhe dëmeve ekonomike, e nga një verifikim i tillë do të arrihej më lehtë edhe deri te rehabilitimi i viktimave dhe riparimi i marrëdhënieve të brishta mes dy palëve.