E Diel, 1 Nëntor 2026

Kiço Ngjela: Komunistët e Lindjes nuk na donin

-Im atë ruante për atë kohë edhe dy fakte tepër të çuditshme që tregojnë qartë edhe frikën e Mehmet Shehut, por edhe ftohtësinë që ai gjente në të gjithë botën komuniste. Në fakt, për frikën e Shehut përballë botës komuniste e sidomos përballë Kremlinit kam dëgjuar të pohojnë shumë të tjerë, por besoj se të dyja faktet që më ka rrëfyer im atë, Kiçoja, në lidhje më këtë aspekt të jetës së Shehut, duhet të jenë pa dyshim më domethënësit. Mund të themi se shqiptarët në krejt shekullin që kanë dalë si shtet i pavarur, asnjëherë nuk janë përfillur realisht nga europianet. Prandaj, edhe në botën komuniste euopiane, ne si shqiptarë jemi parë me dyshim; nuk na kanë pranuar asnjëherë si të barabartë dhe kjo dukej se vinte si një vazhdë shekullore. Nuk na respektonin dhe sidomos Hoxhën e shihnin si prototip të njeriut jo të besueshëm e po kështu edhe Shehun. Siç duket, një diç ka pasur në lidhje me afrinë tonë me botën e islame, me otomanët dhe me Perandorinë Turke. Si të pafe` na kanë parë, si të egër, dhe si të lidhur tërësisht me Portën e Lartë. Kjo ndihet edhe sot, por në fillim të shekullit sikur ka qenë shumë më e theksuar. Edhe nëpër hartat e Europës, Shqipërinë shpesh nuk e vinin, madje deri vonë gjatë viteve ‘90 nuk ka qenë as dhe në informacionin ndërkombëtar të prefikseve telefonike. Sikur nuk është shtet, aq sa edhe pushtimin e Italisë fashiste më 1939, askush nuk e përmendi atëherë dhe ka filluar të ceket në histori capak këto kohët e fundit, domethënë gjatë mijëvjeçarit të ri.

Edhe atëherë, në kohën që Shqipëria bënte pjesë në botën komuniste europiane, kështu ka qenë. Të gjitha vendet europiane, me përjashtim të Bashkimit Sovietik, na shihnin me dyshim, madje me një farë përbuzjeje dhe nuk na kanë pranuar. Kjo ka qenë një refleks i politikës shekullore të Europës Qendrore dhe Perëndimore që i kanë parë shqiptarët si jo europianë, si të ardhur, dhe si jashtë qytetërimit kristian. Europa ka qenë gjithmonë fetare dhe për sekularizmin e saj mund të flitet vetëm pas viteve gjashtëdhjetë, kurse përjashtim ka bërë, befas, Bashkimi Sovjetik i Hrushovit, i cili papritur, që nga viti 1955, e trajtoi Shqipërinë si një shtet të barabartë, si një vend socialist dhe kërkonte që t’i jepte përparësi në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare. Por le t’u kthehemi ngjarjeve.

-Ngjarjet kanë ndodhur në diapazonin kohor 1954-1958, kur im atë, si Ministër i Tregtisë, kishte qenë në delegacione qeveritare me Kryeministrin Shehu, për të nënshkruar marrëveshjet tregtare në të gjitha vendet e Lindjes. Ata të dy, bashkë, kishin qenë disa herë për këtë gjë në Varshavë, Pragë, Berlin, dhe Budapest. Por të dyja ndodhitë që po përshkruaj lidhen vetëm me Berlinin e Varshavën. Të them të drejtën, për këtë si ngjarje diçka kisha dëgjuar qyshse kisha qenë fëmijë dhe diçka më kishte mbetur turbull në mendje. Por im atë m’i shpjegoi qartë në Burgun e Burrelit tek flisnim me njëri-tjetrin për kujtimet.

“Kishim njëzet e katër orë që kishim mbërritur në Varshavë, më tregoi ai dhe Kryeministrin e Polonisë nuk e kishim takuar ende…” (Kryeministër në atë kohë në Poloni ishte Cirankeviçi, ish Kryetari i Partisë Socialdemokrate polake, parti e cila ishte bashkuar me Partinë Komuniste dhe pas lufte kishin formuar Partinë e Bashkuar Punëtore të Polonisë, duke i ndarë postet: kryeministri socialdemokrat, kurse Kryetari i Partisë, komunist)… Por, ja se si shprehet Kiçoja:

“E kuptova se po i qëndronin ftohtë Shehut dhe pak a shumë e dija edhe motivin: e quanin oriental dhe ekstremist në bindjet e tij, të egër, por edhe të papranueshëm nga Moska, pa ndonjë shpjegim. Megjithatë, bisedimet i nisëm me Zëvendëskryeministrin, kurse në darkë shkuam të ndiqnim operën Traviata në Teatrin e Operës. Kishim zënë vend, ishin shuar edhe dritat, kur befas në llozhën tonë, e cila ishte edhe llozha qeveritare e teatrit, hyri Kryeministri polak…Por diçka e habitshme na ndodhi ndërkaq, sepse Cirankeviçi, pasi na hodhi një vështrim të ftohtë, u ul në karrigen e tij dhe nuk na foli fare…”

Shehu ishte bërë keq, aq sa nuk po qëndronte dot më. “Ai tip aq impulsiv ― më shpjegonte Kiçoja ngadalë dhe me njëfarë ironie të hidhur― nuk mund ta duronte dot këtë fyerje, prandaj ndenjëm deri në fund të aktit të parë dhe u larguam që të dy.” Por sapo kishin mbërritur në hotel, duke bërtitur, Shehu i kishte thënë tim ati se nesër do të iknin, do ta ndërprisnin vizitën në shenjë proteste. Por im atë rrinte i shqetësuar për fatin e një kredie prej 6 milionë rublash që e kishte bërë gati për ta firmosur, e cila, po të refuzohej do t’i dëmtonte shumë. “Nuk kisha si t’ia bëja - vazhdon Kiçoja - prandaj u mbylla në dhomën time e po mendoja, derisa më në fund kujtova se e kisha gjetur një zgjidhje. Shkova me nxitim në dhomën e Kryeministrit Shehu dhe i thashë:

“Në fund të fundit ne e dimë që Cirankeviçi është një socialdemokrat, prandaj kuptohet se atë qëndrim do të mbajë. Mos do të ishte më mirë t’i kërkoje një takim Bjerutit, Sekretarit të Parë të Partisë, sepse edhe ikja me protestë na dëmton”.

“Mirë, mendim i mirë, duhet provuar me Bjerutin”, kishte thënë Shehu, dhe të nesërmen që në mëngjes i kishte kërkuar Bjerutit takim me anë të Ambasadorit shqiptar.

Në drekë u bë takimi më Bjerutin dhe kur Shehu ishte kthyer në hotel, shkëlqente nga gëzimi sepse Bjeruti e kishte pritur si një shok, si një mik, ia kishte pranuar të gjitha dhe i kishte bërë shumë nderime, këshu që bisedimet vazhduan dhe kredia u mor.

Libri i Spartak Ngjelës

Mehmet Shehu me revole në

dorë në trenin Pragë-Berlin

-Rasti i dytë ishte nga fundi i viteve 50’, kur të dy po shkonin me tren nga Praga në Berlin, pasi kishin nënshkruar marrëveshjet tregtare në Pragë. I kishin akomoduar në një vagon të klasit të lartë, me suita dhe me dhomë pritje, tamam si për kompartimentet e një kryeministri. Udhëtimi ishte duke u kryer natën dhe në Berlin do të mbërrinin diku rreth orës 08.00 të mëngjesit. Por aty nga ora dy e mëngjesit, ende pa u gdhirë, Shehu i kishte rënë derës së Kiços dhe i kishtë bërë me shenjë të shkonin në dhomën e tij. Pas pak të dy u gjendën në studion e kryeministrit, ndërsa treni po ecte.

“Kiço, duhet të jemi të përgatitur - i tha Shehu - sepse neve nuk po na çojnë në Berlinin Lindor, por në Gjermaninë Perëndimore”. Sipas Kiços, Shehu ishte shumë i tronditur, prandaj ky nuk kishte si ta kundërshtonte. “M’u duk krejt absurde - tregonte Kiçoja - por isha i detyruar t’ia pranoja, ndonëse nuk mund ta kuptoja se si kishte mundësi që delegacionin e nivelit të lartë qeveritar të Shqipërisë ta degdisnin me tren në Gjermaninë Perëndimore dhe, për më tepër, përse duhej ta bënin këtë çekosllovakët”. Por, Shehu që ia kishte pikasur dyshimin, kishte nisur t’i shpjegonte se pas ngjarjeve në Moskë, atyre, stalinianëve të Tiranës mund t’u bënin gjithçka. Dhe im atë qe habitur. E dinte se dyshja Hoxha-Shehu ishte e trembur shumë nga ato që po ndodhnin në Lindje, por kurrë nuk e kishte imagjinuar se punët mund të kishin shkuar deri këtu. Frikë, tregonte Kiçoja, një frikë patologjike kishte parë te Shehu, i cili nuk ishte mjaftuar vetëm me konstatimin se po e çonin në Gjermaninë Perëndimore, por i kishte kërkuar këtij që edhe ky si ai të mbante revolverin në dorë dhe që të dy të përgjigjeshin me luftë.

“Këtu gjendja arriti kulmin. As veshëve nuk mund t’u besoja”, tregon im atë. Shehu ngulmonte për rezistencë, prandaj i kishte zgjatur një revolver, e të dy bashkë, në të njëjtën suitë, kishin zënë vend në tryezën e punës, me revole në dorë e me fytyrë nga dera. “Po zbardhte, - po më thoshte Kiçoja- dhe unë menjëherë e pikasa që ishim në territorin gjerman”. Ai në fakt e kishte bërë shumë herë atë rrugë, prandaj sigurisht që e mbante mend mirë. I kishte thënë edhe Shehut disa herë, madje duke i garantuar siguri se ishin, në fakt, duke udhëtuar në Gjermaninë Lindore, madje drejt Berlinit Lindor. Por Shehu kishte kërcyer edhe më shumë duke mos e dëgjuar fare. I kishte thënë se ishte zgjuar kur kishte pikasur ndërrimin e vagonit. “Na e kanë ndërruar trenin,- fliste ai- e kam dëgjuar vetë”. “Pa problem,- i thoshte Kiçoja- se ne nuk kemi trenin në dispozicion, por vagonin, kështu që e ndërrojnë përgjatë rrugës, për ta lidhur me trenin që shkon për në Berlin”. Por ishte e pamundur. “Nuk i kupton ti, Kiço, këto, - kishte thënë më në fund- unë kam qenë Ministër i Brendshëm”.

“Erdhi një moment, - thotë im atë, - që po më vinte për të qeshur, por nuk kisha çfarë të bëja, sepse atë që kisha përballë, e kisha pasur edhe mik, edhe kryeministër dhe e kam respektuar gjithmone si një njeri të aftë dhe vendimmarrës dhe asnjëherë intrigant. E dija që ishte i nxituar dhe dyshonte shumë e, shpesh, tregohej edhe impulsiv, por që shqetësimi ta kishte çuar deri në dyshime të tilla, po me ngjante si çudi”.

Në ora tetë të mëngjesit, treni kishte hyrë në stacionin e Berlinit Lindor, dhe aty, nga dritaret e suitës së kryeministrit, edhe Kryeministri shqiptar, edhe Ministri i tij i Tregtisë, kishin parë Kryeministrin dhe një pjesë të qeverisë gjermanolindore që kishte dalë për t’i pritur; kështu që revolet duheshin futur sërish në çantë dhe ajo ngjarje nate duhej arkivuar në memorie si shumë të tjera të këtij lloji. Por Shehu, ndonëse ishte çliruar më në fund, nuk e kishte zgjatur. “U mat dy herë të më thoshte diçka, - tregon Kiçoja - por nuk mundi, sepse veshi pallton e tij të zezë e ma bëri me gjest ta ndiqja mbrapa.”

-Kjo ishte aventura e fundit e Shehut në turbullirat e paskongresit të XX, e cila me siguri që nuk i është ndarë, deri në natën që vendosi të vriste veten me mendimin e plotë se të nesërmen do të arrestohej. Por nga ana tjetër, kjo ngjarje tregon sigurisht se kudo që kishte shkuar Kryeministri shqiptar në Lindjen Komuniste, në Varshavë, në Pragë, në Budapest ishte pritur ftohtë, madje shumë ftohtë. Dhe im atë ma ka pohuar shumë herë këtë. Prandaj, politbyroistët shqiptarë kishin disa vjet, qysh pas ardhjes së Hrushovit në pushtet, që ndiheshin të vetmuar në botën lindore, sepse ndodhi` si kjo mund të dëgjoje rëndom gjatë kësaj periudhe, dhe të gjitha rrethet e komunizmit shqiptar e dinin këtë gjë. Rrethi i Parë madje po ndihej i diskriminuar dhe Hoxha e vërente që, ose duhej të ikte, ose duhej të ndërmerrte ndonjë hap politik, sepse kështu nuk mund të shtyhej më. Kjo ishte arsyeja që tek vizita e Hrushovit ishin varur shumë shpresa atëherë, Çfarë do të ndodhte, a do ta kalonte lumin Enver Hoxha, duke u pranuar si Sekretar i Parë i Partisë së Punës, apo do t’i bëhej sërish i njëjti propozim, që të largohej butë? Në të vërtetë, të gjithë analistët e mëpasëm janë të habitur se si pati mundësi që Enver Hoxha u zvarrit aq gjatë, pa u eliminuar nga sovietikët, kur edhe ai vetë e dinte se ata nuk ta zgjasnin. Kjo, mendoj se do të mbetet e gjitha enigmë edhe për shumë kohë akoma, ndonëse, megjithatë, duhet thënë se vizita e mahnitshme e Hrushovit në Shqipëri dhe pritja madhështore që iu bë, të paktën u dha edhe një vit kohë Hoxhës dhe Shehut sepse në vitin 1960 u doli përpara Kina e Mao Ce Dunit, me të cilën ata u lidhën duke neutralizuar dy dyshime të mëdha, të cilat nuk do të mund t’i kapërcenin përballë Moskës, pa Kinën dhe pa figurën e Mao Ce Dunit. Dyshimi i parë ishte nëse Shqipëria ende qëndronte në botën komuniste dhe po ndërtonte socializmin, sepse ishte shkëputur nga Bashkimi Sovjetik për të mbrojtur doktrinën e tradhtuar, dhe i dyti, nëse Kina i kishte mundësitë që ta mbante Shqipërinë ekonomikisht, gjë e cila ndodhi me të vërtetë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›