Spanja ngre kokën, dopio Vija dërgon Hondurasin në shtëpi
Kampionët e Europës janë gjallë. Madje shfaqen në gjendje mjaft të mirë. Spanja ringrihet pas humbjes surprizë me Zvicrën, mposht 2-0 Hondurasin, humbet një penallti dhe shpërdoron të paktën 5-6 raste të mira për shënim. “Furia e Kuqe” ka praktikuar një qarkullim më të shpejtë të topit, ndërsa vertikalizimet mbeten pika e fortë e iberikëve. Të paktën deri në penalltinë e humbur nga David Vija, loja e të besuarve të Del Boskes ka qenë e kënaqshme. Më pas, spanjollët duket se nuk kanë më forca dhe ndoshta e nënvlerësojnë kundërshtarin, deri në pikën sa nuk arrijnë më të gjejnë rrjetën: nuk arrijnë të shënojnë në mundësitë e krijuara, për të përmirësuar golavarazhin, që është jetik në garën për t’u kualifikuar (në rast se e mbyllin grupin me pikë të barabarta me Kilin dhe Zvicrën). Ata nuk mund të mbështeten as te Hondurasi për të frenuar helvetikët, edhe sepse kjo skuadër i ka dhënë lamtumirën e parakohshme aktivitetit, me dy humbje në po kaq ndeshje. Spanja e ka të qartë se për të vazhduar më tej aventurën në Afrikën e Jugut, duhet të mposhtë në ndeshjen e fundit kilianët e drejtuar nga Bielsa.
Përballjen me Hondurasin e vendos një dopietë e David Vijës. Në të 17-ën, blerja më e re e Barcelonës driblon dy kundërshtarë, i shkëputet edhe të tretit dhe mposht portierin Vajadares me një gjuajtje që e ekzekuton duke rënë në tokë. Në fillim të pjesës së dytë, Vija dyfishon shifrat pas asistit të Navas, ndërsa e djathta e tij përfundon në rrjetë edhe falë devijimit të pafat të çavez. Edhe pse shpërdoroi një 11-metërsh, ndeshja e lojtarit që u kushtoi katalanëve 40 milionë euro, mbetet e shënuar. Ajo që binte në sy te Spanja ishte edhe efikasiteti i modulit të ri të lojës (4-3-3) dhe dy ndryshime në formacionin titullar. Fernando Torres, i rikuperuar plotësisht, zë vendin në qendër të repartit ofensiv, ndërsa në të djathtë luan Navas. Gjithsesi, “El Nino” ende nuk ka arritur formën më të mirë dhe kjo duket në disa raste të humbura. Ai zëvendësohet në minutën e 70-të, ashtu si ndodhi më pas me Ksavin dhe Serxho Ramos, për të ruajtur fuqitë për ndeshjen kundër Kilit, e cila vlen sa një finale.
#