E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE rimerr në dorë krizën shqiptare

Më 2 dhe 4 mars pritet t’i kërkohet mazhorancës vullnet për kompromis

Këshilli i Europës pritet të rimarrë sërish krizën shqiptare, duke e trajtuar atë jo më si një çështje në negocim, por si një rast monitorimi i një vendi që shkel standardet. Nga burime diplomatike mësohet se më 2 dhe 4 mars në Strasburg pritet të nisin diskutimet për krizën shqiptare përpara sesionit të ri parlamentar që nis më 12 mars dhe mblidhet në Paris. Grupi socialist i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që drejtohet nga Andrea Gross dhe grupi i të majtëve të bashkuar me drejtues Tiny Cox, pritet të marrin si nismë politike kërkesën për një qëndrim të ri pas ndërprerjes së bojkotit nga ana e Partisë Socialiste. Megjithëse në axhendën e përgatitur nuk është parashikuar një debat i posaçëm për Shqipërinë, ai pritet të mbahet, pasi siç e deklaroi dhe presidenti i Asamblesë Parlamentare, Mevlut çavusoglu, gjatë vizitës në Tiranë në fillim të javës së ardhshme, “ne do ta ndjekim situatën hap pas hapi dhe shumë afër”.

Qëndrimi

Në përfundim të vizitës në Shqipëri, delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, i drejtuar nga presidenti Mevlüt çavusoglu, liderët e pesë grupeve politike dhe bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë u bëjnë thirrje partive politike t’i japin fund krizës aktuale politike në vend, në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetësore të nevojshme.

Ata besojnë se mungesa e dialogut parlamentar minon funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit. Ata vërejnë se si Partia Demokratike dhe Partia Socialiste mirëpritën Rezolutën 1709 të APKE-së mbi funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, të miratuar në sesionet plenare janarin e shkuar, në përgjigje të së cilës Presidenti Topi mblodhi një tryezë të rrumbullakët të liderëve politikë shqiptarë më 13 shkurt 2010.

Delegacioni përgëzon Presidentin dhe inkurajon atë të vazhdojë përpjekjet e tij. Ata arrijnë në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në parimet e mëposhtme: 1. Krijimi pa vonesa të tjera të një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, i kryesuar nga një përfaqësues i opozitës dhe në të cilin opozita të ketë një shumicë efektive;

2. Ky komision hetimor duhet të përgatisë amendamentet për Kodin Elektoral në përputhje me rekomandimet e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit dhe të Rezolutës 1709; 3. Opozitës do t’i jepej një numër i drejtë i kryesive të komisioneve parlamentare. Lidhur me termat e referencës të komisionit parlamentar, delegacioni i APKE-së vë re se të dyja palët bien dakord që kjo duhet të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Delegacioni është i mendimit se kjo do të ishte e mjaftueshme për të mundësuar pjesëmarrjen e përhershme të opozitës në punën e Parlamentit. Ai u bën thirrje atyre ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.

Rezoluta

Në dokumentin e miratuar në seancën e 28 janarit theksohet se Asambleja Parlamentare shpreh keqardhje për krizën politike, e cila ka dëmtuar seriozisht politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me bojkotin e Parlamentit nga opozita e udhëhequr nga Partia Socialiste dhe kontestimin e legjitimitetit politik të qeverisë së udhëhequr nga Partia Demokratike. Në një Parlament ku mazhoranca qeverisëse nuk ka 3/5, që është shumica e kërkuar për të miratuar reforma kryesore kushtetuese, ky bojkot i bën shumë reforma të nevojshme të pamundura. Kjo situatë dëmton qytetarët shqiptarë dhe ambiciet e tyre për integrimin europian. Në veçanti, asambleja i kërkon qeverisë të ngrejë, pa vonesa të mëtejshme, një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e qershorit 2009, që do të respektojë vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për komisionet e hetimit parlamentar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›