E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, abuzime e shkelje me 11 tenderë

Problemet e konstatuara nga KLSH-ja, që nga procedurat dhe deri te konkurrenca

Për një vit resht, në polici është abuzuar me 11 tenderë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme shtetit shqiptar. Abuzimet janë vënë në dukje nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku përfshihen që nga veshmbathjet, rikonstruksioni i godinave, mirëmbajtja e pajisjeve e deri te harxhimet me karburant. Vlera totale e tenderëve shkon në miliona lekë, por edhe vlera e dëmeve të shkaktuara është tejet e lartë, që ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të procedurave, ligjeve në fuqi dhe të konkurrencës së pandershme.

Verifikimi për 55 tenderë

Në buletin e kontrolleve gjatë vitit 2009 nga KLSH-ja, sa i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, janë vërejtur një sërë shkeljesh edhe në aktivitete të tjera, por sidomos në zhvillimin e tenderëve. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë kontroll janë studiuar 55 prokurime, nga të cilat 22 prokurime me tender të hapur, 18 prokurime me negocim pa shpallje kontrate, 6 prokurime janë kryer me procedurë të përqendruar në Ministrinë e Brendshme, një tender me VKM dhe tetë të fundit janë realizuar në rrugë elektronike. Nga të dhënat rezulton se për tenderimet janë planifikuar të shpenzohen afërsisht 831.7 milionë lekë dhe janë shpenzuar rreth 825.7 milionë lekë, duke kursyer për efekt të konkurrencës së operatorëve në treg për investime dhe shërbime rreth 6 milionë lekë më pak nga fondet e limituara. Por, gjatë analizimit dhe vlerësimit të zbatimit të procedurave të prokurimit nga momenti i nxjerrjes së urdhrit të prokurimit deri në lidhjen e kontratës, janë konstatuar shumë shkelje. Shkeljet flagrante janë parë sidomos në 11 tenderë, që janë nga më të ndryshmet. Madje, nga raporti i KLSH-së mësohet se mangësitë më të shumta kanë të bëjnë në ndjekjen e procedurave ligjore për plotësimin me dokumente përkatëse, që lë hije dyshimi për këto tenderë.

Shkelje në veshmbathje

Sipas raportit, në tenderin e zhvilluar me objekt “Pantallona vere viskoze”, “Funde vere për femra dhe pulovra”, me fond limit 26.4 milionë lekë, shkelja e parë është konstatuar në procedurat e përgatitjes dhe miratimit të dokumenteve. Ky tender ka mangësi e shkelje që nga lista e pjesëmarrësve në tender që është e paprotokolluar, firma fituese nuk ka kontrata të ngjashme të realizuara më parë, kopja e deklaratave të xhiros është e pacertifikuar e shumë mangësi të tjera. Edhe në zbatimin e kësaj kontrate vihen re mangësi të tjera, që sjellin probleme dhe abuzime me këtë tender, duke shkaktuar dëm ekonomik.

Rasti i radhës ka të bëjë me tenderin për “Blerje këmisha policie me mëngë të gjata” dhe “Blerje këmisha policie me mëngë të shkurtra”, me fonde limite përkatësisht 8.9 milionë lekë dhe 8.6 milionë lekë, që pretendohet se kanë marrë pjesë katër shoqëri, por që zyrtarisht rezulton e kundërta, pasi kanë firmosur vetëm tri prej tyre. Edhe në këtë tender ka një sërë mangësish, pasi ndryshe është pretenduar diferenca fond-ofertë dhe ndryshe rezulton nga dokumentacionet e përgatitura.

Rikonstruksioni i godinave

Rasti tjetër ka të bëjë me kontrollin për zhvillimin e tenderit “Për rikonstruksionin e godinës së re të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier”, me një fond limit afërsisht rreth 46.5 milionë lekë. Që në dosjen e tenderit nuk ka të dhëna dhe as dokumente mbi saktësimin e fondit limit për tenderin e zhvilluar, që është një veprim i detyrueshëm për Autoritetin Kontraktor. Në procesverbalet e verifikuara rezulton se është përjashtuar nga konkurrimi një firmë, me argumentimin se në zarfin e ofertës origjinale nuk gjendet zarfi me mbishkrimin “oferta kopje”. Megjithatë, KLSH ka vërtetuar se oferta ekonomike e atij operatori nuk është hapur fare me këtë argumentim. Gjatë kontrollit, KLSH ka hapur zarfin me dokumentet origjinale dhe rezulton se oferta ishte rreth 8 milionë lekë më e ulët se oferta fituese. Megjithatë, operatorit i është mohuar kjo e drejtë, pasi sipas ligjit, mund t’i jepej kohë që të sillte kopjen e noterizuar të dokumenteve origjinale, për më tepër që edhe firma fituese nuk ka pasur gjithë dokumentacionin e rregullt. Madje, firma fituese nuk i ka kryer gjithë punimet duke përfituar vlera padrejtësisht, pavarësisht se ishin në kontratë.

Tenderi “Për vlerën e kontratës shtesë të punimeve të paparashikuara në projektin e rikonstruksionit të godinës së Lezhës”, me fond limit 8.5 milionë lekë janë vërejtur pothuajse të njëjtat probleme me tenderin për rikonstruksionin e godinës së Policisë së Fierit, duke shkaktuar edhe në këtë rast një dëm të konsiderueshëm financiar, pasi ka pasur devijime nga preventivi për punimet e zbatuara.
Rrugorët dhe krimet

Ndërsa në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje radarë të lëvizshëm dixhitalë për policinë rrugore”, me fond limit 41.6 milionë lekë, veç të tjerash bie në sy edhe mungesa e argumentimit të këtij fondi. Pra nuk është argumentuar se ku autoriteti kontraktor është bazuar për çmimin e blerjes së radarëve. Shkelje të ndryshme janë konstatuar edhe në tenderin e zhvilluar me objekt “Blerje xhaketa fosforeshente”, me fond limit 2.6 milionë lekë dhe tenderin me objekt “mirëmbajtje e aparaturës Gazkromatograf Masspektrometër”, me fond limit 1.2 milionë lekë.

Tenderët për karburant

Abuzime janë bërë edhe me tenderët e karburantit. Pikërisht në tenderin “Blerje Gazoil”, me fond limit 45.8 milionë lekë, ku vlera e kontratës ka qenë më e lartë. Në këtë tender bie në sy edhe mospërputhja e datave sipas procedurave, ku komisioni është zgjedhur në një kohë rekord. Probleme të ngjashme, duke sjellë shkelje të ligjit dhe procedurave kanë ndodhur edhe me dy tenderë të tjerë për karburantet, përkatësisht me objekt “Blerje benzinë super pa plumb”, me fond limit 29.4 milionë lekë dhe 29 milionë lekë dhe një tjetër tender “Blerje gazoil”, me fond limit 70.8 milionë lekë. Gjithashtu, në këta tenderë nuk janë marrë parasysh plotësimi i të gjitha dokumenteve përkatëse, duke lënë vend për abuzime të ndryshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›