Karburantet, një litër u rrit dje me 5 lekë
Të gjitha pikat e shitjes me pakicë të karburanteve rritën dje çmimet e naftës dhe benzinës me 5 lekë për litër, në mënyrë të unifikuar. Këtë herë, sipas vetë tregtarëve, shkak nuk është rritja e akcizës së qeverisë, por rritja e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, ndonëse ditët e fundit po rezulton me rënie. Një litër naftë në tregun vendas kushton nga 167 -175 lekë, në varësi të kompanive, nga 163-167 që ishte çmimi dy ditë më parë. Gjithashtu, një litër benzinë kushton 169-178 lekë, nga 164-173 lekë që ishte para rritjes. Kjo është rritja e dytë brenda muajit me nga pesë lekë për litër. Gjatë shtatorit, rritja e çmimeve u krye për shkak të efekteve që pati rritja e barrës fiskale për karburantet, ku taksa e qarkullimit u transferua tek akciza e karburanteve në masën e 5 lekëve. Por tregtarët pohojnë si arsye tjetër për rritjen e çmimit, edhe rënien e konsumit të karburanteve. Ministria e Financave, në buletinin e përmuajshëm për të ardhurat buxhetore ka pohuar se sasia e karburanteve të zhdoganuara për periudhën janar- korrik 2011është 207 mijë ton, me rënie vjetore 22.7 për qind, ndikuar edhe nga ndryshimet e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare dhe ngadalësimi i trendit ekonomik. Banka e Shqipërisë në raportet periodike të saj ka pohuar se, çmimi naftës ka ndikuar në rritjen e kostos së jetesës së shqiptarëve dhe për rrjedhojë edhe në rritjen e përgjithshme të çmimeve. Ndërsa INSTAT, në raportin e fundit për inflacionin tha se rritja e çmimeve gjatë shtatorit është kryesuar nga rritja e çmimit të karburanteve dhe barnave. Këto dy artikuj kanë minuar çmimet për vit, pasi kanë ndikuar në rritjen e përgjithshme të tyre, ka pohuar Banka e Shqipërisë në një raport të posaçëm për inflacionin. Çmimi i naftës në tregjet botërore gjatë muajve të fundit është reflektuar edhe në çmimet e tregut vendas, të cilat kanë shënuar vlerat më të larta gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, zgjatja në kohë e veprimit të rritjes së çmimit të naftës, e ndërthurur me rritjen e çmimeve në tregun ushqimor, ushtruan presione të shtuara në inflacionin e brendshëm. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, çmimi mesatar i naftës për fuçi në tregun ndërkombëtar ka regjistruar ritëm të përshpejtuar rritës, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, një fuçi naftë u tregtua me mesatarisht 111.2 dollarë amerikanë, çmim ky që përfaqëson një rritje prej 43.7% në nivel vjetor. Megjithatë, ecuria mujore e çmimit mesatar të këtij produkti paraqet një prirje mujore rënëse për muajt korrik dhe gusht. Të dhënat mbi zbutjen e rritjes ekonomike botërore të publikuara FMN-ja, si dhe rënia e kërkesës në dy vendet me konsumin më të lartë të naftës, Kina e SHBA, ndikuan në rënien mujore të çmimit mesatar të naftës gjatë dy muajve të fundit. Oferta botërore për naftë u vlerësua e rritur në bazë vjetore gjatë periudhës në analizë. Ndonëse kuotat e prodhimit u vlerësuan në rënie prej vendeve anëtare të OPEK -ut , përshpejtimi i prodhimit të këtij produkti në vendet e OECD -së, në Kinë e në Rusi, kushtëzoi rritjen vjetore të ofertës në botë.