Hetimet për “Kumbarin e Madh”, deputetja ekuadoriane: Jam kërcënuar me vdekje nga mafia shqiptare

Deputetja nga Ekuadori, Viviana Veloz ka pretenduar se është kërcënuar me vdekje nga mafia shqiptare. Veloz është edhe kryetare e Komisionit Hetimor për hetimin e lidhjeve mes presidentit të vendit Guillermo Lasso dhe mafias shqiptare dhe sipas saj kërcënimet lidhen pikërisht për ndalimin e hetimeve lidhur me këtë çështje, e njohur edhe si “Kumbari i Madh”.
Ajo tha se kishte marrë një letër në makinën e saj me logon e flamurit shqiptar dhe shënimin “I vdekur”.
Këtë rast të pretenduar prej saj, deputetja e bëri publik gjatë një konference online (shikoje këtu) të Komisionit Hetimor, ku do të merreshin në pyetje për çështjen agjenti fiskal Rubén Balda, polici José Luis Erazo dhe gjenerali Giovanni Ponce, koordinator administrativo-financiar i Policisë Kombëtare, por që nuk u paraqitën në seancë.
“Kërcënimet me vdekje dhe se ata do të bëjnë një tentativë për jetën e prindërve të mi dhe të familjes sime nëse nuk ndaloj së hetuari çështjen Encuentro. Madje, brenda atij mesazhi më kanë dërguar edhe udhëzime se si duhet ta ndjek, sipas tyre. Nëse pushteti politik nuk është bashkuar me mafien, atëherë pse po fillojnë të na kërcënojnë me vdekje? ”, tha deputetja.
Çështja “Kumbari i Madh” ka sjellë protesta në Ekuador, ku përgjimet e publikuara në media nxorrën në pah lidhjen e mafias shqiptare me presidentin Guillermo Lasso, ku kërkohet dorëheqja e tij.
/rtsh.al/