Kili pranë 1/8-ve, Zvicra K.O. me rekord
Optimizmi në himnin kilian (“E ardhmja është e ndritur”), më në fund duket se është materializuar: të besuarit e Marselo Bielsa mposhtin edhe Zvicrën dhe fluturojnë në krye të Grupit H. Gjithsesi, të kuqtë ende nuk mund të festojnë kualifikimin matematik. Skuadra e drejtuar nga “Loko” (“I çmenduri”, kjo është nofka e trajnerit argjentinas), funksionon më së miri: me një sulmues më të saktë përpara portës se Paredes, ndoshta sfida do të ishte mbyllur me goleadë. Megjithatë, përballja ndërmjet Kilit dhe Zvicrës u ndikua në mënyrë të dukshme nga gjyqtari saudit, Al Ghamdi: me kartonët e shumtë (duke përfshirë këtu edhe të kuqin ndaj Behramit në minutën e 31-të), arbitri nuk u tregua i denjë për takime të këtyre niveleve.
Në 30 minutat e para të takimit ka pasur vetëm një moment të rrezikshëm nga Kili: tentativa dyshe e Vidal dhe Karmonas neutralizohet nga Benaljo. Më pas vjen largimi i Valon Behramit nga fusha. Lojtari i Uest Hemit mbron topin gjatë presingut të Vidal, por ngre pak më shumë se ç’duhet bërrylin dhe mbrojtësi i Leverkusenit shembet në tokë. “Bilbili” Al Ghamdi, që më parë kishte ndëshkuar pa të drejtë me karton të verdhë Suazon, Ponsen dhe Nkufon, nxjerr direkt kartonin e kuq për mesfushorin kosovar që militon me përfaqësuesen helvetike. Ndeshja ndryshon në fraksionin e dytë të lojës, me zëvendësimet e Suazos dhe Vidal, të cilët ia lënë vendin Valdivias dhe Gonzalezit. Pas tentativave të shumta me Sançez, Gonzalez dhe Paredes, në minutën e 75-të vjen edhe goli që hyn në historinë e botërorit. Gonzalez, lojtari i CSKA-së së Moskës, përshëndet rrjetën. Ndërkohë, vetëm pak minuta më parë (më saktësisht në të 67-ën) zviceranët kishin thyer rekordin e periudhës pa pësuar gol në Kupën e Botës. Primati i mëparshëm, i vendosur ndërmjet 1986 dhe 1990, i përkiste Italisë (551 minuta), ndërsa rekordi i ri i helvetikëve është plot 559 minuta. Minutat e fundit të ndeshjes kanë regjistruar shumë raste për shënim për Kilin, që shpërdoron me Paredes, ndërsa dhe Zvicra kishte shans të barazonte me Derdijok, që ishte i pafat në gjuajtjen e tij. Skuadrat që do të kualifikohen në këtë grup do të përcaktohen në ndeshjet e fundit, ku Kili luan me Spanjën, ndërsa Zvicra ndeshet me Hondurasin.
#