Kina frenon konsumin e naftës, bien çmimet
Kontratat e naftës regjistruan rënie në sesionin e djeshëm, të prekura nga statistika kineze, që tregoi se konsumatori i dytë i naftës në botë ka reduktuar importin e naftës. Në kundërshtim me parashikimet për rritje të importit, statistika tregoi një rënie të ndjeshme të konsumit të naftës nga Kina për muajin shtator. Nafta bruto Brent e Londrës, për nëntorin ra 25 cent në 111.11 dollarë për fuçi. Në 6 sesionet e kaluara kjo kontratë është rritur me 11.6%. Nafta bruto amerikane, për nëntorin ra 77 cent në 84.80 dollarë për fuçi. Ndërsa dy ditë më parë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë fajësoi normën e ulët të rritjes së ekonomisë globale, si motivin që vlerësoi se masa e rritjes së konsumit të naftës në këtë vit dhe në vitin e ardhshëm do të jetë më e vogël nga parashikimet e mëparshme. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, që përfaqëson interesat e vendeve konsumatore të naftës, vlerësoi se konsumi botëror do të zgjerohet me vetëm 1.25 milion fuçi në ditë, në vitin e ardhshëm dhe vlera është 160 mijë fuçi më pak nga vlerësimi i mëparshëm. Raporti i agjencisë me qendër në Paris dhe mbrojtës i 28 vendeve konsumatore, pason raportin e një dite më parë të OPEC, që reduktoi parashikimin për konsumin e naftës. Në ditën e sotme parashikohet që të publikohet edhe raporti i rëndësishëm për konsumin në muajin shtator edhe nga administrata amerikane për informacionin e energjisë. Lajmi i mirë në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë është rritja e parashikimit për prodhimin dhe eksportin e naftës nga Libia. Agjencia tha se, në tremujorin e tretë është regjistruar rritje më e vogël nga pritshmëria për vendet jashtë grupimit të OECD-së, ndërsa çmimi dhe niveli aktual i konsumit mbështetet nga vendet e kësaj organizate. Në muajin gusht, konsumi i naftës në Europë u rrit me 0.3% dhe agjencia tha se një prej faktorëve është blerja në avancë e naftës për ngrohje nga konsumatorët për të përfituar nga një çmim më i ulët.