Kidnapohet 10-vjeçari, policia kërkon të dyshuarin

T.Gj., 10-vjeç, derisa ishte duke u kthyer nga shkolla në fshatin Zllakuqan të Klinës është rrëmbyer nga persona të panjohur. Rastin në polici e ka paraqitur babai i tij, Gjergj Gjokaj.
“Me të marrë këtë informatë, të gjitha njësitë policore të stacionit në Klinë, janë përgjigjur rastit dhe pas një pune operativo hetimore është arritur që të identifikohet i dyshuari i rrëmbimit, shtetasi i Kosovës Zef K. (1985) me banim në fshatin Berkovë të Klinës”, ka dekalruar Xhevat Ibraj, zëdhënës i policisë rajonale.
Ai tha se, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ndërsa bazuar në deklaratën e Tomë Kqiraj (babait të dyshuarit) është marrë informatë se pas rrëmbimit, i dyshuari se bashku me viktimën ishte larguar për në pyll, ku me vete kishte marre një thikë dhe një batanije.
I dyshuari kishte bërë tërheqjen e viktimës me forcë nën kanosje dhe e kishte futur në thellësi të malit duke e dërguar në drejtim të panjohur për viktimën.
Njësitë policore kanë vazhduar me kontrollimin e malit në kërkim të viktimës ku dhe është arrit që viktima të gjendet i braktisur nga i dyshuari i cili pasi që kishte vërejtur prezencën e policisë duke ju ofruar, ai kishte ikur në drejtim të panjohur.
Viktima është dërguar menjëherë për ekzaminim mjekësor dhe sipas mjekut gjendja e tij është e mirë dhe ai i është kthyer familjes. Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit dhe rasti pas kompletimit do të dërgohet në Prokurorinë e Shtetit./Indeksonline/