Kina liron kontrollin mbi monedhen

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përshëndetur vendimin e Bankës Qendrore Kineze për rritjen e fleksibilitetit të monedhës vendase yuan-it dhe zgjerimin e volumeve të saj tregtare ndaj dollarit. Shefja e FMN-së Christine Lagarde u shpreh se kjo gjë do të ndihmojë në ribalancimin e ekonomisë së saj. Është një hap i rëndësishëm ka thënë Lagarde nga ana e Bankës Popullore të Kinës dhe një angazhim më i madh i Kinës për të ribalancuar ekonominë në drejtim të konsumit të brendshëm dhe do të lejojë forcat e tregut të luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e nivelit të kursit të këmbimit. Rregullat e reja shihen si një ndryshim në drejtim të një tregu më të reformuar duke e lejuar monedhën të luhatet në 1% si në tregun e brendshëm ashtu dhe atë të jashtëm nga 0,5% që ka qenë deri më tani. Partnerët tregtarë të Pekinit prej kohësh e kanë kritikuar normën e këmbimit të juanit, duke gjykuar se monedha kineze është mbajtur artificialisht e ulët, duke nxitur kështu rrjedhjen e eksporteve me çmime të ulëta dhe kanë ndikuar në rritjen e deficiteve të mëdha tregtare mes vendeve të tjera dhe Kinës. Në fakt Kina në mënyrë të vazhdueshme ka premtuar lirimin e kontrollit mbi juanin, por ka kundërshtuar thirrjet për një vlerësim të shpejt nga frika se dëmton sektorin e saj të prodhimit, një faktor kyç për ekonominë e saj. Njoftimi i Bankës Qëndrore Kineze do të thotë se yuani do të ketë mundësi të luhatet më tej kundrejt dollarit, por banka nuk ka vlerësuar se sa do tu pëlqejë ky veprim partnerëve të saj tregtarë duke përfshirë edhe SHBA. Sipas bankës ky ndryshim është vendosur në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tregut, të rritet fleksibiliteti i monedhës vendase në kursin e këmbimit në të dy drejtimet. Ndryshimet nga ana e institutit qëndror aziatik kanë ardhur në një moment kur ekonomia kineze shënoi në tremujorin e parë të vitit një ngadalësim të ritmeve të rritjes. Në muajin shkurt BQK vendosi të kryejë sa më shpejt reformat për lirimin e kontrollit te monedhës së saj me qëllim lehtësimin e investimeve jashtë nga ana e kompanive kineze si dhe rritjen e statusit global të juanit.