Të sëmurët rëndë, marrëveshje me mjekët italianë
Pacientët shqiptarë me diagnoza të vështira, do të mund të trajtohen në spitalet e Triestes në Itali. Në një takim të ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili me përfaqësues të shëndetësisë italiane, këta të fundit kanë premtuar se të sëmurët me diagnoza të vështira dhe të pamundura për t’u kuruar këtu, do të dërgohen për trajtim në Itali. Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në kualifikimin afatgjatë të mjekëve shqiptarë. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, javën e shkuar tetë mjekë shqiptarë dhe 11 infermierë janë trajnuar në disa fusha specifike, si terapia e fibrozës cistike, ORL, ndërhyrja e shpejtë në pediatri, kërkimi farma-kinetik dhe për përgatitjen e citostatikve. Ministri Vasili ka pritur dje një delegacion të Rajonit Friuli Venezia Giulia (FVG), të kryesuar nga z.Elio De Anna, ministër rajonal i Kulturës, Sportit, Marrëdhënieve me Jashtë. Ministrat kanë folur për nivelin e lartë të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe rajonit autonom FVG, veçanërisht në fushën e shëndetësisë. Mes Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë dhe rajonit ekziston dhe një marrëveshje bashkëpunimi, firmosur në tetor 2010.