Kina: Lufta në Ukrainë mund të dalë jashtë kontrollit, të “mos i hidhet benzinë zjarrit” për Tajvanin

Pekini zyrtar ka deklaruar se konflikti në Ukrainë mund të dalë jashtë kontrollit dhe sipas ministrit të Jashtëm kinez situata është mjaft shqetësuese.
Në hapjen e konferencës së sigurisë, kryediplomati kinez Qin Gang ka bërë thirrje që vendet të mos i “hedhin benzinë zjarrit”.
“Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit dhe mundësinë që situata të dalë jashtë kontrollit. Ne u bëjmë thirrje vendeve përkatëse që të mos i “hedhin benzinë zjarrit”, duke fajësuar Kinën dhe duke përdorur retorikën “sot Ukrainë, nesër Tajvan”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Pekini ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të dënojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës duke mos e cilësuar atë një “luftë” , por si “operacion special ushtarak”.
Kina ka fajësuar vazhdimisht NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara për konfliktin.
Komentet e Qin Gang vijnë pasi zyrtari i lartë i politikës së Jashtme të Kinës, Wang Yi pritet të vizitojë Moskën këtë javë, vetëm disa ditë përpara përvjetorit të parë të pushtimit rus dhe mes pretendimeve nga zyrtarët amerikanë se Pekini po shqyrton ofrimin e ndihmës ushtarake për Kremlinin, transmeton CNN.
Të hënën, Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me vendet e tjera për të arritur një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua.
/rtsh.al/