Tërmet portugez
Portugalia bën Portugalinë dhe Koreja e Veriut i thotë lamtumirë Botërorit. Shtatë perla me zero për të paralajmëruar Brazilin dhe kundërshtarët e të njëjtit rang. Dy më shumë se sa më 23 qershor 1966 (në Liverpul, në Botërorin anglez), edhe pse në atë çerekfinale befasuese aziatikët shënuan plot tre gola, pasi kishin turpëruar Italinë gjatë fazës në grupe. Rezultat ky i kompletuar në pjesën e dytë pas avantazhit në minutën e 29-të të pjesës së parë me Meireles. Leksion i shkëlqyer për koreanoveriorët, që më pas do të pësonin edhe golat e Simaos, Almeidas, Liedsonit, Ronaldos e Tiagos (dopjetë), pas një pjese të parë që dhuroi jo pak emocione. Fitore që vlen tashmë për të ngritur luzitanët në kuotën e katër pikëve në klasifikim, por edhe 7 gola fondamentalë për të bërë diferencën në rast të barazimit me pikë me Brazilin në fundin e ndeshjeve të treta.
Koreja, jo keq — 45 minutat e para konfirmojnë në fakt se Botërori afrikanojugor është një rrugë e pabesë e mbushur me kurthe. Pasi ka zgjidhur misterin e katër lojtarëve “të zhdukur”, që duket se ishin një sajim i pastër i ambasadorit kroeanoverior, kombëtarja e stërvitur nga Kim Jong-Hun, në gjysmë orën e parë e mban rezultatin të paprekur, e ndihmuar ndoshta edhe nga një shi i rrëmbyeshëm. Si një skuadër e vendosur mirë, Koreja nuk është se luan vetëm duke larguar topat; gjithçka është e orientuar mirë dhe krijon rrezik. Një mbrojtje e mirë dhe kundërsulme të kujdesshme. Kristiano Ronaldo? Sistematikisht i dubluar nga dy kundërshtarë, ndonjëherë edhe tre. Njëlloj si të thuash “nuk të lëmë as të shikosh topin”. Por Koreja, krenare, nuk di vetëm të mbrohet: provon me natyrshmërinë e saj, pa shpërfytyruar dhe vuajtur, i shkon dy herë golit pranë. E bën me Jong Tae-Se e Hong Yonh-Jo. Ka dorë këtu edhe Eduardo. Por Portugalia është Portugali. Kristiano shkundet, por është i bllokuar. Kështu që mendojnë më pak të markuarit, duke filluar nga Meireles, i cili në minutën e 29-të reagon duke shënuar në shtyllën e parë të Ri Myong-Guk. Për t’u nënvizuar është magjia e Tiagos, i cili filtron një asist në zonë për Raul Meireles. Një aksion shumë i bukur.
Tërmeti portugez — Megjithatë, duket se është shumë pak për një skuadër si ajo portugeze. Koreja ka si qëllim të prishë lojën e kundërshtarëve dhe të bëjë presing mbi ata që mbajnë topin. Në fillimin e pjesës së dytë skuadra aziatike kërkon disa herë të shënojë me gjuajtje nga larg. Përpjekje të pamenduara mirë, pasi mungon potenciali. Portugalia, e cila ka me shumicë, vendos të bëjë diferencën, dhe në vetëm shtatë minuta e mbyll ndeshjen, duke shfrytëzuar lojën në krahun e majtë. Në minutën e 53-të, Simao merr një asist të mrekullueshëm nga Meireles dhe shënon golin e 2-0, duke triumfuar ndaj portierit korean. Ri Myomg mposhtet në seri edhe nga Almeida, me një goditje me kokë pas krosit të Koentraos, dhe Tiago: gjuajtje nga hyrja e zonën pas një pasi të servirur nga Kristiano Ronaldo (i ngjitur në katedër pas një pjese të parë, ku ishte i prangosur). Shpejtësia dhe klasi i tij janë brilantë, por kapiteni duhet të presë minutën e 42-të për të shënuar, pas golit të 5-0 nga Liedsoni, i sapofutur në vend të Almeidas. Goli i Ronaldos është një kombinim me fat, që gjithsesi ishte spektakolar, pasi topi iu ngjit mbi qafë, më pas në kokë, për ta rikuperuar dhe për ta përplasur më pas ai vetë në rrjetë. Ishte kjo qershia mbi tortë? Jo, atë qershi e vë sërish Tiago, me kokë. Dopjetë e ish-juventinit; mesazh për t’i kujtuar botës se ai nuk ishte vërtet një blof. Pas ndeshjes, trajneri Kueiroz nderon kundërshtarin. “Komplimente Koresë, luaji me dinjitet, pa bërë faulle. Shpresoj që ata të mund të marrin të paktën një pikë nga Botërori. E meritojnë për lojën që bënë ndaj Brazilit dhe Portugalisë”.